Ndërlidhjet

Guardian: Shenjat e zemrës së kalbur të Evropës


Famuri i BE-së

Famuri i BE-së

Imagjinoni skenarin në vazhdim: Pas një ndeshjeje futbolli në njërin nga stadiumet më të mëdha në Gjermani, njëri nga lojtarët merr mikrofonin dhe bërtet: “Heil Hitler!”.

Mbi 30,000 njerëz përgjigjen “Heil”.

Vetëm disa ditë më vonë, 65 për qind e gjermanëve votojnë kundër homoseksualëve në një referendum kombëtar. Në të njëjtën kohë, janë duke u mbledhur nënshkrime për të organizuar një tjetër referendum – këtë herë për ndalimin e gjuhës Yiddish (gjuhë gjermane, me origjinë hebreje). Si do ta quani këtë? Demokraci?

Me këtë hyrje nis një shkrim në të përditshmen britanike “Guardian”.

Gazeta kujton se Koracia ka mbajtur tre referendume.

I pari është mbajtur në vitin 1991, për të deklaruar pavarësinë nga Jugosllavia; i dyti në vitin 2012 për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe i fundit këtë javë, kur 65 për qind e kroatëve kanë votuar për të ndryshuar përkufizimin e martesës në kushtetutë, duke e bërë ekskluzivisht si “bashkim midis një gruaje dhe një burri”.

Vetëm disa ditë para referendumit, vijon artikulli, gjatë festimeve për kualifikimin e Kroacisë në Kupën e Botës, futbollisti Joe Simuniq, ka marrë mikrofonin në fushë dhe ka brohoritur para tifozëve: “Për atdheun!”.

Të 30,000 tifozët janë përgjigjur: Gati!”. Mund të mos tingëllojë si diçka e veçantë, por ai ka përdorur frazën “Za dom spremni”, një thirrje e vjetër e luftës, e përdorur nga ustashët, bashkëpunëtorët kroatë të regjimit nazistë, të cilët kanë dërguar dhjetëra-mijëra serbë, hebrenj dhe të tjerë në kampe të përqendrimit.

Në shkrim thuhet se një iniciativë e qytetarëve, me mbështetjen entuziaste të Kishës Katolike dhe partive të djathta, ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për të mbajtur një referendum për të drejtat e minoriteteve etnike.

Në vitin 1941, regjimi kroat pro-nazist ka sjellë një ligj, i cili ka ndaluar alfabetin cirilik, të përdorur nga serbët, në territorin e Shtetit të Pavarur të Kroacisë.

Në shtator të këtij viti, qeveria ka vënë pllaka me alfabet cirilik në ndërtesat zyrtare në Vukovar, qytetin që ka qenë i rrethuar dhe shkatërruar nga serbët, gjatë luftës më 1991. Por, pllakat janë hequr nga protestuesit e inatosur.

Në të njëjtën kohë, Qeveria kroate po ndjek një ligj, i cili do ta bëjë dygjuhësinë të detyrueshme në vendet ku pakicat etnike përbëjnë mbi 30 për qind të popullsisë.

Por tani, një gjeni ka dalë me idenë se pragu duhet të jetë 50 për qind – me fjalë të tjera: një pakicë mund të ketë të drejta vetëm nëse është shumicë, shkruan Guardian.

Ata që qëndrojnë pas këtyre referendumeve thonë se modeli i familjes kroate është në rrezik – në njërën anë nëse homoseksualët fitojnë të drejtën për t’u martuar dhe, në anën tjetër, nëse serbët fitojnë të drejtën për të përdorur alfabetin e tyre në Kroaci.

Megjithatë, sipas gazetës, është kriza aktuale e kapitalizmit ajo që është duke shkatërruar vërtet sigurinë sociale. Zhdukja graduale e shërbimit shëndetësor publik dhe shkurtimi i pensioneve po dëmtojnë familjet më shumë sesa homoseksualët ose serbët.

Për shembull, shkalla e papunësisë në mesin e të rinjve në Kroaci është 52 për qind, që e radhit atë pas Greqisë dhe Spanjës.

Dhe, në vend të organizimit të referendumit për këto probleme ose ofrimit të punës për këta të rinj, Kroacia ka shpenzuar 6.2 milionë euro për të përkufizuar diçka që tashmë është e përkufizuar në ligjin familjar: martesa si një bashkim i rregulluar ligjërisht i një gruaje dhe një burri.

Por, do të ishte gabim të konstatohej se Kroacia është sërish më pranë vendeve të Ballkanit ose atyre konservatore si Polonia, Hungaria, Bullgaria dhe Rumania.

Po në lidhje me dhjetëra-mijëra protestuesit që kanë marshuar në Paris, në muajin mars, kundër ligjit francez për martesat e gjinisë së njëjtë? Po në lidhje me atmosferën ndaj pakicave në Danimarkë dhe Suedi, për të mos përmendur Italinë ose Greqinë?

Referendumi i Kroacisë për të drejtat e homoseksualëve dhe propozim-referendumi për të drejtat e pakicave tregojnë jo vetëm keqpërdorimin e demokracisë dhe një reagim të ashpër konservator, por edhe një simptomë të zemrës së kalbur të Evropës, një kontinenti që gjithnjë e më shumë i ngjan jo vetëm skenarit më lart, por edhe realiteteve më të këqija të shekullit 20, shkruan Guardian.

Nuk është vetëm dëbimi i romëve nga Franca, Agimi i Artë në Greqi ose kthimi djathtist i Hungarisë, por është edhe rritja e antisemitizmit në Suedi ose Islamofobia në Danimarkë, që dëshmojnë këtë.

Poeti kroat, Marko Pogaçar, mund të ketë të drejtë kur thotë se “e vetmja gjë më e tmerrshme se fashizmi është fashizmi i moderuar”, shkruan në fund gazeta Guadian.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG