Ndërlidhjet

logo-print

Institucionet jotransparente shkaktojnë probleme


Qeveria e Maqedonisë dhe institucionet e saj janë të fundit në rajon për sa i përket transparencës në punë. Ato janë të mbyllura për publikimin e aktiviteteve të tyre në opinion, veprim ky që çon edhe në humbjen e besimit të tyre nga qytetarët.

Të dhënat e këtilla ditë më parë u prezantuan nga organizata joqeveritare “Most”, pas një hulumtimi të kryer mbi transparencën e qeverive në rajon.

“Sipas rezultateve nga hulumtimi, ministritë kanë publikuar më së paku informacione sa i përket çështjeve buxhetore, pjesëmarrjen e palëve të interesuara në krijimin e politikave, qasjes tek informatat e karakterit publik e kështu me radhë. Me këtë Qeveria e Maqedonisë ndodhen në pozitën e fundit sa i përket transparencës me 36 % të realizmit të indikatorëve".

"Ky konstatim bazohet në mungesën e të dhënave në ueb faqet e qeverisë dhe të ministrive përkatëse. Nga të gjitha ministrit, vetëm ajo për punë të brendshme ka publikuar nënshkrimin e një marrëveshja për furnizime publike ndërsa vetëm Ministria për shoqëri informative ka publikuar planin e furnizimeve publike për vitin 2013”, thotë Darko Aleksov nga organizata “Most”.

Sipas tij, të gjitha institucionet tjera nuk kanë qenë thuajse fare transparente në punën e tyre ashtu siç kërkohet me ligjet aktuale.

Se institucionet janë jotransprsante dëshmon edhe rasti i ditëve të fundit me përmendoren e Car Dushanit në qendër të Shkupit, që shkaktoi protesta dhe tensione ndëretnike, thotë Qafish Bakiu, analist dhe profesor i shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Asnjë nga institucionet tani disa ditë nuk deklarohet se cila prej tyre ka miratuar vendimin për ngritjen e përmendores.

“Ne kemi situata të krijuara në të cilat për sendet më elementare nuk kemi transparencë. Nuk ka transparencë të veprimit në radhë të parë. Shembull, rasti i para disa ditëve i vendosjes në qendër të Shkupit të një monumenti (përmendores së Car Dushanit) ndërsa organet kompetente nuk çajnë kokën për asnjë moment për të dhënë informacionin qoftë edhe më të vogël se cili institucion, cila organizatë, apo individ e ka vendosur atë monument”, thotë Bakiu.

Ai vlerëson se situata e tanishme dhe mos transparenca e institucioneve është edhe një dëshmi se strukturat udhëheqëse fatkeqësisht ende nuk janë çliruar nga mentaliteti i regjimit të kaluar, pra, sipas Bakiut, ato ende nuk e kuptojnë se janë në shërbim të qytetarëve dhe jo të strukturave të caktuara udhëheqëse.

“Këto janë karakteristika të shoqërive respektivisht të strukturave udhëheqëse të vendeve të cilat kanë ngelur thellë në tranzicion. Ky veprim më shumë i ngjan një forme të sistemit të kaluar dhe thjesht e veshur me petkun gjoja të demokracisë. Situata aktuale është shqetësuese pasi nuk ka asnjë element për të menduar se institucionet do të hapen kundrejt qytetarit”, thotë Qashif Bakiu, ligjërues në Universitetin Shtetëror të Tetovës

Nga organizata “Most”, e cila ka publikuar hulumtimin si pjesë e një raporti rajonal kanë ofruar ndihmën e saj për të përmirësuar gjendjen.

Ajo fillimisht u sugjeron ministrive që të publikojnë planet e tyre të punës, të dhënat mbi furnizimet publike, mbi buxhetin e çështje tjera që kanë të bëjnë me opinionin ndërsa nga qeveria që të publikoj në ueb faqen e saj të gjitha konkluzionet nga seancat e mbajtura.

Ndërkohë, në një hulumtim tjetër të qendrës për hulumtim dhe krijimin e politikave thuhet se qytetarët dëshirojnë institucione të hapura dhe transparente, por 80 për qind e te anketuarve, thonë se kjo vështirë se do të ndodhë për shkak të mungesës së vullnetit, por edhe mos pasjes mekanizmave nga ana e tyre për kontrollin e punës së pushtetit.
XS
SM
MD
LG