Ndërlidhjet

Politika, burim i korrupsionit


Treni i korrupsionit
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:01 0:00

Treni i korrupsionit

Kosova është e zhytur thellë në korrupsion dhe nuk ka indikacione që institucionet kompetente po ndërmarrin masa për të luftuar këtë dukuri negative.

Kështu deklaruan disa nga pjesëmarrësit në konference e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës “Si e gjen Kosovën dita ndërkombëtare kundër korrupsionit”.

Merita Mustafa, menaxhere e programit Transparenca dhe Anti- Korrupsioni në KDI, konsideron se për korrupsionin vazhdon të flitet shumë por veprimet nuk ka. Ajo u bëri thirrje të gjithë institucioneve përgjegjëse që t’i lënë anash interesat personale dhe t’i ndërmarrin masat për ndërtimin e kapaciteteve në luftën kundër korrupsionit.

“Për të adresuar pikat e dobëta ndaj këtij fenomeni mendojmë se duhet një vëmendje shumë më e madhe e institucioneve të ndjekjes dhe nuk janë të rralla raste kur ne i kemi denoncuar, por institucionet e ndjekjes nuk përgjigjen fare, apo janë shumë të ngadalta për t'u përgjigjur. Kosova duhet të përcaktojë luftën kundër korrupsionit si një nga prioritetet e para për shoqërinë tonë”, tha Musatafa.

Mustafa tha po ashtu se jo veç organizata dhe raporte vendore kanë treguar që korrupsioni është në nivel të larë, por edhe shumë raportet të tjera ndërkombëtare kanë treguar se Kosova vuan shumë nga kjo dukuri.

Zonja Mustafa kritikoi ekzekutivin duke se thënë se “qeveria në vend se të veprojë për të luftuar korrupsioni dhe t’i analizojë raportet ndërkombëtare, ajo shpenzon kohë duke hartuar strategji për devalvimin e atyre raporteve”.

Në këtë debat edhe pse, siç u tha, kanë qenë të ftuar zyrtarët qeveritarë, ata nuk ishin të pranishëm.

Nga ana tjetër, kryesuesi i Këshilli Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, tha se sa i takon çështjes së luftimit të korrupsionit në gjyqësor ka progres, por ai tha se edhe në këtë rrafsh ka ende punë për t'u bërë.

Peci ka sqaruar se gjyqësori kosovar, nuk përballët me lëndët që kanë të bëjnë me organizmin e krimeve të rënda dhe korrupsionin e nivelit të lartë, kjo kompetencë i takon misionit evropian për sundimin e ligjit EULEX.

Kurse, sa u takon rasteve më të lehta tha ai, ato shqyrtohen.

Në gjykatat tona përballemi me disa vepra penale që kemi klasifikuar si vepra penale korruptive, mirëpo ato për nga pesha dhe niveli që janë të akuzuar në gjykatat tona, nuk janë të peshës së madhe që mund të ketë një publicist të madh. Në kuptimin e përgjithshëm, luftimi i korrupsionit duhet të ndërlidhët me vet institucionin dhe duhet të ndiqet nga vendi ku, kush punon. Në ketë vit ne kemi tre suspendime të zyrtarëve”, theksoi Peci.

Sipas raportit të fundit të organizatës Transparency International, sistemi i drejtësisë në Kosovës është me i korruptuari duke i pasuar nga subjektet politike e administrata publik.

Kurse, prokurori Besim Kelmeni i pranishme në debat, i cili foli në emër të Prokurorisë së Shtetit, tha se po ndërmerren masa dhe po krijohen strategji të ndryshme por, sipas tij po mungojnë veprimet.

“Në kohën e fundit Prokuroria e Shtetit ka ndërmarr disa hapa për luftimin e korrupsionit. Unë prapë dua të them se ne nuk jemi të kënaqur vetëm me strategjitë dhe planet e veprimet që nxirren, jo vetëm nga institucionet e ndryshme në Kosovë, por edhe nga vetë ne, për shkak se strategjitë dhe planet e veprimit janë vetëm letra të cilat vetvetiu nuk merren me luftimin e korrupsionit, por janë njerëzit”, tha Kelmendi.

Kurse drejtori ekzekutiv i Organizatës për Demokraci dhe Anti-Korrupsion "Çohu", Avni Zogiani theksoi se korrupsioni në Kosovë burimin e ka në politikë.

“Baza e mos hetimit të rasteve është të përfshirja e politikës e pastaj racionali i mos përndjekjes së politikës ka lidhje, për mendimin tim, me procesin negociator, sepse prapë po e përsëris, je i supozuar t'i ndjekësh të njëjtit njerëz nga të cilët varen negociatat. Këtë duhet ta themi, nuk ka nevojë të frikësohemi. Derisa EULEX-i ka rolin kryesor në hetimin e korrupsionit, nuk e besoj që do të ketë ndonjë rast të rëndësishëm të korrupsionit para drejtësisë”, tha Zogiani.

Organizata “Transparency International” që bën matjen e indeksit të perceptimit të korrupsionit në 177 shtete, Kosovën e ka renditur në “zonën e kuqe” të korrupsionit duke zënë vendin e 111.

Përkundër përpjekjeve të vazhdueshme institucionale korrupsioni në Kosovë mbetet njeri prej problemeve më shqetësues në shoqërinë kosovare.

Mosmarrja e hapave të fuqishëm kundër korrupsionit, kjo dukuri rrezikon funksionimin e shtetit të së drejtës dhe ndikon negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve, thuhet në një analizë të Agjencisë Kundër Korrupsion, mbi ndjekjet dhe gjykimet që kanë të bëjnë me korrupsion.

Në analizë thuhet po ashtu se Kosova ka ndërmarrë veprime konkrete në hartimin e korniza ligjore kundër korrupsionit, por siç thonë ata veprimet konkrete mungojnë.

Ndryshe, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), me rastin e shënimit të kësaj dite, ka organizuar një performancë në sheshin “Skënderbeu”, ku nëpërmjet një treni ka paraqitur nivelin e lartë të korrupsionit në vend.

Lokomotiva e trenit ka paraqitur Qeverinë, ndërsa vagonët tjerë kanë paraqitur nivelin e mëtejmë të korrupsionit në sistemin gjyqësor, Kuvend dhe komuna.

Në të njëjtën kohë, një grup i personave me fanella që pasqyronin organet e drejtësisë, duke lozur letra, kanë paraqitur indiferencën ndaj fenomenit të korrupsionit që po i rrethon.
XS
SM
MD
LG