Ndërlidhjet

Ukrainë: Protestuesit shtojnë trysninë


Kiev: Tingujt e himnit në protestë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:09 0:00

Kiev: Tingujt e himnit në protestë

Demonstruesit në kryeqytetin Kiev në Ukrainë po i vazhdojnë protestat kundër vendimit të presidentit Viktor Yanukovich, muajin e kaluar, që të mos e nënshkruajë një marrëveshje për afrim me Bashkimin Evropian.

Protestuesit pro-evropianë i kanë përforcuar pozicionet e tyre në Sheshin e Pavarësisë në Kiev, për shkak të raporteve për demonstrata rivale, në mbështetje të presidentit Yanukovich, në Sheshin e Kushtetutës në afërsi.

Zëvendëskryeministri i Ukrainës, Serhiu Arbuzov, të enjten është takuar me zyrtarë të Bashkimit Evropian në Bruksel dhe ka thënë se qeveria do ta nënshkruajë Marrëveshjen për Asocim me BE-në, “së shpejti”, por nuk ka dhënë asnjë afat të mundshëm.

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fyle, tha se BE-ja është e përgatitur për t’i orfuar më tepër ndihmë Ukrainës, nëse ajo do ta kishte nënshkruar tashmë marrëveshjen për bashkëpunim dhe tregti, për të cilat janë zhvilluar negociata, dhe do të kontribuonte që Ukraina të merrte kredi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Stefan Fule, foto nga arkivi
Stefan Fule, foto nga arkivi
Por, as zoti Fyle nuk ka dhënë më tepër detaje.

“Ne nuk kemi diskutuar për të dhëna konkrete. Nevoja e parë është që të diskutohet se cilat janë kërkesat e palës ukrainase, cili është përkushtimi dhe në cilën kornizë kohore do të implementohej Marrëveshja për Asociim, e pastaj ne do ta ndërlidhnim mbështetjen tonë për këtë proces”, tha Stefan Fyle.

Opozita i ka hedhur poshtë premtimet e zëvendëskryeministrit Arbuzov, dhe vazhdon të kërkojë dorpëheqjen e presidentit Viktor Yanukovich.

Arseniy Yatsenyuk, lideri i partisë opozitare Batkivshchnya, ka vlerësuar se deklarata e Arbuzovit ishte një “shaka”.

“Duket se kjo është një shaka që nuk ka përfundim. Qeveria e Ukrainës gjithnjë premton nënshkrimin e Marrëveshjes për Asociim, por kurrë nuk i plotëson premtimet".

"BE-ja është shumë e qartë duke thënë se dera është e hapur dhe se Bashkimi Evropian është i gatshëm ta nënshkruaj Marrëveshjen për Asocim, në çdo kohë. Por, ndjenja ime është se kjo paraqet mashtrim nga qeveria”,
tha Arseniy Yatsenyuk, që ndodhej në mesin e protestuesve për BE-në në Sheshin e Pavarisë në Kiev.

Refuzimi i befasishëm i nënshkrimit të marrëveshjes me BE-në, në samitin në Vilnius të Lituanisë, më 29 nëntor, dhe shpallja e lëvizjeve për forcimin e lidhjeve ekonomike me Rusinë fqinje, ka shkaktuar protesta në favor të BE-së dhe kundër qeverisë.

Protestuesit pothuajse rregullisht e këndojnë himnin e Ukrainës në Sheshin e Pavarësisë.

Protestuesit, shumica prej tyre të rinj, dëshirojnë që Ukraina të largohet nga Rusia dhe të synojë të ardhme më prosperuese dhe demokratike në Bashkimin Evropian.


Putin dhe Yanukovich, foto nga arkivi
Putin dhe Yanukovich, foto nga arkivi
Ata po kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, zgjedhje të reja dhe lirim të protestuesve të burgosur.

Opozita ka bërë thirrje për një tubim masiv protestues të dielën në Kiev.

Ky tubim do të bëhej para vizitës së Yanukovichit në Rusi, të planifikuar për javën e ardhshme.

Javën e kaluar, Viktor Yanukovich, është takuar me me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për të diskutuar për atë që zyrtarët e Ukraniës e përshkruajnë si “marrëveshje të gjërë strategjike”, që synon eliminimin e dallimeve për politikat tregtare dhe ekonomike.

Nga ana tjetër, biznesmeni më i pasur në Ukrainë, Rinat Akhmetov, ka kërkuar mbajtjen e një tryeze të rrumbullakët për të diskutuar për të ardhmen e Ukrainës, duke thënë se dhuna është “e papranueshme”.

Analistët thonë se oligarkët e fuqishëm të Ukrainës kanë ndikim të jashtëzakonshëm ndaj Yanukovichit dhe janë në situatë të krijojnë mbizotërim të bilansit si ndaj Rusisë, ashtu edhe ndaj Bashkimit Evropian.

Qeveria e Ukrainës, që është pothuajse afër falimentimit, ka borxhe të mëdha për kredi dhe për furnizim me energji nga Rusia.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se Ukrainës do t’i jepen përfitime ekonomike, nëse bëhet anëtare e Unionit Doganor, që udhëhiqet nga Rusia, por tha se Kievi duhet ta marrë vendimin përfundimtar. (f.b.)
XS
SM
MD
LG