Ndërlidhjet

logo-print

Thaçi: Asociacioni i komunave serbe nuk është Republikë


Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

Në prag të takimit të radhës me homologun nga Serbia, Ivica Daçiq, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se Asociacioni i Komunave Serbe nuk do të ketë kompetenca të ndonjë entiteti politik e etnik.

Me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, përfshirë edhe ata në komunat veriore, Thaçi ka thënë se po ç’rrënjoset edhe ndikimi i Serbisë në Kosovë. Ai është shprehur i gatshëm t’i takojë edhe kryetarët e rinj të komunave me shumicë serbe që të bisedoj me ta për të gjitha problemet ekzistuese.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, nesër pritet të zhvilloni takimin e radhës me homologun nga Serbia, Ivica Daçiq. Është paralajmëruar që tema kryesore e diskutimeve do të jetë statuti i Asociacionit të Komunave Serbe. Andaj, rrjedhimisht, çfarë statuti do të ketë ky asociacion apo mekanizëm?

HASHIM THAÇI
Ky organizëm, statutin, formën, organizimin dhe funksionimin duhet dhe do ta ketë plotësisht në përputhshmëri me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës dhe me marrëveshjen e 19 prillit të arritur në Bruksel. Kështu që çdo pretendim tjetër apo çdo interpretim për një funksionim tjetër do të jetë i papranueshëm dhe i parealizueshëm. Ky është qëndrimi i Republikës së Kosovës dhe i Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë kompetencash do të ketë ky Asociacion. A mund të ketë shtrirje të kompetencave nga niveli i komunës në asociacion që do të përbënte një nivel të tretë të pushtetit?

HASHIM THAÇI
Asociacioni është një mekanizëm konsultativ, vullnetar. Kompetencat do të jenë plotësisht në përputhshmëri me kushtetutën ligjet e Kosovës dhe marrëveshjen e 19 prillit. Ato nuk do të jenë as më shumë e as më pak sesa kompetencat e asociacionit të komunave tjera në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të jetë një OJQ apo një entitet politik?

HASHIM THAÇI
Do të jetë një mekanizëm konsultativ, jo obligues dhe nuk do të ketë karakterin ekzekutiv apo legjislativ në asnjë rrethanë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sot, kryeministri serb Ivica Daçiq ka thënë se diskutimet më të vështira mund të jenë rreth gjykatës themelore, që sipas tij do të jetë në Mitrovicën e veriut. Pajtoheni ju që të ketë, kushtimisht thënë një shkëputje në sistemin gjyqësor kur bëhet fjalë për veriun?

HASHIM THAÇI
Pretendime të tilla mund të ketë, por ato do të jenë të parealizueshme. Sistemi policor dhe ai i drejtësisë do të jenë unike dhe plotësisht në përputhshmëri me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Do te jetë një sistem funksion policor dhe i drejtësisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, si e komentoni ju fitoren e Listës serbe në nëntë komuna me shumicë serbe. Dhe, sa mund të shihet kjo si kthim prapa në procesin integrues të disa komunave që tashmë ishin integruar?

HASHIM THAÇI
Me zgjedhjet lokale që u organizuan në Kosovë, shteti i Kosovës ka dërguar mesazhin më të mirë për të ardhmen evropiane. Ka treguar mesazhin më të mirë për organizimin e zgjedhjeve fer, të lira, demokratike të standardeve më të larta ndërkombëtare. Zgjedhje këto të papara në rajon në kuptimin më pozitiv të mundshëm, për çka kemi edhe vlerësimin ndërkombëtar të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Suksesi i dytë është organizimi i zgjedhjeve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës pas 14 vitesh. Ky organizim i zgjedhjeve është bërë në përputhshmëri me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, pra duke respektuar legjislacionin kosovar. Tani edhe komuniteti serb po integrohet në jetën institucionale legale edhe në nivel lokal dhe qendror, kështu që vullneti i qytetarëve do të respektohet.

Janë zgjedhje legale e legjitime, kështu që ne do të bashkëpunojmë me çdo kryetar që e kanë zgjedhur qytetarët e Kosovës pa dallim etnik. Secili i ka preferencat e veta për këtë apo atë parti apo iniciative politike, por vullneti do të respektohet nga të gjithë.

RADIO EVROPA E LIRË
Do t’i takoni ju këta kryetar të ri serbë që janë zgjedhur në këto komuna dhe të bisedoni për problemet ekzistuese me ta?

HASHIM THAÇI
Ata janë liderë dhe kryetarë të zgjedhur nga votat e qytetarëve në zgjedhjet e lira e demokratike. Unë pres që do të takohem. Pres që t’i vizitoj. Pres që të punojmë bashkërisht për të mirë të qytetarëve kudo që jetojnë, qoftë në veri apo në jug.

Organizimi i këtyre zgjedhjeve ka legjitimuar definitivisht marrëveshjen e 19 prillit dhe na ka dhënë të drejtën tonë se ne kemi marrë vendimet më të mira të mundshme për realitetin kosovar.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, përfundimisht nuk shihni rrezik që nga krijimi i ndonjë entiteti politik apo Republikë serbe?

HASHIM THAÇI
Suksesi i zgjedhjeve të 3 dhe 1 dhjetorit, definitivisht do ta ç’rrënjos ndikim e Serbisë në Kosovë. Përfundimisht nuk do të ketë as Republika serbe, as autonomi e as pretendime për ndarje territoriale të Kosovës. Kosova është një, unike, e pandarë dhe do të punojmë për të ardhmen evropiane të saj dhe si atdhe i të gjithë qytetarëve të saj.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG