Ndërlidhjet

CSM: Mandela i përket botës


Martin Luther King ka thënë: Nëse një njeri nuk zbulon diçka për të cilën do të vdiste, ai nuk është i aftë për të jetuar. Nelson Mandela ka qenë njeriu që ka ushqyer idealin për një shoqëri të lirë – një ideal që ka proklamuar në gjyqin e tij më 1964 në Pretoria, ideal për të cilin ka shpresuar të jetëojë, por nëse është e nevojshme edhe të vdesë.

Kështu nis shkrimin e përditshmja amerikane Christian Science Monitor.

Sipas saj, Mandela ka vdekur ashtu siç ka jetuar gjithmonë, si një shpirt i lirë. Ai nuk ka qenë as komandant i ushtrive të mëdha, as perandor i tokave të mëdha. Nuk mund të mburret për arritje shkencore ose dhurata artistike.

Megjithatë, burra, gra dhe fëmijë nga e gjithë bota i kanë bërë homazhe këtij njeriu të guximshëm, i cili ka udhëhequr vendin e tij drejt demokracisë.

Vdekja e Nelson Mandelës sinjalizon fundin e një epoke jo vetëm për Afrikën e Jugut, por për gjithë botën, shkruan Christian Science Monitor.

Ai ka lënë pas trashëgimi të shumta. Mandela nderohet në mbarë botën si simbol i paqes.

Parimet e tij për pajtimin dhe drejtësinë jondëshkuese janë burim i madh i frymëzimit për aktivistët e të drejtave të njeriut dhe luftëtarët e lirisë në gjithë botën.
Filozofia e tij e faljes mund të shfrytëzohet për tranzicionet e ardhshme në vendet si Irani dhe Siria.

Sipas gazetës, gjeni e Mandelës ka qenë aftësia e tij për të bindur vendasit zezakë dhe të bardhë për të ndarë të ardhme të përbashkët.

Ai ka qenë karizmatik me forcën e tij të karakterit, duke luftuar për atë që ka besuar se është e drejtë dhe e ndershme, kundër sundimit autoritar të të bardhëve të Afrikës së Jugut dhe me fuqinë e përulësisë dhe modestisë.

Krahasimi me Mahatma Gandhin është i pashmangshëm, jo vetëm pse Mandela ka thënë vetë se është frymëzuar nga Gandhi, por pse ky i fundit ka jetuar dhe luftuar në Afrikën e Jugut nga viti 1893 deri më 1914.

Sikurse Mandela gjysmë shekulli më vonë, Gandhi ka qenë i nënshtruar ndaj sjelljes raciste të të bardhëve dhe ka organizuar një luftë të padhunshme për të drejtat e indianëve në Afrikën e Jugut.

Sikurse Gandhi, Mandela ka shërbyer si busullë morale për popullin e tij dhe, ndryshe nga shumë politikanë dhe aktivistë, ai ka piketuar gjilpërën e asaj busulle drejt faljes.

“Nëse ka ëndrra për një Afrikë të bukur të Jugut, ka po ashtu rrugë që çojnë në qëllimin e tyre. Dy prej këtyre rrugëve mund të quhen mirësi dhe falje”, kujton gazeta fjalët e Mandelës.

Nelson Mandela ka frymëzuar botën me besimin e tij në të vërtetën dhe drejtësinë për gjithë njerëzimin. Jeta e tij ka qenë mesazh – mesazh kundër dhunës drejt pushtetit, mesazh për të gjetur mënyrat për shkrirjen e dallimeve dhe mesazh për të jetuar në harmoni, me respekt dhe dashuri madje edhe për armiqtë tanë.

Mandela nuk i përket vetëm Afrikës së Jugut, por gjithë botës, shkruan Christian Science Monitor.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG