Ndërlidhjet

logo-print

SHBA arrin marrëveshje për buxhetin

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Negociatorët e Kongresit kanë arritur një marrëveshje dypartiake për shpenzimet, e cila do të zvogëlojë me modesti deficitin buxhetor të Shteteve të Bashkuara, pa rritje të taksave.

Marrëveshja e propozuar financon qeverinë për dy vjet dhe redukton deficitin për 23 miliardë dollarë.

Ajo, po ashtu, shmang një mbyllje tjetër të qeverisë më 15 janar, kur qeverisë t’i shteren financat.

Senatori demokrat, Patty Murray, dhe përfaqësuesi republikan, Paul Ryan, të cilët janë paraqitur para gazetarëve për të shpallur marrëveshjen buxhetore prej 85 miliardë dollarësh, e kanë portretizuar atë si fillim të një epoke të re.

“Për kohë të gjatë, kompromisi është konsideruar fjalë e pistë”, ka thënë Murray, kryetar i Komitetit të Senatit për Buxhet, duke shtuar se pasiguria e krijuar gjatë tre vjetëve të fundit “ka qenë shkatërruese për rimëkëmbjen ekonomike”.

“Mendoj se kjo marrëveshje është një përmirësim i qartë i gjendjes së tanishme. Kjo marrëveshje na siguron se nuk do ta kemi skenarin e mbylljes së qeverisë në muajin janar. Na siguron se nuk do të kemi një skenar tjetër të mbylljes së qeverisë në tetor. Na siguron se nuk do të zhytemi nga kriza në krizë”,
ka thënë në anën tjetër republikani Paul Ryan.

Plani Ryan-Murray do të ulë efektin e “sekuestrimit” automatik të shpenzimeve, duke lejuar agjencitë federale dhe programet opsionale të shpenzojnë 63 miliardë dollarë gjatë dy vjetëve të ardhshëm, ndërkohë që kursime janë bërë gjetkë.

Masa po ashtu përmirëson aftësinë e Kongresit për të miratuar ligje të domosdoshme.

Dhoma e Përfaqësuesve ka të ngjarë ta hedhë marrëveshjen në votim të premten, ndërsa Senati mund ta votojë javën e ardhshme.

Presidenti Barack Obama ka thënë se marrëveshja është hapi i parë i mirë.

“Kjo marrëveshje nuk përfshin çdo gjë që unë dëshiroj. E di se edhe shumë republikanë mendojnë njësoj. Kjo është natyra e kompromisit. Por, meqë është buxheti i parë për të cilin, për herë të parë në disa vite, udhëheqësit e të dyja partive kanë rënë dakord, populli amerikan nuk do të durojë mbylljen e sërishme të qeverisë gjatë dy vjetëve të ardhshëm”, ka thënë Obama.

Marrëveshja është mirëpritur edhe nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner.

“Edhe pse modeste në shkallë, kjo marrëveshje paraqet një hap pozitiv përpara”, ka thënë ai.(v.tela)
XS
SM
MD
LG