Ndërlidhjet

Kiev: Qeveria i vazhdon lidhjet me Rusinë derisa protestohet


Foto e kombinuar nga protestat në Kiev të Ukrainës

Foto e kombinuar nga protestat në Kiev të Ukrainës

Qeveria e Ukrainës i ka vazhduar përpjekjet për lidhje më të afërta me Rusinë, derisa protestuesit mbesin të tubuar në pjesën qendrore të kryeqytetit Kiev, duke kërkuar afrim me Bashkimin Evropian.

Presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovich, derisa kthehej nga vizita në Kinë, dje është takuar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në pushimoren ruse, Soçi.

Kryeministri i Ukrainës, Mykola Azarov, tha se bisedimet ishin të fokusuara në propozim-tekstin e asaj që ai e cilësoi si “marrëveshje e madhe strategjike për partneritet”, që synon eliminimin e dallimeve në politikat tregtare dhe ekonomike.

Në Moskë, Dmitri Peskov, zëdhënës i presidentit Vladimir Putin, tha sot se është biseduar për “bashkëpunim në energji” dhe ka shtuar se “nuk është arritur marrëveshje finale”.

Njëherësh, në kryeqytetin Kiev, kampioni botëror në boks dhe njëri nga liderët opozitarë, Vitaliy Klitschko, u tha demonstruesve se qeveria e presidentit Yanukovich, i ka penguar shpresat se shtetasit e Ukrainës do të “fillojnë të jetojnë në vendin evropian ku ndërmerren reforma”.

Protestat masive në Ukrainë filluan muajin e kaluar, pasi Viktor Yanukovich e refuzoi nënshkrimin e Marrëveshjes për Asocim dhe Tregti me Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG