Ndërlidhjet

logo-print
Kompanitë e mëdha tregtare në Kosovë, në prag të festave të fundvitit, kanë filluar një fushatë marketingu, me anë të cilës informojnë qytetarët për produkte të ndryshme, në të cilat kanë bërë zbritje të mëdha, apo edhe ofrojnë lojëra të shumta shpërblyese në rast të blerjes në ato markete.

Por, kjo fushatë marketingu nga përfaqësues për mbrojtje të konsumatorit dhe nga qytetarët konsiderohen të jenë të ekzagjeruar dhe në shumë raste të rrejshme e agresive.

Qamil Nika, qytetar nga Prishtina, me profesion teknik i makinerisë, tregon raste të shumta kur ai dhe familja e tij, kanë hasur në marketing të rrejshëm që kanë bërë kompanitë tregtare.

“Këto reklama që i shpërndajnë në formë të fletushkave duke i vendosur në vetura, në shtëpi, banesa apo edhe përmes televizioneve janë reklama të rrejshme. Një rast që i ka ndodhur djalit tim në dy vende ku ai ka shkuar për të blerë. Kur ka shkuar të marrë një produkt në çmimin reklamues ka qenë ndryshe, ndërkaq kur ka shkuar në arkë për të paguar, ka qenë 4 euro më shtrenjtë. Pse ata për vete po dinë t’i rregullojnë çmimet e jo për ne, po na mashtrojnë çdo herë”, shprehet Nika, 60 vjeçar.

Në raste të tilla ka hasur edhe Artan Krasniqi, student në njërin nga fakultete private në Prishtinë.

Ai thotë se nuk ka asnjë dyshim se marketingu i kompanive tregtare në të shumtën e rasateve është tërheqës për konsumatorin, por në të njëjtën kohë është edhe mashtrues.

“Pasi që ta kryen blerjen dhe e merr kuponin dhe kur të shkosh në shtëpi bën një rishikim, e sheh që shumica e çmimeve nuk janë reale nga ajo që kanë prezantuar në reklama. Në shumë produkte përfitojnë kompanitë. Në këso raste duhet vepruar shteti, pasi që është mashtrim ndaj qytetarit”, thotë ai.

Në Kosovë, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë funksionon Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit të cilët në bazë të kornizës ligjore harton dhe siguron zbatimin e legjislacionit në fushën e mbrojtjes së konsumatorit.

Ata janë përgjegjës për mbikëqyrjen e kompanive dhe ndëshkimit në rastet kur bëhet marketing i rrejshëm.

Arton Demolli, zyrtar i lartë për mbrojtjen e konsumatorit, nuk mohon rastet kur kompani të mëdha tregtare janë identifikuar se kanë bërë reklama me çmime të rrejshme.

“Po nuk kisha përmendur konkretisht ndonjë subjekt po ka prej të gjitha operatorëve që ofrojnë shërbime apo mallra që ndodh ndonjëherë të bëjnë shkelje që nuk përputhen çmimet dhe inspektorati merr masa sipas procedurave dhe e procedon lëndën në gjyq”, bën të ditur Demolli.

Sipas Ligjit për Mbrojtje të Konsumatorit në Kosovë, konsiderohet mashtruese dhe dënohet ne qoftë se një kompani bën një reklamë e cila përmban informata të pasakta, dhe rrjedhimisht ka mundësi të mashtrojë konsumatorin e rëndomtë, i cili në bazë të praktikes së tillë merr vendim të cilin përndryshe nuk do ta ndërmerrte.

Po ashtu, sipas Ligjit, konsiderohet praktikë ndëshkuese edhe pohimi i pavërtetë, se mallrat do të jetë në dispozicion vetëm në periudhë shumë të kufizuar dhe udhëzimet për konsumatorët që menjëherë të marrin një vendim për blerje, duke ju mohuar atyre mundësinë për t’iu dhëne kohë që të marrë një vendim të bazuar në rrethanat tjera.

Gjobat për ato kompanitë të cilët identifikohen se kanë bërë reklama mashtruese, sipas Ligjit për Mbrojtjen e konsumatorit janë prej njëmijë euro deri në tremijë euro.

Sidoqoftë, kryetari i Organizatës Joqeveritare “Konsumatorit”, Selatin Kaçaniku në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se mekanizmat për mbrojtjen e konsumatorit dhe mbikëqyrjen e tregut nuk veprojnë.

“Ne kemi elemente edhe të konkurrencës jo formale, kemi element të reklamave mashtruese, ka shuam elemente që meritojnë kontroll të rreptë në fundvit. Konsumatori në Kosovë udhëhiqet nga reklamat mashtruese dhe i fundit e kupton që e gjithë kjo është e dëmshme për të”, vlerëson Kaçaniku.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG