Ndërlidhjet

Angazhimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në punët e dyta


Ilustrim (©Shutterstock)

Ilustrim (©Shutterstock)

Agjencia e Kosovës Kundër Korrupsionit ka hedhur një varg kritikash në drejtim të gjyqtarëve dhe prokurorëve vendorë, duke thënë se “ata, nuk janë duke kryer punën siç duhet, kur bëhet fjalë për rastet që kanë të bëjnë me korrupsionin”.

Drejtori i Agjencisë, Hasan Preteni thotë se nga të dhënat që ka kjo agjenci, është evidentuar se më shumë se 800 zyrtarë në institucione publike, kanë më shumë se dy vende pune, kurse gjysma prej tyre, siç thotë ai, janë prokurorë dhe gjyqtarë vendas.

“Ne kemi gjyqtarë të Gjykatës Supreme që kanë nga 3-4 vende të punës. Prokurorë të ndryshëm, gjyqtarë të niveleve të ndryshme, punojnë edhe në vende të tjera të punës. E në anën tjetër kemi probleme me gjykimin e korrupsionit”, tha Preteni për Radion Evropa e Lirë.

Preteni thekson se marrë parasysh praktikën e shteteve që kanë demokraci më të konsoliduar, “një gjë e tillë nuk lejohet”.

“Jemi dëshmitarë të asaj që pas dite të gjitha veturat me 4Z [tabela regjistrimi që u takojnë veturave zyrtare të gjyqësorit], i shihni para universiteteve private [kolegje]. Mendoj që duhet t’ju ngushtohet rrethi dhe gjyqtarëve e prokurorëve të mos ju mundësohet asnjë punë tjetër. Nuk kemi shenja pozitive që po ndërmerren nga gjyqësori në luftën kundër korrupsionit”, u shpreh Preteni.

Por, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, ka hedhur poshtë kritikat duke thënë se “gjyqësori nuk është duke u vonuar sa u takon lëndëve që kanë të bëjnë me korrupsionin”.

Kurse për angazhimin e disa gjyqtarëve edhe në punë të dyta, Hasani thotë se një gjë e tillë është praktikë edhe në vendet e tjera dhe lejohet me ligj.

Me ligj gjyqtarët nuk mund të jenë këshilltarë, nuk mund të jenë avokatë, mirëpo mund të ligjërojnë. Çdo ku në botë gjyqtarët janë të përfshirë në ligjërim; do të thotë mbajtjen e leksioneve. Atë e ke në Kroaci, Shqipëri, Gjermani, Francë... askund nuk u mohohet e drejta".

"Mirëpo, është çështja e harmonizimit të orarit. Në universitetin AAB, punoj me lejen e Këshillit Gjyqësor, pas orarit të punës. Edhe në Universitetin Publik, ajo është një punë semestrale, e cila në janar përfundon, pra pas orarit të punës të premteve dhe shtunave punoj atje”, shpjegoi Hasani.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, nuk është pajtuar as me kritikën se angazhimi i gjyqtarëve në punët e dyta bën që lëndët të mos përfundojnë.

“Gjykata është segment i cili gjykon, nuk është gjykata ajo që ndjek. Le të dalë ai [ Hasan Preteni] me shifra dhe të thotë se cilat janë ato lëndë që nuk po gjykohen dhe nuk janë gjykuar, në rastet kur ka prova”, deklaroi Hasani dhe ka shtuar se “angazhimi i gjyqtarëve është minor, sa i takon angazhimeve në kolegje private”.

Ai tha po ashtu se ata që janë të angazhuar e që sipas tij, numri mund të jetë rreth 10 gjyqtarë, është i parëndësishëm karshi mirëvajtjes së punës në gjykata.

Mirëpo, Hasan Preteni drejtori i AKK-së, është shprehur se vetë angazhimi i gjyqtarëve në punët dytësore, mund të ndikojë në punën e vetë gjyqtareve në gjykimin e rasteve.

“Gjyqtari nuk duhet të ketë punë tjetër. Gjyqtari duhet të ketë punën e tij, zyrën dhe seancat gjykuese, e jo të harxhojë energji duke shkuar edhe në universitete private”, theksoi Preteni.

Ndryshe, sipas Kodit të etikës dhe ligjit për gjykatat dhe Këshillin Gjyqësor, gjyqtarët kanë të drejtë të mbajnë leksione dhe të japin ligjërata, thonë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Po ashtu edhe në ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, neni 10 thotë se “gjatë kohës së ushtrimit të funksionit publik, zyrtari i lartë mund të ushtrojë punë nga lëmia e shkencës, sportit, arsimit, kulturës dhe veprimtarisë humanitare, nëse nuk parashihet ndryshe me ligje tjera”.

Por, edhe në Këshillin Gjyqësor kanë vërejtje për këto “leje”.

Kryesuesi i këtij këshilli, Enver Peci, tha për Radion Evropa Lirë se ligji duhet të ndryshojë.

“Në këtë drejtim ne jemi duke bërë përpjekje që të arrijmë një vendim për aq sa i takon Këshillit... që gjatë orarit të punës ekskluzivisht duhet ndaluar marrja me ligjërime, të cilat lejohen me Kodin e Etikës. Edhe unë po pajtohem që nuk është në rregull që përkundër gjithë numrit të lëndëve që i kanë në punë, me u marrë edhe me ligjërim gjatë orarit të punës”, tha Peci.

Në raportin e organizatës “Transparency International”, Kosova është renditur në vendin e 111-të në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit.

Sipas raportit, sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë në vendin e parë sa i takon kësaj dukurie negative.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG