Ndërlidhjet

logo-print

Turqia e Greqia duan rihapje të bisedimeve për Qipron


Ilustrim

Ilustrim

Ministrat e jashtëm turk dhe grek i kanë bërë thirrje të premten komuniteteve të ndara etnikisht në ishullin e Qipros që të rihapin sa më parë bisedimet paqësore.

Ministri i jashtëm i Greqisë, Evangelos Venizelos dhe homologu i tij nga Turqia Ahmet Davutoglu deklaruan në një konferencë të përbashkët shtypi se komunitetet qipriote greke dhe turke, duhet të gjejnë një marrëveshje të përbashkët, për të nënvizuar parimet bazë për zgjidhjen e problemit disa-dekadash qipriot.

“Greqia dëshiron zgjidhje e cila do t’i lejoj Republikës së Qipros që të trajtohet si shtet, një anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian”, the Venizelos pas takimeve bilaterale në Athinë, duke shtuar se “çdo zgjidhje e propozuar duhet të ratifikohet përmes një referendumi gjithëpopullor”.

“Ne nuk e njohim shtetin turk në veri të Qipros. Duam zgjidhje me një entitet qeveritar, një sovranitet të vetëm, një shtetësi të vetme”, shtoi ai.

Shefi i diplomacisë turke, Davutoglu nga ana e tij tha se Turqia është e gatshme që të kontribuojë në gjegjen e zgjidhjes për Qipron, si një prej fuqive që garanton paqen në këtë ishull.

“Çështja e pakicës sonë, duhet të shihet si një mundësi, një urë e cila mund t’i bashkoj të dy popujt” tha ai.

Bisedimet paqësore të mbështetura nga OKB-ja, kanë ngecur që nga marsi i vitit të kaluar, pasi të dyja palët nuk arritën të tejlakojnë dallimet në një varg çështjesh, përfshirë ndarjen e pushtetit dhe pronës, dhe të drejtat territoriale.

Qiproja është e ndarë që nga vitit 1974, kur trupat ushtarake turke pushtuan pjesën veriore të ishullit, pas grusht-shtetit të inspiruar grek që kishte për qëllim bashkimin e Qipros me Greqinë.

Ky ishull iu bashkuar eurozonës në vitin 2004.

Veriu i okupuar qipriot, njihet vetëm nga Turqia.
XS
SM
MD
LG