Ndërlidhjet

Vdes Nelson Mandela



Për dekada të tëra, ky himn kishtar ka qenë himni shpirtëror i lëvizjes kundër aparteidit në Afrikën e Jugut. Është kënduar në demonstrata, marshe dhe funerale nga shumica me ngjyrë e vendit; ka qenë shprehje e sfidës.

Me fundin e sundimit të minoritetit të bardhë, në vitet 1990, kënga është bërë himni kombëtar i Afrikës së Jugut.

Kështu ka ndodhur edhe me Nelson Mandelën, i cili ka nisur moshën e madhe si një udhëheqës i rezistencës; është rritur si një i burgosur politik dhe ka simbolizuar tranzicionin e vendit të tij në një demokraci shumëracore, pasi është bërë president.

Rolihlahla Mandela ka lindur në Traskei të Afrikës së Jugut më 1918. Ka qenë djali i një shefi lokal fisnor. Më vonë, një mësues shkolle i ka dhënë emrin “Nelson”.

Ndoshta, për ta shqiptuar më lehtë.

Falë pozicionit të familjes së tij, Mandela ka mbaruar universitetin. Pas diplomimit, ka punuar për kohë të shkurtër në një firmë ligjore në Johanesburg. Por, ka qenë e qartë se si njeri me ngjyrë, mundësitë për të avancuar i ka pasur shumë të kufizuara.

Me fitoren zgjedhore të Partisë Kombëtare, më 1948, e cila mbronte politikën e aperteidit, ose ndarjen totale të racave, zezakët kanë humbur shumicën e të drejtave të pakta që kanë pasur deri atëherë. Janë ndaluar të bëjnë shumë punë, u janë kufizuar kontaktet shoqërore me të bardhët dhe janë ndaluar të lëvizin lirshëm në vendin e tyre. Me pak fjalë, janë shtyrë në margjina të shoqërisë.

Kryeministri Hendrik Frensch Verçoerd, arkitekt i aperteidit, shpeshherë u ka thënë mbështetësve të tij në vitet 1950 se qëllimi i politikës është të sigurohet dominimi i përhershëm i të bardhëve.

“Miqtë e mi, kjo republikë është pjesë e domenit të njeriut të bardhë në botë”, ka thënë ai.

Mandela i është bashkuar krahut rinor të Kongresit Kombëtar Afrikan - lëvizjes që mbështeste rezistencën e padhunshme ndaj ligjeve që mbanin të bardhët në kontrollin e shoqërisë.

Dekada më parë, madje edhe para kufizimeve të ashpra të aparteidit, avokati indian, Mohatma Gandhi, atëherë pak i njohur, është frymëzuar nga shtypja që ka përjetuar në Afrikën e Jugut për të nisur një luftë jo të dhunshme për barazi racore.

Mandela shpesh i është referuar Gandhit si një frymëzim. Për gati dy dekada, ai ka ndjekur gjurmët e tij.

Por, në fillim të viteve 1960, Mandela dhe bashkëpunëtorët e tij kanë ndjerë se lëvizja nuk çonte gjëkundi.

Me deklarimin e gjendjes së jashtëzakonshme nga ana e qeverisë, rritjen e dhunës kundër disidentëve dhe shtypjen e demonstratave kundër aparteidit, Kongresi Kombëtar Afrikan ka marrë vendim që, siç ka thënë Mandela, “t’i përgjigjet dhunës me dhunë”.

Ndryshe nga shumë vende të tjera afrikane, Kongresi Kombëtar Afrikan ka bërë një zgjedhje të matur, duke mos nisur fushatë guerile dhe duke mos sulmuar jetët e njerëzve.

Sabotimi i pronës qeveritare ka qenë taktika e zgjedhur. Zyrat postare dhe instalimet telefonike janë bombarduar. Mandela është arrestuar më 1962 dhe është dënuar me pesë vjet burgim.

Një vit më vonë, derisa ishte në burg, ai dhe aktivistët e tjerë të lëvizjes janë akuzuar për komplot për të rrëzuar qeverinë. Mandelës dhe shtatë bashkëpunëtorëve të tjerë u janë shqiptuar dënime të përjetshme më 1964.

Në fjalimin katërorësh në gjykim, Mandela ka mbrojtur aksionet e tij dhe ka parashtruar kërkesat e lëvizjes. Kryesorja ndër to ka qenë kërkesa për barazi të plotë politike të shumicës me ngjyrë. I kërcënuar me ekzekutim, gjykatësit i ka thënë: më var nëse guxon.

“Kam luftuar kundër dominimit të bardhë dhe kam luftar kundër dominimit të zezakëve. Është një ideal, me të cilin shpresoj të jetoj. Por, zotëria juaj, nëse duhet, është një ideal për të cilin jam i gatshëm të vdes”, ka thënë Mandela.

Gjykatësi është tallur dhe Mandela është transferuar në burgun famëkeq në Robben Island, ku do të kalonte 27 vjetët e ardhshëm.

Derisa ka qenë në burg, fugura e tij është rritur dhe lëvizja kundër aparteidit ka marrë dimensione globale. Kombet e Bashkuara kanë vendosur embargo armësh ndaj Afrikës së Jugut dhe Mandela është bërë i burgosuri më i famshëm i ndërgjegjes.

Kur ka dalë nga burgu më 1990, është pritur si hero. Në Afrikën e Jugut ka aguar një epokë e re.

Gjatë tre vjetëve të ardhshëm, Mandela, së bashku me presidentin e vendit, F.Ç. De Klerk, kanë punuar për të shpërbërë strukturat e aparteidit, duke u hapur rrugën zgjedhjeve të para demokratike.

Mandela ka ndarë Çmimin Nobel për Paqe me De Klerk për këtë arritje historike.

Më 1994, ai është zgjedhur president në zgjedhjet e para shumëracore në vend. Në zyrë ka shërbyer një mandat dhe ka fituar respekt ndërkombëtar për mbështetjen e pajtimit kombëtar dhe ndërkombëtar.

Kur ka dhënë dorëheqje më 1999, Mandela ka lënë një vend të trazuar, por që kishte ndërmarrë hapa gjigantë.

Më vonë, ai është bërë mbështetës i leksioneve për AIDS-in, pasi djali i tij i madh ka ndërruar jetë nga kjo sëmundje. Mandela ka treguar edhe një herë guximin e tij, duke folur publikisht për humbjen e tij nga sëmundja, në kohën kur të bërit kështu është konsideruar tabu.

Ai është tërhequr nga jeta publike në vitin 2004.

Mandela ka vdekur me një shtat gjigant, të krahasueshëm në sytë e shumëkujt me heroin e tij, Gandhin. Ka vdekur si një njeri që ka ndryshuar një komb, jo përmes forcës së armëve, por përmes shembullit moral. (v.tela)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG