Ndërlidhjet

logo-print

Konfirmohet varreza masive në Rashkë, gjenden mbetje mortore


Rashkë - Ekipet mjeko-ligjore të Kosovës dhe Serbisë gjatë gërmimeve në varrezën masive në fshatin Rudnicë, 13 dhjetor, 2013

Rashkë - Ekipet mjeko-ligjore të Kosovës dhe Serbisë gjatë gërmimeve në varrezën masive në fshatin Rudnicë, 13 dhjetor, 2013

Gërmimet në varrezën e dyshuar masive në Rashkë të Serbisë, kanë rezultuar pozitive konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, një anëtar i ekipit kosovar në vendngjarje.

Drejtori i departamentit të mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu tha për Radion Evropa e Lirë, se mjeko-ligjorët “kanë hasur në mbetje mortore".

"Qëllimi ynë ka qenë ky, dhe i vërtetuam dyshimet tona”.

“Nuk e dimë se sa trupa mund të gjenden aty, por sipas fjalëve të Bruno Vekariq [kryeprokurorit serb për krime lufte] nga 250 deri në 450 viktima”, tha Gërxhaliu.

Sipas tij, këto gërmimet e mëtejme do të japin një pasqyrë më të mirë të gjendjes në këtë varrezë masive, dhe për këtë gjë do të duhet të punohet edhe më shumë.

Mbetjet mortore, janë gjetur në pjesën anësore të një godine që shërben si bazë e një ndërmarrjeje për rrugët, e cila më parë ishte gurëthyes.

Arsim Gërxhaliu ndërkaq thotë se tani gërmimet do të kalojnë në një fazë tjetër.

“Tash është plani B, i ndërmarrjes së hapave të tjerë, dhe kjo nënkupton se duhet të rrënohet e gjithë shtëpia”, thotë ai.

Ndryshe, sipas zyrtarëve të Prokurorisë serbe për krime lufte, kërkimet në Rudnicë të Rashkës përfshijnë gërmimet në hapësirën prej 250 metrash katrorë, në thellësi prej 6 deri në 8 metra.

Hetimi po bëhet në bazë të urdhrit të Prokurorisë për krime lufte të Serbisë, me ndihmën e Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe me praninë e anëtarëve të Komisioneve për personat e pagjetur të Kosovës dhe të Serbisë, të Komisionit ndërkombëtar për personat e pagjetur, si dhe EULEX-it.

Deri më tash, në hapësirën ku më parë ka qenë gurëthyesi në Rudnicë, janë bërë tre raunde kërkimesh; në vitin 2007, në vitin 2010 dhe në vitin 2011.
XS
SM
MD
LG