Ndërlidhjet

Komunat serbe, sipas direktivave të Beogradit


Kryetarët e komunave me shumicë serbe në Kosovë, në të cilat ka fituar Iniciativa Qytetare Serbe, deklarohen se bazë për funksionimin e tyre do ta kenë Marrëveshjen e 19 prillit të arritur në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Si subjekt politik që është formuar, mbështetur dhe sponsorizuar nga Qeveria e Serbisë, kjo Iniciativë e njohur edhe si “lista serbe”, pretendon se gjithçka që do të konsiderohet legjitime nga Beogradi në raport me pranimin apo refuzimin e pavarësisë së Kosovës, për ta do të jetë e pranueshme dhe e zbatueshme.

Reagimet e tyre, pasojnë deklaratat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës se nëse kryetarët e rinj serb nuk do të zbatojnë ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, ata mund të humbin postet e fituara në zgjedhjet e fundit.

Kryetari i sapozgjedhur i Mitrovicës së veriut, Krstimir Pantiq kishte deklaruar se ai nuk do të pranonte shtetin e Kosovës dhe as nuk do t’i dhe zbatonte ligjet e këtij shteti.

Duke e vlerësuar Marrëveshjen e Brukselit si neutrale në raport me pavarësinë e Kosovës, kryetarët e rinj serb dhe “lista serbe” që tashmë kontrollon 9 komuna në Kosovë, është në pritje të definimit përfundimtar të statutit të Asociacionit të Komunave Serbe në kuadër të bisedimeve që Prishtina dhe Beogradi po zhvillojnë n Bruksel.

Vladeta Kostiq, kryetar i Iniciativës Qytetare Serbe në Kosovë thotë se gjashtë komunat të cilat tashmë janë formuar me Planin e Ahtisaarit do të funksionojnë sikurse deri më tani. Por, ajo që për Kostiqin duhet të definohet është funksionimi i katër komunave në veri dhe kompetencat e Asociacionit të Komunave Serbe, i cili do të formohet më pas nga të gjitha, dhjetë komunat serbe.

“Të presim së pari që këto katër komunat në veri të formohen dhe konstituohen, ngase ato ende nuk janë konstituuar sipas dispozitave të Planit të Ahtisaarit, siç ka ndodhë me këto gjashtë komunat poshtë lumit Ibër”, thotë Kostiq.

Në këtë moment, si nuk ka dashur të paragjykojë se me çfarë baze ligjore do të funksionojnë këto komuna dhe Asociacioni i tyre, duke e lënë këtë si një çështje në definim e sipër.

Branimir Stojanoviq po ashtu nga Iniciativa Qytetare Serbe, ka arritur të fitoj në garën për kryetar të Graçanicës, duke ndërruar qeverisjen e atjeshme lokale të cilën e kishte Partia Liberale Serbe e cila mbanë poste të larta në Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës.

Stojanoviq, thotë se bazë e funksionimit të komunës së Graçanicës do të jetë Marrëveshja e 19 prillit e arritur në Bruksel.

Sipas tij, gjithçka që dakordohet në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, për këtë komunë do të jetë legale dhe legjitime dhe do të respektohet.

Kurse në lidhje me pranimin apo refuzimin e shtetit të Kosovës, ai preferon që të pyetet Beogradi dhe më pas, ashtu si do të thotë Qeveria e Serbisë ashtu edhe do të veprojnë edhe komunat serbe në Kosovë.

“Për çështjet e mëdha politike, për qëndrimet rreth varësisë dhe pavarësisë, duhet të konsultoni Beogradin ngase çdo gjë që është legjitime për Beogradin do të jetë legjitime edhe për ne”, thotë Stojanoviq.

Sipas tij, Marrëveshja e Brukselit do të jetë bazë edhe për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe në bazë të kësaj Marrëveshjeje do të provohet të zgjidhen problemet që ngarkojnë komunitetin serb në Kosovë.

“Asociacioni sigurisht që do të ketë kompetenca të caktuara ekzekutive, por për ne është me rëndësi Marrëveshja e Brukselit dhe kërkojmë që të ketë një dhe jo shumë interpretime të saj, në mënyrë që të punohet në bazë të kësaj Marrëveshje”, thotë Stojanoviq.

Me hartimin e statutit të Asociacionit që pritet të ndodhë në kuadër të bisedimeve në Bruksel, do të sqarohen të gjitha kompetencat dhe përgjegjësitë e këtij organizmi, ka thënë kryetari i ri i Graçanicës.

Në bazës të Marrëveshjes së arritur më 19 Prill në Bruksel, Beogradi ishte pajtuar që edhe komunat në veri të Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, ndërkaq pas procesit elektoral të formohet Asociacioni apo Bashkësia e dhjetë komunave serbe.

Pasi që zgjedhjet tashmë janë shpallur të suksesshme, ka mbetur që Prishtina dhe Beogradi të merren vesh edhe në lidhje me statutin e këtij Asociacioni.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë tërhequr vërejtjen se ka shumë indikacione që kompetencat e Asociacionit serb po devijojnë nga Marrëveshja drejt krijimit të një entiteti të veçantë politik.
XS
SM
MD
LG