Ndërlidhjet

logo-print

Ukrainë: Zyrtarja amerikane i ka filluar bisedimet me opozitën


Pamje nga përleshjet e policisë dhe protestuesve në Kiev

Pamje nga përleshjet e policisë dhe protestuesve në Kiev

Derisa qindra protestues vazhdojnë të qëndrojnë në Sheshin e Pavarësisë në qendër të kryeqytetit Kiev në Ukrainë, duke e kundërshtuar veprimin e presidentit Viktor Yanukovich, që ta refuzoj afrimin me Bashkimin Evropian, në këtë vend kanë arritur edhe zyrtarë të lartë ndërkombëtarë.

Ndihmës sekretarja amerikane e shtetit, Viktoria Nuland, i ka filluar bisedimet me përfaqësuesit e opozitës në Kiev, ndërsa shefja për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, pritet që të takohet me zyrtarë qeveritarë, politikanë opozitarë dhe aktivistë civilë.

Nga ana tjetër, presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovich, i ka hapur takimet e jashtëzakonshme lidhur me protestat, në kuadër të të cilave po diskuton për këtë krizë me ish-presidentët e Ukrainës, Leonid Kuchma, Leonid Kravchuk dhe Viktor Yushchenko.

Pas këtyre bisedimeve, do të mbahet një “tryezë e rrumbullakët” e zgjeruar ndërmjet autoriteteve, shoqërisë civile dhe opozitës.

Protestat disajavëshe kulmuan ditën e diel, kur qindra mijëra vetë demonstruan në Kiev.
XS
SM
MD
LG