Ndërlidhjet

logo-print

Për paqen në Siri Assad duhet të largohet, thotë Hague


Mbretëri e Bashkuar- Ministri i Punëve të Jashtme të Britanisë, William Hague (Ilustrim)

Mbretëri e Bashkuar- Ministri i Punëve të Jashtme të Britanisë, William Hague (Ilustrim)

Sekretari i Jashtëm britanik William Hague tha të premten se presidenti sirian Bashar al-Assad duhet të largohet nga pushteti, nëse dëshiron çfarëdo marrëveshje paqësore për shtetin e tij i cili është zhytur në konflikt tash e 33 muaj.

“Ne kemi qenë gjithmonë shumë të qartë se një zgjidhje paqësore për Sirinë, kërkon largimin e presidentit Assad”, tha Hague gjatë një konference për shtyp në kryeqytetin kuvajtian, ku zhvilloi biseda me homologun e tij Sheikh Sabah Khaled Al-Sabah.

“Është e pamundur të imagjinohet se pas kaq shumë vdekjesh, kaq shumë shkatërrimesh, një regjim kaq represiv i cili vret popullin e vet në këtë shkallë” dëshiron të mbetet në pushtet, tha kryediplomati britanik.

“Është po ashtu e pamundur që të përfytyrohet, mendoj unë, që presidenti Assad mund të mbetet në skenë në Siri në të ardhmen”, nënvizoi Hague.

Thirrja e britanikut për Assadin vjen pak javë para se të hapet një konferencë paqësore ndërkombëtare për Sirinë, e caktuar të mbahet më 22 janar.

Qeveria në Damask ka thënë se Assad do të mbetet president dhe do të drejtoj çfarëdo çështje kalimtare që merr pëlqimin e fuqive botërore në këtë konferencë paqësore, përderisa opozita dhe kryengritësit që po luftojnë regjimin, këmbëngulin që ai të mos ketë asnjë rol.
XS
SM
MD
LG