Ndërlidhjet

Maqedoni: Përmendoret e tensioneve ndëretnike


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Pjesë përbërëse e projektit “Shkupi 2014”, në urën që lidh Muzeun Arkeologjik me sheshin e kryeqendrës së Maqedonisë tani është dhe përmendorja e Car Dushanit, një sundues serb të shekullit të XlV, përmendore kjo e cila ka nxitur debate të ashpra si në mesin e intelektualëve shqiptarë, ashtu dhe qytetarëve.

Historiani Zeqiria Rexhepi thekson se Car Dushani është figurë historike i cili gjatë shekullit XIV kishte pushtuar të gjitha trojet e shqiptarëve, duke kryer masakra të shumta ndaj popullatës shqiptare.

“Car Dushani është një pushtues i shtetit serb, dhe normalisht ai ka mbrojtur kauzën serbe dhe në historiografinë shqiptare por edhe më gjerë, figura e tij është trajtuar si pushtues u hapësirave shqiptare”, thekson Rexhepi, ligjërues në fakultetin e historisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Ai shton se në histori, Car Dushani njihet si mbreti që ka vrarë dhe masakruar qindra mijëra shqiptar për t'i konvertuar nga katolikë në ortodoksë.

Nga ana tjetër Nikos Causidis, arkeolog, thotë se nëse shikohet nga aspekti se Car Dushani është kurorëzuar në Shkup dhe për këtë meriton të ketë përmendore në këtë qytet, kjo duket në rregull, por sipas tij autoritet shtetërore duhej të tregoheshin më "suptil" në përzgjedhjen e figurave historike të cilat janë pjesë përbërëse e projektit Shkupi 2014.

“Shumë më mirë do të ishte të kishte më pak përmendore, personalitete dhe ngjarje të përzgjedhura dhe me këtë interesimi i të gjithë vizituesve dhe qytetarëve të drejtohej në to. Sipas meje, e theksoj këtë: numri i përmendoreve që përfshin Shkupi 2014 është enorm, gjegjësisht shumë më i madh nga ajo që realisht mund të përshijë një kryeqendër”, thotë Causidis.

Gjersa Vllado Popovski- historian dhe këshilltar i presidentit të shtetit Gjogje Ivanov thotë se vendosja e bustit në fjalë nuk duhet shikuar si provokim ndaj shqiptarëve.

“Përmendorja e Car Dushanit, i cili është kurorëzuar në Shkup duhet shikuar nën prizmin e mbrojtjes së otodoksiszmit gjatë asaj periudhe dhe assesi si provokim për ndonjë popull të këtyre trevave”, nënvizon Popovski.

Me këto qëndrime nuk pajtohet historiani shqiptar Zeqiria Rexhepi, sipas të cilit në asnjë vend në botë nuk ngiten përmendore pushtuesish.

“Vendosja e përmendoreve të një personaliteti historik bëhet në bazë të meritave, e në këtë rast është diskutabile se çfarë meritash ka Car Dushani edhe për historinë e vetë Maqedonisë ose edhe popullit maqedonas, kuptohet, është fare e thjeshtë, pushtuesi është pushtues”, thekson Rexhepi.

Kundër vendosjes se përmendores në fjalë janë shprehur qytetarët shqiptarë në Maqedoni.

“Shqiptarët duhet ta parandalojnë vënien e bustit të Car Dushanit, sepse dihet, të gjitha luftërat serbe kanë pasur një qëllim, shfarosjen e shqiptarëve”, thekson Nuhi Dardhishta, arsimtarë.

Edhe Vullnet Paçuku, avokat, nënvizon se vendosja e përmendores në fjalë paraqet provokim dhe e njëjta duhet të largohet sa më parë.

“Jam i mendimit se busti i Car Dushanit se ka vendin në qendër të Shkupit sepse kjo gjë për shqiptarët nuk paraqet një gjest të mirë nga ata që kanë lejuar këtë. Shkupi është qytet I yni, paraqet historinë tonë dhe assesi nuk e ka vendin aty ku duhet të vendoset”.
XS
SM
MD
LG