Ndërlidhjet

logo-print

WP: Nelson Mandela ia mësoi botës pajtimin


Roosevelt, Stalin, Churchill, Hitler — janë këta disa emra që për pjesën më të madhe të botës kanë definuar gjysmën e parë të shekullit të 20-të, epokën më shkatërruese në histori, nis shkrimin e sotëm e përdtishmja Washington Post.

Gandhi, King, Mandela ndërkaq, janë emra që do të jetojnë më së gjati në ndërgjegjen e botës, liderë të cilët nuk kishin armata të vërteta apo pushtet, por që ndihmuan në krijimin e një etike të re përmes fuqisë së ideve të tyre, duke dhënë si shembull jetën të cilën e bënin, shkruan bordi editorial i gazetës.

Pas 27 vitesh në burg, prej andej zoti Mandela doli si një figurë me ndikimin më të madh që kishte ndonjëherë cilido lider në Afrikën e Jugut, qoftë ai i bardhë apo me ngjyrë, duke promovuar pajtueshmërinë, mirëkuptimin dhe faljen.

Sikurse Gandhi dhe Kingu, edhe Nelson Mandela kishte mangësi personale, përballej me pakënaqësi të brendshme, por ishte forca e pamasë e personalitetit të tij që fitoi zemrën e pothuajse secilit me të cilin është takuar, nisur nga fshatarët afrikanë, gardianët në burg, e deri të përfaqësuesit e qeverisë, shkruan WP.

Duke shpjeguar detyrën që kishte marrë mbi vete si mision jetësor, gazeta shkruan se edhe në këtë rast, sikurse Gandhi dhe Kingu, edhe Mandela kishte për synim zhbërjen e ideve raciste, “me të cilat mendimtarë të caktuar perëndimorë synonin për më shumë se një shekull të arsyetonin nënshtrimin e të tjerëve përmes kolonializmit, ndarjes dhe heqjes së të drejtave”.

Zoti Mandela e kishte kuptuar se forca shtytëse e urrejtjes etnike, fetare dhe racore nuk ishte e bazuar vetëm në interesa vetanake, por edhe në frikë, mosbesim dhe mungesën e mirëkuptimit.

Për këtë arsye, gazeta shkruan se Mandela kishte investuar në personalitetin dhe politikat e tij, që t’ua dëshmojë atyre të anës tjetër se nuk kishin arsye për të pasur frikë.

Ai synonte bashkimin e jo hakmarrjen, ndershmërinë dhe mirëkuptimin e jo ushtrimin lakuriq të forcës. WP shkruan se të gjitha këto natyrisht janë koncepte të përgjithësuara idesh, por që për të gjithë ne bëhen më të qarta kur kishim përballë një njeri që i vuri në jetë.

Tani që iku, tani është shumë e rëndësishme të mbahet në jetë emri dhe shembulli i Nelson Mandelas, në një shekull që po shenjohet si epokë e shpërthimeve të frikshme të terrorit dhe jotolerancës ndërfetare, shkruan në fund e përditshmja Washington Post.

Përgatiti: Arbana Vidishiqi
XS
SM
MD
LG