Ndërlidhjet

logo-print

Jahjaga: Asnjë lloj ekstremizmi s'mund të zë vend në Kosovë


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë fjalimit të saj në Kuvendin e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë fjalimit të saj në Kuvendin e Kosovës

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka bërë thirrje që të mos lejohet përfshirja e të rinjve kosovar në konfliktin e Sirisë.

Në fjalimin e saj vjetor para Kuvendit të Kosovës, Jahjaga ka thënë se Kosova po sfidohet me problemin e radikalizmit.

“Ne jemi vend i vogël për të bartur pasojat e ekstremizmit të cilitdo lloj, por jemi një vend i rreshtuar qartë dhe plotësisht në anën e forcave demokratike në botë, që po synojnë të vendosin paqen dhe të largojnë diktatorë”, ka thënë me këtë rast Jahjaga.

Ajo është zotuar se “asnjë lloj ekstremizmi nuk do të mund të zë vend të sigurt në Kosovë”, duke thënë po ashtu se “Kosova nuk do të bëhet as strehimore e as eksportuese e një fenomeni të tillë”.

“Qytetarët e Kosovës nuk duhet të përfshihen në luftëra të tjera kudo në botë, qoftë për ideologji apo të mira materiale. Nuk mund të lejojmë përfshirjen e të rinjve tanë në luftëra jashtë vendit, si pjesë të grupeve radikale e ekstremiste, synimet e të cilave nuk kanë asgjë të përbashkët me qëllimin e botës demokratike dhe për të vendosur të drejtat universale të njeriut në vendet që aspirojnë lirinë e demokracinë dhe që luftojnë kundër diktaturave”, është shprehur Jahjaga.

Në këtë fjalim, presidentja ka ngritur edhe çështjen e luftës kundër korrupsionit.

Në raportin e fundit të Transparency International mbi Indeksin e Perceptimit për Korrupsionin, Kosova ka shënuar rënie, duke u radhitur në vendin e 111-të nga 106 sa ishte një vit më parë.

“Duhet t’i japim fund trendit të cilësimit të vendit tonë si një vend i korruptuar dhe me krim të organizuar, sepse nuk duam që të shohim se si po shteren mundësitë e investimeve të huaja, duke e pamundësuar zhvillimin tonë ekonomik”, ka thënë Jahjaga.

“Nuk duam të shohim se si të rinjtë tanë po ikin nga vendi në kërkim të një jete më të mirë, duke e rrezikuar qenien e tyre dhe duke rënë pre e grupeve të krimit të organizuar, që i bartin përtej vendit të tyre”, ka thënë mes tjerash presidentja Jahjaga.

Temë e pashmangshme ishte edhe marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimi i saj.

Në këtë kuadër, presidentja e Kosovës tha se kjo marrëveshje, përmes mbikëqyrjes ndërkombëtare të zbatimit, duhet të shërbejë si kushtëzim i integrimit evropian të Serbisë.

Ajo ka thënë se i kupton edhe kundërshtimet e dialogut, por ka nënvizuar se marrëveshjet dhe normalizimi janë rruga më e mirë për të ardhmen evropiane.

“Hapja e çdo kapitulli të bisedave për anëtarësim të Serbisë në BE do të duhej të vlerësohej me hapat e bërë në rrugën e zbatimit të marrëveshjes me Kosovën”, tha mes tjerash presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga.

Presidentja e Kosovës ka vlerësuar lartë edhe njëherë procesin e fundit të zgjedhjeve lokale, duke i cilësuar ato të suksesshme, sidomos për faktin se për herë të parë u mbajtën edhe në komunat veriore të banuara me shumicë serbe.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG