Ndërlidhjet

Baraliu: Plani rezervë i Serbisë, mund të prodhojë konflikt të armatosur


Mitrovicë

Mitrovicë

Beogradi ka plan rezervë, që nënkupton ndarjen e Kosovës, por që një gjë e tillë mund të prodhojë madje edhe konflikt të armatosur ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, eksperti i çështjeve juridike – kushtetuese Mazllum Baraliu, profesor në Universitetin e Prishtinës.


RADIO EVROPA E LIRË
Profesor Baraliu, zgjedhjet e fundit lokale rezultuan edhe me pjesëmarrjen e serbëve në to, kandidatët për kryetarë nga iniciativa qytetare serbe kanë fituar nëntë nga 10 komunat me shumicë serbe. Marrë parasysh që ky subjekt ka qenë i mbështetur kryekëput nga Beogradi zyrtar dhe vazhdon të jetë, si do ta shihni rolin e këtyre kryetarëve ndërmjet dy kaheve, Prishtinës dhe Beogradit?

MAZLLUM BARALIU
Sa i përket relacionit apo qëndrimit të këtyre kryetarëve në vijën Mitrovica Veriore dhe komunat veriore të Kosovës me Prishtinën, gjegjësisht institucionet e Republikës së Kosovës, unë mendoj se këta kryetarë dhe të gjitha strukturat tjera të asambleve të këtyre komunave, në mënyrë obliguese do të duhej që të kishin qëndrim konstruktiv, bashkëpunues dhe integrues në institucionet tona dhe në relacion me institucionet tona.

Pozita e këtyre njerëzve është e qartë. Mund të jetë paksa e pakëndshme dhe e vështirë për arsye se këto struktura të komunave, jo vetëm kryetarët, do të jenë në sandviç mes dy interesave, të Republikës së Serbisë dhe Qeverisë së Beogradit, e cila i ka themeluar dhe vepron ilegalisht kundër interesave të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, tani janë shndërruar në struktura legale të pranuara ndërkombëtarisht.

Madje, në qoftë se kjo mund të konsiderohet si marrëveshje ndërkombëtare dhe pozita e tyre do të jetë e vështire, do të jetë specifike, por ato struktura, bashkë me kryetarët e tyre, do të duhej të ishin në bashkëpunim të plotë me institucionet e Kosovës, sepse edhe territorialisht, edhe në pikëpamje kushtetuese, edhe në pikëpamje të sovranitetit, janë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe do të duhej respektuar këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, përfaqësuesit e Iniciativës Qytetare Serbe kanë theksuar se nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe do të punojnë kundër saj. A mund ta komplikojë kjo situatën në veri dhe raportin e këtyre komunave në përgjithësi me institucionet e Kosovës?

MAZLLUM BARALIU
Po, mund ta komplikojë shumë. Madje, mund ta kthejë në pikën zero, pra në fazën në të cilën gjendja ishte atje, e ajo çfarë ishte para bisedave atje, e sidomos para intervenimit të korrikut, ka qenë e papranueshme dhe shumë e vështirë.

Natyrisht, një situatë e karakterizuar me struktura parashtetërore, ilegale (në fakt legale, por të Serbisë) - gjithnjë dhe gjithmonë struktura të orientuara armiqësisht ndaj institucioneve dhe shtetit të Kosovës, madje dhe qytetarëve, e ndonjëherë edhe qytetarëve të vetë komunitetit serb, ishte e tillë dhe në qoftë se nuk respektohen parimet, edhe kushtetuese, edhe ligjore, edhe parimet e Marrëveshjes së Brukselit, gjendja atje do të kthehet në zero.

Pra, do të kemi një status-quo, por në mënyrë retrograde të kthyer në reinstitucio in integrum, siç themi ne në drejtësi - një gjendje e cila jo vetëm që nuk është e dobishme dhe e pranueshme, por mund të jetë shumë e rrezikshme për arsye se atëherë nuk mbetet ndonjë mekanizëm tjetër, as i Brukselit, as i Prishtinës, as i Beogradit.

Por, atëherë do të ketë mundësi që të vihet me mekanizma të tjerë, të cilët mund të jenë jashtë kontrollit apo jashtë orientimeve dhe dëshirave, jashtë planeve dhe strategjive të Prishtinës, veçanërisht, të institucioneve të Republikës së Kosovës, po edhe të Beogradit, i cili mund të ketë plan rezervë, dhe jam i bindur që ka një plan rezervë - nuk ka nevojë për ndonjë dituri të veçantë për këtë aspekt.

Ditë më parë, pikërisht kryeministri i Republikës së Serbisë e shprehu disa herë, në disa vende, që ka biseduar me Vatikanin dhe Brukselin për ndarjen e Kosovës. Këtë e gjë proklamoi si mënyra më e mirë e mundur dhe minimumi i minimumeve që ata mund të nxjerrin nga Kosova, të cilën, më herët, sipas tij, e kanë humbur.

Gjendja mund të derivojë dhe të metastazojë deri në gjendjen më të papranueshme, më të vështirë, më të rëndë, e cila mund të prodhojë konflikt të armatosur ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve dhe jo vetëm kaq. Pra, mund ta destabilisojë Ballkanin dhe për këtë Brukseli, BE-ja, bashkësia ndërkombëtare dhe SHBA-ja, madje, do të kenë reperkusione dhe do të kenë telashe me pasojat që mund të shkaktohen deri në riparimin ose mosriparimin - në metastazimin e gjendjes atje, në qoftë se nuk bëhet integrimi i këtyre institucioneve, nuk kuptohet mirë detyra e tyre që kanë me institucionet e Kosovës.

Bashkësia e komunave serbe, entitet me pushtet të ndërmjetëm


RADIO EVROPA E LIRË
A e shihni asociacionin e komunave me shumicë serbe si entitet politik apo si organizatë joqeveritare?

MAZLLUM BARALIU
Organizatë joqeveritare nuk mund të jetë, për arsye se funksionimi i tyre, organizimi, regjistrimi i tyre rregullohen me një ligj të veçantë që quhet Ligji mbi asociimin e lirë të organizatave joqeveritare, pra në institucionet e Republikës së Kosovës. Kjo nuk është ashtu, nuk është OJQ.

Është kështu si del deri tash nga bisedat, nga negociatat, nga premisat dhe nga produktet që kanë dalë tash dhe nga kërkesat e Serbisë, por edhe nga ajo që është shkruar edhe në Planin e Veprimit, si edhe në Marrëveshjen e 19 Prillit etj, del që ky është padyshim (ose të paktën rezulton në masë të madhe të përqindjes, për të mos qenë kategorik në gjykimet dhe konkludimet tona) një entitet juridik, i cili është në fakt, një entitet tjetër i pushtetit, apo pushteti i ndërmjetëm në mes të asaj që parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si pushtet lokal dhe pushtet qendror.

Ky do të jetë një nivel i tretë i pushtetit me shume ingerenca edhe ekzekutive dhe me shumë pikëpyetje, të cilat deri më tash dikush nuk i di sa duhet, ose nuk dëshiron t’i kuptojë, e dikush tjetër i di mbase, por dëshiron të mos jetë korrekt deri në skaj. Këtu flas për bashkësinë ndërkombëtare, për BE-në, dhe disa eksponentë brenda dhe jashtë vendit, të cilët nuk duan që të jenë deri në fund korrekt , të sinqertë dhe ta pranojnë atë se çfarë planifikohet dhe çka kërkohet lidhur me këtë entitet.

RADIO EVROPA E LIRË
Njëra prej pikëpyetjeve që i përmendët, a mund të jetë edhe ajo që ky entitet, siç e quani ju, mund të shndërrohet në një të ashtuquajtur Republika Srpska, apo Republikë serbe?

MAZLLUM BARALIU
Patjetër që ka plot indikacione, të cilat nuk janë të rastit. Janë shkruar dhe normuar në ato marrëveshje dhe pika të marrëveshjes, edhe asaj të parës 15 pikëshin, po edhe më vonë në planet e veprimeve dhe marrëveshjet tjera, të cilat nuk janë plotësisht transparente, dhe nuk i dimë të gjitha ne.

Është paraparë, për shembull, një ligj kushtetues që në fakt i jep mundësinë, që ky entitet, ky pushtet i tretë, të jetë shumë specifik, madje i paprecedent deri tani në botën demokratike të rregullimit demokratik të statuseve të ndryshme të strukturave dhe territoreve të caktuara - s’po them entiteteve me ingerenca republike etj. - dhe ato janë shenja se ky do të ketë si duket një rregullim të dyfishtë dhe një sovranitet të dyfishtë, edhe qytetari edhe territori. Pra, edhe me Serbinë, edhe me Kosovën.

Përndryshe, këtë e thonë hapur eksponentët e Qeverisë së Beogradit qe janë përfaqësues legjitimë të tyre, se do të rregullohet me një ligj kushtetues, e ajo përmendet në marrëveshje të Serbisë, që në Kushtetutën e vet do ta gjejë një hapësirë për ta nxjerrë një ligj kushtetues, me të cilin e rregullon një entitet dhe statusin e tij kushtetues - juridik, subjektivitetin e tij në një shtet tjetër.

Kjo gjithsesi që është jo vetëm e paprecedent, e papranueshme, po edhe jashtëzakonisht e rrezikshme për Kosovën, sepse e defunksionalizon atë si shtet dhe krijon potencë jashtëzakonisht të rrezikshme për derivime dhe metastazime të tjera që mund të shpijnë deri te, jo vetëm defunksionalizimi i shtetit të Kosovës, por edhe deri te konfliktet e ndryshme.

Këto konflikte mund të jenë të pariparueshme dhe të paimagjinueshme, në kuptimin negativ, as për Beogradin, as për Prishtinën, as për Brukselin për arsye se – më lejoni ta konstatoj edhe këtë mendim timin, ta them troç dhe hapur se thjesht edhe Brukseli vetë, edhe Prishtina, i kanë hyrë kësaj pune, këtyre bisedave, që nga ato teknike deri te këto politike, pa përgatitur sa duhet, të gatshme që të japin shumë dhe të marrin pak.

Në fakt, çdo gjë t’i ofrojnë Serbisë, sepse asnjë nga ato që kërkoi Serbia në fillim në proces, nuk mbeti, pa u realizuar. Ndërkaq, të mos i kushtojnë rëndësi funksionalizimit të shtetit të Kosovës dhe respektimit të Kushtetutës së saj, se tashmë Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjet e saj janë cenuar dhe janë prekur me këtë organizim dhe me këto biseda.

Nuk është e vërtetë që s’është prekur nuk është e vërtetë që është OJQ, për arsye se i ka në procedurë kjo Qeveri dhe kjo klasë politike, jo vetëm pozita, po edhe opozita fatkeqësisht, shumë ligje në ndryshim e sipër, të cilat flasin për përmbushjen e kërkesave të Beogradit në relacion me kompetencat dhe ingerencat që kanë edhe konotacione, sigurisht edhe përmbajtje ekzekutive në pjesën veriore sa i përket këtij asociacioni.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, në fund, zoti Baraliu, në procesin e dialogut të deritashëm Kosovë - Serbi, a mendoni se është bërë maksimumi nga ana e Kosovës?

MAZLLUM BARALIU
Kosova ka bërë shumë dhe ka qenë korrekte, e sinqertë dhe qëllimmirë në këtë dialog që nga fillimi. Kosova ka qenë e interesuar që në fillim të gjejë zgjidhje dhe të ketë trajtim dhe ka pasur qëndrim dhe trajtim të njëjtë të komuniteteve që jetojnë atje, sepse nuk jeton vetëm një komunitet në pjesën veriore po më shumë se tri, por ja që Beogradi ka qenë ai faktor destabiliziues dhe turbullues dhe skajshmërisht negativ si gjithherë gjatë historisë, dhe e ka zvarritur gjendjen atje me vjet, po del më shumë se një dekadë e gjysmë.

Prandaj, Beogradi është ai, dhe Qeveria e Beogradit ajo që nuk ka dhënë as minimumin - ajo që kalkulon dhe e ka bërë këtë nga fillimi. Po vazhdon të kalkulojë dhe të mos i zbatojë marrëveshjet e veçanta dhe ato kornizë, për të cilat kanë nënshkruar dhe janë marrë vesh ndonëse jo në mënyrën ashtu siç bëhen marrëveshjet në fushën e diplomacisë ndërmjet dy shteteve.

Në këto biseda, Brukseli me Beogradin më shumë kanë qenë palë, sesa Prishtina. Kosova, për mendimin tim ka qenë palë pasive për arsye se çdo gjë që është servuar dhe kërkuar nga Brukseli dhe kërkuar nga Beogradi, Prishtina në fakt e ka pranuar – gjë që nuk është dashur të bëhet.

Mirëpo, është strategji e qeverisë besoj, ani që mendoj se nuk kanë pasur strategji të qartë, as platformë, por nëse e kanë pasur, është punë e Qeverisë, dhe qeveria i di punët e veta dhe i ka hallet e veta, por unë mendoj që Serbia është faktor negativ dhe destabilizues i Kosovës, po vazhdon ta bëjë këtë, dhe mendoj që nuk do t’i realizojë marrëveshjet, dhe do të kalojë përsëri edhe 17 dhjetorin si një barrierë për të marrë statusin pa i përmbushur as në minimum të minimumit kushtet e marrëveshjes së Brukselit në relacion me Kosovën, kërkon kandidaturën për t’u integruar.

Për mendimin tim, thjesht krijon gracka të tjera, të cilat në momentin e duhur do t’i nxjerrë në sipërfaqe për të penguar integrimin e pjesës veriore në sistemin kushtetues juridik të Kosovës, për të penguar integrimin e qytetarëve të komunitetit serb në institucionet e Kosovës dhe për të defunksionalizuar shtetin e Kosovës deri në pakufi.

Kjo lojë është e rrezikshme dhe këtë duhet ta kuptojë Brukseli. Unë mendoj që Prishtina tash e tutje duhet të jetë jashtëzakonisht edhe korrekte, edhe racionale, edhe mohuese, pra e vendosur të thotë jo për çështje që prekin sovranitetin, pasuritë natyrore, që prekin subjektivitetin edhe të paktën vetëvendosjen e brendshme të Kosovës - duhet thënë jo vendosmërisht.

Rubikoni është i sigurt që nuk duhet tejkaluar, për arsye se që nuk duhet tejkaluar, sepse thjesht Serbia ka qëllimet e fundit për ta copëtuar Kosovën dhe për të integruar pjesë të caktuara brenda Serbisë, ose të defunksionalizojë Kosovën duke futur Serbinë në Kosovë, jo vetëm në pjesën veriore që ishte iniciativë fillestare edhe e Planit Ahtissari, edhe e Beogradit, edhe e Brukselit, por edhe e Prishtinës për asociacionin, mirëpo edhe në komuna tjera nëpër Kosovë.

Pra, tashmë kemi një Republika srpska, iniciativa serbe që në fakt aludonte në çdo gjë, edhe me emërtimin e mëparshëm, edhe me esencën e tanishme dhe tendencën që ka në një entitet të veçantë serb në Kosovë, i cili sigurisht që ka pretendime të dëmshme negative dhe jo pozitive, jo integruese.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG