Ndërlidhjet

Prodhuesit përballë burokracisë dhe korrupsionit


Gjatë këtij viti autoritetet kompetente nuk kanë treguar ndonjë përkushtim në përmirësimin e kushteve të sektorit privat, konsiderojnë disa pronarë të kompanive prodhuese, përderisa disa të tjerë janë të kënaqur më disa vendime që ka marrë ekzekutivi.

Kompania “Frutex” nga Suhareka, është një ndër kompanitë më të mëdha për prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjetike.

Kjo kompani ka të punësuar mbi 60 punëtorë. Pronari i saj Shaqir Palushi, si barrierë kryesore përmend politikat jo të favorshme fiskale. Ankesa kryesore, vazhdon të mbetet aplikimi i taksës doganore për lëndën e parë.

“Fatkeqësisht në këtë vit nuk mund të themi se nuk ka ndonjë lëvizje. Mirëpo ajo që është më e rëndësishme, ka shumë vite që është premtuar se do të aprovohet një pako e re fiskale, në lirimin nga dogana për lëndën e parë. Natyrisht se na kushton, duke ditur se konkurrenca në këtë sektor është e madhe, sidomos nga vendet rajonale. Vende këto ku politikat fiskale janë më të favorshme”, tha Palushi.

Ndryshe, zyrtarë në Ministrinë e Financave kanë thënë se viti 2014, do të jetë vit i fillimit të zbatimit të reformave fiskale të ndërmarra gjatë vitit 2013. Një pjesë e konsiderueshme e lëndëve të para do të lirohen nga taksa doganore për 10 për qind.

Sidoqoftë, Palushi tregon se gjatë këtij viti kompania ka treguar suksese në zgjerimin e aktiviteteve, por kjo sipas tij, ka ndodh falë angazhimit vetanak.

Ai përmend plasimin e produkteve të reja në treg, rritjen e të ardhurave financiare, rritjen e konsumit të produkteve “Frutex”.

Po ashtu, gjatë këtij viti, për herë të parë kompania “Frutex” ka arritur që prodhimet t’i eksportojë në Serbi, konkretisht në Luginën e Preshevës, në Libi, ndërsa gjatë këtij muaji prodhimet do të eksportohen edhe në Afrikë.

Kjo ndërmarrje prodhimet i eksporton në shumicën e vendeve të rajonit, por edhe në Austri, Itali dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kompania tjetër prodhuese “Pestova” në Vushtrri, merret më prodhimin dhe përpunimin e patates. Kjo kompani ka mbi 100 punëtorë, ndërkaq numri rritet gjatë kohës së kultivimit dhe grumbullimit të patates.

Bedri Kosumi, pronar i kësaj kompanie, thotë se vendimi i ekzekutivit për heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për fermerët ka dhënë rezultate pozitive në afarizmin e ndërmarrjes.

“Lajm i vitit është heqja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH ) në produktet e para për fermerë dhe kjo është një arsye më shumë që direkt reflekton në formalizimin e sektorit prodhues bujqësor. Vërtet ka qenë pak e vonuar, por e mirëseardhur. Problem me të cilën ne si kompani ballafaqohemi është mungesa e parasë në treg, çdo ditë e më shumë kemi problem me borxhe të këqija", thotë Kosumi.

Edhe kompania Pestova, gjatë këtij viti ka rritur kapacitet prodhuese .

Në anën tjetër, përfaqësues të komunitetit të biznesit pohojnë se jo të gjitha kompanitë gjatë këtij viti kanë treguar performancë të mirë ekonomike.

Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, tregon disa nga barrierat më të cilat janë përballë kompanitë private.

“Duke filluar nga politikat për të bërë biznes, do të thotë politikat fiskale, politikat e qeverisjes lokale, njëkohësisht i ka përcjell informaliteti, interesi bankar shumë i lartë, por edhe burokracia dhe korrupsioni kanë qenë një ndër shkaktarët që bizneset vështirë e kanë tejkaluar këtë vit. Dëshiroj që të jete viti i fundit, por me gjasë edhe më tutje do t’i kenë këto sfida rreth vetes”, shprehet Shahini.

Sfidë gjatë këtij, viti sipas Shahinit, ka qenë mos lirimi i taksës doganore për lëndën e parë, kërkesë kjo e vazhdueshme e komunitetit të biznesit.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG