Ndërlidhjet

Tensionimi i raporteve ndëretnike - përgjegjësi e Qeverisë


Maqedoni...

Maqedoni...

Raportet ndëretnike tensionohen sa herë që Maqedonia përballet me raportin negativ nga Brukseli dhe njëherësh bllokimin e procesit të integrimit dhe përderisa këto ngjarje nuk ndriçohen tërësisht përgjegjësia mbi ata që aktualisht janë pjesë e skenës politike, gjegjësisht përfaqësuesit e qeverisë të cilët duhet t`i shfrytëzojnë instrumentet e pushtetit për t’i parandaluar aktet e dhunës dhe jo ato t`i vënë në funksion të vetin, theksojnë analistët politik dhe përfaqësuesit e sektorit civil.

Analisti politik nga Tetova Alajdin Demiri thotë se përderisa është më se e qartë se brenda pak ditësh Maqedonia do të përballet edhe me një dështim sa I përket procesit të integrimit, duke mos marrë datë për integrimin e vendit në BE, si teren më i përshtatshëm për të shpërqendruar vëmendjen e opinionit janë marrëdhëniet ndëretnike.

“VMRO DPMNE dhe BDI arriti që kësaj radhe vëmendjen ta zhvendos tek përmendorja e Car Dushanit, që gjithsesi paraqet provokim për shqiptarët por duhet pas parasysh se ky provokim është shumë më I madh për vetë maqedonasit, për arsye se vetë VMRO DPMNE është duke vepruar në atë skemë të mohimit ose më saktë të luhatjes së identitetit maqedonas me vjedhjet një herë antike, tani asaj mesjetare”, thekson Demiri.

Ai shton se qëllimi parësorë për krijimin e situatës së tensionuar rreth raporteve ndëretnike është krijimi i pozicioneve më të mira për të dy partitë në pushtet para zgjedhjeve që priten të realizohen në mars, ata presidenciale me gjasë dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Nga ana tjetër Aleksandar Cvetkovski nga organizata joqeveritare AGTIS konsideron se në mungesë të kushteve për realizimin e qëllimeve individuale të qytetarëve, që nënkupton, një jetë më e mirë, arsimim cilësorë, ofertë për punë të sigurt është e natyrshme që shpëtimi të shihet vetëm në partitë politike, kultivimin e nacionalizmit dhe identifikimin me kombin.

“Të gjitha partitë politike kur janë në pushtet dëshirojnë që populli të merret me problemet ndëretnike dhe mos përqendrohet në ato ekonomike . Sepse nëse do të flitej për ekonomi, atëherë do të duhej tu përgjigjeni pyetjeve të parashtruara, për shembull pse keni harxhuar kaq ose aq para, pse nuk ka investime të huaja ose do të duhet të sqaroni pse ekonomia e vendit nuk mund të shpëtojë nga kthetrat e politikës dhe shumë pyetje të tjera për të cilat nuk duan të përgjigjen politikanët”, thekson Cvetkovski.

Ndërkaq, analisti nga Tetova Alajdin Demiri thotë se partitë politike në pushtet VMRO-DPMNE dhe BDI kanë dëshmuar në më shumë raste se arrijnë të mbajnë në kontroll absolut tensionimin e situatave me karakter ndëretnik, duke filluar nga ngjarjet që në kalanë e Shkupit, rrahjet e fëmijëve në autobusët urban dhe gjatë ndeshjeve sportive, deri në këto zhvillimet e fundit me vendosjen e përmendores së Car Dushanit në qendër të Shkupit.

“Intelektualët dhe Organizatat e ndryshme joqeveritare pothuajse nuk kanë kurrfarë tereni për të vepruar, sektori civil duke qartë se nuk ka fuqi për të vepruar gjersa intelektualët nuk I dëgjon askush, kështu që qëndrimi tyre mbetet si një zë i vetmuar kundrejt bërthamës se çka në të vërtetë ndodh në Maqedoni sepse këta struktura nuk dëgjohen po në vazhdimësi margjinalizohen” thekson Demiri.

Ndryshe pas tentimit për të rrëzuar përmendoren e Car Dushanit dy net më parë nga një grup qytetarësh si dhe protestave të djeshme dhe iniciativës për ta mbuluar me pëlhurë të zezë që simbolizon turpin për institucionet shtetërore, sot forca të shtuara të policisë maqedonase janë përqendruar rreth përmendores për të parandaluar çfardolloj veprimi që mund të ndërmerret nga qytetarët shqiptarë të cilët ndjehen të ofenduar me vendosjen e kësaj përmendoreje.

Ndërkohë, gjersa të gjitha institucionet Ministria e Kulturës dhe Qyteti i Shkupit kanë refuzuar të marrin përgjegjësinë se kush e vendosi përmendore Car Dushanin, kryetari i aktual i komunës Qendër Andrej Zhernovski ka theksuar se kamerat e sigurisë të Ministrisë së Brendshme mund të zbardhin të vërtetën, kuptohet nëse këtë e dëshirojnë autoritetet shtetërore.

“Shihet qartë se kush e porositi dhe kush e vendosi përmendoren e Car Dushanit, edhe pse një përmendore e tillë nuk ishte paraparë në vendimin e miratuar nga përbërja e kaluar e këshillit komunal të komunës Qendër. Për të mos manipuluar me opinionin, ministrja e MPB-së, Gordana Jankullovska vetëm të lejojë të shikohen kamerat që janë vendosur në shesh dhe rreth Qendrës Tregtare të Qytetit”.

“Materiali në video do të tregojë se kush ka vendosur fshehtas përmendoren e Car Dushanit. Atëherë ministrja e kulturës nuk do të mund të shmangë përgjegjësinë në adresë të dikujt tjetër”, është shpehur kyetari i Komunës Qendër Andrej Zhernovski, duke e cilësuar si ilegale vendosjen e përmendores së Car Dushanit bë urën Syri, me që siç ka nënvizuar vendosja e saj nuk figuron në vendimet e komunës.
XS
SM
MD
LG