Ndërlidhjet

logo-print

Kosova larg vendeve që respektojnë të drejtat e njeriut


Ilustrim

Ilustrim

Në Kosovë nuk ka respektim të duhur të të drejtave të njeriut, thonë përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave që mbrojnë këto të drejta.

Ata me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, theksuan se mosrespektimi i të drejtave të njeriut, në rend të parë, vjen si pasojë e moszbatimit të instrumenteve ligjore të miratuara në Kuvendin e Kosovës.

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi tha për Radion Evropa e Lirë se mosrespektim të të drejtave të njeriut ka në shumë fusha.

Ne, nuk jemi vendi me pozitën me të keqe të të drejtave të njeriut ne botë. Larg jemi prej atyre vendeve që u lakmojmë sa i takon respektimit të drejtave te njeriut edhe mendoj një përcaktim i tillë është pak i rrezikshëm". "

Ajo që unë mendoj është se nuk po i shtjerrim të gjitha mundësitë për ta ngritur nivelin e të drejtave të njeriut në Kosovë. Mendoj se si shoqëri ose si institucione bëjmë pak”
, tha Kurteshi.

Kurteshi përmendi statistikat që ka zyra e Avokatit të Popullit dhe tha se shkeljet më të mëdha ndodhin nga ana e gjyqësorit dhe ekzekutivit.

“Gjyqësori, edhe ekzekutivi, natyrisht qeveria, qoftë në nivel qendror apo komunal na dalin si shkelësit më të mëdhenj. Duhet të shikohet se çfarë shkeljesh janë, të çfarë natyre janë. Unë mendoj se ne si institucion paraqesim vetëm një pasqyrë selektive".

"Dhe unë mendoj se gjendja në përgjithësi në shoqërinë kosovarë është pak më e keqe se sa ne mund ta shpërfaqim në raportet tona”
, tha avokati Kurteshi.

Kurse, drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, konsideron se Kosova në aspektin teorik ka arritur që të mbrojë të drejtat e njeriut duke miratuar ligje, por në praktikë shkeljet e të drejtave të njeriut janë të shumta.

“Të drejtat e njeriut kryesisht shkelen nga institucionet. Kosova me një ndarje politike, pasiguri politike, me një brishtësi të brendshme, me një sovranitet të munguar, me një gjendje të rëndë ekonomiko-sociale ku kemi afër 60% të papunë, 65% të varfër".

"Pastaj me një ndjenjë të mungesës se ardhmërisë nuk është shembull i mirë se duhet të respektohen të drejtat e njeriut dhe nuk figuron garancion për respektimin e tyre
”, tha Shala për Radion Evropa e Lirë.

Edhe drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj thotë se me shumë dokumente të drejtat e njeriut në Kosovë janë të garantuara, por ato nuk zbatohen, dhe si pasojë ka shkelje të të drejtave të njeriut.

“Kosova çalon shumë. Kemi probleme të mëdha, sidomos çështja e personave të zhdukur është një çështje që mbetet e pazgjidhur për një kohë të gjatë. Gjithashtu çështja e mos procedimit të mjaftueshëm të lëndëve për krime lufte është diçka për të cilën ne shqetësohemi. Edhe mbrojtja e të drejtave të pakicave, nuk e kam fjalën vetëm për komunitete etnike, po gjithashtu edhe komuniteti LGBT”, tha Blakaj.

Përveç organizatave vendore edhe ato ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut, disa herë radhazi kanë tërhequr vërejtjen për mosrespektim të duhur të të drejtave të njeriut në Kosovë.

Organizatat ndërkombëtare, kryesisht kanë përmendur dështimet në sistemin e drejtësisë dhe mungesën e zbatimit të ligjeve në fuqi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Prishtinë janë organizuar debate dhe aktivitete të ndryshme.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, në një kolegj universitar ka shfaqur filmin kushtuar Nelson Mandelës, ndërsa misionit i OSBE-së e shënon këtë ditë me një ekspozitë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG