Ndërlidhjet

Fortesa e Evropës: Refugjatët sirianë ekspozojnë turpin e BE-së

  • RFE /RL

Refugjatë sirianë

Refugjatë sirianë

Udhëheqësit evropianë duhet të ulin kokat të turpëruar për numrin e vogël të refugjatëve sirianë, që janë të përgatitur për t’i rivendosur, vlerëson Amnesty International.

Në raportin e publikuar sot “Dështimi ndërkombëtar: Kriza e refugjatëve sirianë”, organizata për të drejtat e njeriut jep detaje se si vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë hapur dyert vetëm për 12,000 refugjatë të rrezikuar nga Siria, që do të thotë 0.5 për qind e 2.3 milionë njerëzve që kanë lënë këtë vend.

“Bashkimi Evropian ka dështuar të luajë rolin e tij në sigurimin e një strehe të sigurt për refugjatët, që kanë humbur gjithçka, pos jetëve. Numri i atyre që është i përgatitur t’i vendosë, është vërtet për keqardhje. Të gjithë udhëheqësit evropianë duhet të ulin kokat e tyre të turpëruar”, ka thënë Salil Shetty, sekretar i përgjithshëm në Amnesty International.

Organizata në fjalë ka publikuar të dhënat si vijon:

• Vetëm dhjetë vende anëtare të BE-së kanë ofruar rissitemim ose pranim humanitar të refugjatëve nga Siria.

• Gjermania, deri më tash, është më zemërgjerë, duke u zotuar për marrjen e 10,000 refugjatëve ose për 80 për qind të zotimeve totale të BE-së.

• Duke përjashtuar Gjrmaninë, 27 vendet e mbetura të BE-së janë ofruar për marrjen e vetëm 1,340 refugjatëve nga Siria.

• Franca ka ofruar vetëm 500 vende ose 0.002 për qind të numrit total të njerëzve që kanë lënë Sirinë.

• Spanja është pajtuar të marrë vetëm 30 ose 0.001 për qind të refugjatëve sirianë.

• Tetëmbëdhjetë shtete anëtare të BE-së, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë, nuk kanë ofruar asnjë vend.

Derisa dimri afrohet, kushtet për 2.2 milionë njerëz që kanë ikur nga Siria në vendet fqinje janë përkeqësuar me shpejtësi, vlerëson Amnesty International.

Me vetëm 12,000 vende të ofruara nga shtetet anëtare të BE-së, refugjatët bëjnë udhëtime të rrezikshme. Dhjetëra-mijëra sish kanë arritur në Evropë, duke rrezikuar jetët në udhëtime të vështira, përmes detit ose tokës, thekson organizata.

Hulumtimi i Amnesty International tregon se ata fillimisht duhet të thyejnë barrikadat e Fortesës së Evropës. Shumë përballen me kthime të dhunshme nga policia ose rojet bregdetare, ose ndalesa për javë të tëra në kushte të mjerueshme.

Organizata kujton se qindra njerëz vdesin gjatë përpjekjeve për të kaluar Mesdheun çdo vit. Në tetor, 650 refugjatë kanë humbur jetën pasi tri anije janë përmbytur, gjatë përpjekjeve për të arritur Evropën nga Afrika e Veriut.

Mbi 10,000 refugjatë nga Siria kanë arritur përgjatë bregdetit të Italisë në dhjetë muajt e parë të këtij viti, bën të ditur Amnesty International.

Refugjatët i kanë thënë kësaj organizate se policia apo rojet bregdetare të Greqisë, me armë dhe të maskuar, i keqtrajtojnë ata, i plaçkisin dhe në fund i kthejnë në Turqi.

Numri i kthimeve të paligjshme nga Greqia është i panjohur, ndërsa Amnesty International beson se bëhet fjalë për qindra refugjatë të prekur.

“Bashkimi Evropian duhet të hapë kufijtë e tij, të sigurojë kalim të sigurt dhe të ndalojë shkeljet e tmerrshme të të drejtave të njeriut”, ka thënë Salil Shetty, nga Amnesty International.

Po sipas kësaj organizate, vetëm 55,000 refugjatë sirianë, ose 2.4 për qind e numrit total të tyre, ia kanë dalë të arrijnë në Evropë dhe të kërkojnë azil.

Shumica e atyre që kanë thyer barrikadat e Fortesës së Evropës, kanë arritur në Suedi dhe Gjermani, vendet që u kanë ofruar ndihmën më të madhe azilkërkuesve, vlerëson Amnesty International.(v.tela)
XS
SM
MD
LG