Ndërlidhjet

Shmangia nga tatimi, “modë” në Kosovë


Ilustrim
Ilustrim
Evazioni tatimor vazhdon të mbetet një ndër barrierat kryesore në të bërit biznes.

Sipas një analize të përgatitur nga Instituti “ Riinvest”, menaxherët dhe pronarët e bizneseve besojnë se mesatarisht bizneset në industrinë e tyre raportojnë rreth 65.6 për qind të shitjeve, që do të thotë se 34.4 për qind i shmangen deklarimit të të hyrave

Lidhur me këtë, ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit japin vlerësime të ndryshme.

Haki Shatri, ekspert i ekonomisë dhe ish-ministër i Ekonomisë dhe Financave, thotë se nga këto veprime buxheti i Kosovës humb deri në 300 milionë euro në vit. Ai, madje, thekson se Kosova është shndërruar si terren i përshtatshëm për këto dukuri.

“Buxheti dëmtohet nga këto veprime për çdo vit nga 300 milionë euro. Po të shtohen këto të hyra në buxhet, do të rritej mundësia e rritjes së të ardhurave personale, investimeve kapitale dhe mirëqenia sociale”, thotë Shatri.

Në anën tjetër, Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, pranon se evazioni tatimor ekziston dhe buxheti dëmtohet, por ai konsideron se mosdeklarimi i të hyrave arrin vetëm deri në 20 për qind.

Sipas shënimeve të Administratës Tatimore të Kosovës, por edhe shënimeve tona, ne kemi më shumë se 80 për qind të bizneseve që vetëdeklarohen, dhe ka arritur një kulturë e lartë fiskale për t’iu përgjigjur taksave dhe aktivitetet e bizneseve”, shprehet Shahini.

Ndryshe, sipas studimit të Institutit “Riinvest”, niveli i ulët i “ frikës për t’u zënë” është një përcaktues i rëndësishëm i sjelljes fiskale.

Alarmues, sipas raportit, mbetet fakti se një numër i madh i bizneseve raportojnë abuzime nga autoritetet tatimore. Kështu që bizneset gjejnë hapësirë të mjaftueshme për manovrime.

Ish ministri Haki Shatri, thotë se shumë herë korruptohet ndonjë zyrtarë i cili për një shumë të vogël e liron obliguesin prej një vlerë më të madhe, por në dëm të buxhetit.

“Edhe pse filluam të ndërtojmë një sistem të mirë tek administrata tatimore, po duket se është bërë një klimë e përshtatshme dhe si një lloj ‘mode’ që njerëzit, në nëndijen e tyre, posa ta fillojnë punën në institucionet shtetërore, nisin me këto veprime, pa e llogaritur se çka mund të përfitojë në mënyrë të paligjshme. Dhe, e konsiderojnë punë të mirë atë punë që i jep shans të keqpërdorë pozitën dhe të përfitojë në mënyrë të paligjshme”, vlerëson Shatri.

Ndryshe, Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës janë dy institucionet kryesore që ndikojnë në mbushjen e arkës shtetërore.

Madje, ekzekutivi me buxhetin për vitin 2014, ka planifikuar një rritje të të hyrave nga ATK-ja për 22 për qind, apo shprehur në vlerë 367 milionë euro.
XS
SM
MD
LG