Ndërlidhjet

Ukrainë: Tymoshenko e përfundoi grevën e urisë


Yulia Tymoshenko

Yulia Tymoshenko

Ish-kryeministrja e burgosur e Ukrainës, Yulia Tymoshenko, sot e ka përfunduar grevën e urisë.

Vajza e saj, Yevhenia, u tha gazetarëve në qytetin Harkov, se nëna e saj ka vazhduar të marrë ushqim gjatë ditës së sotme, pas kërkesës së mbështetësve të saj.

Tymoshenko e kishte filluar grevën e urisë më 25 nëntor, në shenjë të protestës kundër vendimit të qeverisë së Ukrainës për të mos e nënshkruar Marrëveshjen për Asocim me Bashkimin Evropian.

Sot më herët gjatë ditës, një gjykatë në Harkov, e ka shtyrë procesin kundër Tymoshenkos lidhur me akuzat e reja për evazion fiskal, deri më 27 dhjetor, për shkak të refuzimit të Tymoshenkos që të marrë pjesë në dëgjim.

Nga ana tjetër, persona të panjohur e kanë sulmuar avokatin e saj, Serhiu Vlasenko, brenda ndërtesës së gjykatës, duke ia hedhur në fytyrë një antiseptik të gjelbër.

Vlasenko, që kaloi pa ndonjë lëndim, ka kërkuar hetime lidhur me këtë sulm.

Tymoshenko është në vuajtje të dënimit me burg prej 7 vitesh, për shkak të keqpërdorimit të pozitës.

Gjatë procesit gjyqësor ajo i kishte hedhur poshtë akuzat, duke thënë se ato ishin të motivuara politikisht.
XS
SM
MD
LG