Ndërlidhjet

Përpjekje diplomatike për krizën në Ukrainë

  • RFE /RL

Mijëra protestues po vazhdojnë të qëndrojnë në rrugët e Kievit për të tretën javë rresht, të pakënaqur me presidentin Viktor Yanukovych, i cili refuzoi paktin e shumëpritur me Bashkimin Evropian, ndërsa në anën tjetër nisi përafrimin me Rusinë.

Shefja e diplomacisë evropiane Catherine Ashton do të mundohet të gjejë një rrugëdalje nga kriza, gjatë vizitës së saj dy ditore në Ukrainë.

Përveç saj në Kiev, tashmë po qëndron edhe asistentja e sekretarit amerikan të shtetit Victoria Nuland, e cila ka planifikuar takime me presidentin Yanukovych.

Diplomatja amerikane, zhvilloi sot takime me tre krerët opozitarë – Arseniy Yatsenyuk, Vitaly Klitschko dhe Oleh Tyahnybuk, të cilat tha se ishin frytdhënëse.

"Kishim takime shumë produktive me liderët e lartë të opozitës. Shtetet e Bashkuara do të vazhdoj të qëndroj e angazhuar. Ne po punojnë ngushtë me Bashkimin Evropian për të rikthyer paqen, dinjitetin njerëzor, rrugën për në Evropë dhe stabilitetin ekomomik këtu”, tha Nuland.

Përpjekje do të bëjë sot edhe vet Yanukovych, i cili ndërkohë, ka takim me tre ish-presidentët e Ukrainës -- Leonid Kravchuk, Leonid Kuchma, dhe Viktor Yushchenko.

Të hënën, Yanukovych lajmëroi se ka pranuar një plan për të mbajtur “tryezë kombëtare” me opozitën, për të nxjerr vendin nga kriza.

Përkundër zotimeve të tij, të hënën mbrëma gjendja përshkallëzoi, kur policia bastisi shtabin e partisë opozitave Batkivschyna (Atdheu), duke konfiskuar serverët e kompjuterëve dhe pajisje të tjera.

Ministria e Brendshme ka lëshuar një komunikatë më vonë, duke thënë se po heton dyshime për mashtrime me pronë.

Kryetari i partisë, Arseniy Yatsenyuk sfidoi autoritetet për këtë operacion.

"Nëse presidenti Yanukovych beson se mund të zgjidh krizën politike në Ukrainë me ndihmën e agjencive të rendit dhe forcat speciale të policisë Berkut, ta dijë se e ka shumë gabim, sepse 10 mijë policë Berkut nuk mund të zgjidhin problemin me të cilin po përballen 45 milion banorët e këtij shteti. Nëse ai mendon se mund të na frikësoj, me bastisje dhe arrestime, ta dijë se as kjo nuk e çon askund”, tha kryetari i partisë opozitare Atdheu.

Yatsenyuk ftoi opozitën që të qëndrojë në Sheshin e Pavarësisë, ku në vend tani qëndron një kamp i madh me protestues.

Gjetiu, policia ka shpërbërë ose ka bllokuar disa kampe të vogla me protestues, që gjendeshin pranë ndërtesave kyçe qeveritare në qytet.

Gjatë natës, ndërkaq, është raportuar një numër i përleshjeve ndërmjet policisë dhe protestuesve.

Ushtruesi i detyrës të shefit të policisë në Kiev, Valeriy Mazan i tha gazetarëve të martën se dy policë janë lënduar gjatë përpjekjeve për të larguar barrikadat në rrugë dhe tendat e protestuesve gjatë natës.

Sipas tij, asnjë protestues nuk është arrestuar gjatë këtij operacioni.

Lideri i partisë tjetër opozitare Grupi Svoboda (Liria), Oleh Tyahnybok, tha se gjatë përleshjeve të mbrëmshme, disa protestues janë lënduar nga policia.

Bastisjet dhe përpjekjet e pushtetit për të demoluar kampet e protestuesve, janë dënuar ashpër nga perëndimi.

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara Joseph Biden “ka shprehur shqetësim të thellë” për gjendjen në Kiev, gjatë një bisede telefonike që zhvilloi me presidentin Yanukovych.

Pak para se të aterojë në Kiev, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton ndërkaq ka vlerësuar se këto ngjarje “e rrezikojnë seriozisht” mundësinë për gjetjen e një kompromisi.

Ndërkohë, përfaqësuesja e administratës amerikane Viktoria Nuland është takuar me zyrtarët rus të hënën në Moskë, për t’i kërkuar Kremlinit që të ushtrojë ndikim dhe të shtyjë përpara përpjekjet e perëndimit për një zgjidhje politike në Ukrainë.

Të dielën, qindra mijëra protestues që bënë thirrje për zmbrapsjen e Yanukovych u bënë bashkë në Kiev, për të rrëzuar bustin e liderit sovjetik Vladimir Iliq Lenin.

Organizata jo-qeveritare “Freedom House” vlerëson se i vetmi opsion paqësor për të zgjidhur krizën në Ukrainë, është që presidenti Viktor Yanukovych të japë dorëheqje.(f.aliu)
XS
SM
MD
LG