Ndërlidhjet

A kryhen aborte selektive në Kosovë?


Ilustrim
Ilustrim
Numri i lindjeve prej 1 janar deri më 13 dhjetor 2013, është 10 mijë e 132 foshnje. Prej tyre, 3 mijë e 30 lindje janë me prerje cezariane.

Foshnje të gjinisë mashkull gjatë këtij viti kanë lindur 5, 374, derisa 4, 951 janë vajza, thotë Myrvete Paçarada, drejtoreshë e Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Numri i tërësishëm i lindjeve deri në këtë moment është 10 mijë e 132 foshnje. Gjithmonë kemi numër më të madh të djemve, në gjithë botën është ashtu, 7 deri në 8 për qind shkon më shumë meshkuj se femra, edhe ne jemi në atë mesatare”, bën të ditur Paçarada.

Ndryshe, së fundmi nga një studim në Francë është gjetur një disproporcion i rëndë në numrin e vajzave dhe djemve të lindur në Kaukaz dhe në Ballkan, duke indikuar se pjesë të këtyre rajoneve janë përplot me aborte selektive.

Sipas studimit, shkalla e gjinisë në vendet e Kaukazit Jugor, në Armeni, Azerbajxhan dhe Gjeorgji, si dhe në disa pjesë të Ballkanit, ka rritur ndërmjet 110 - 117 djem në 100 vajza.

Në këtë studim është përfshirë edhe Ballkani Perëndimor, ku bëjnë pjesë edhe Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, ku thuhet se shkalla është më pak e theksuar, pasi ajo ka arritur nivelin 110-111 djem në 100 vajza, raporton AFP.

Por, ndryshe thotë doktoresha Paçarada, duke shtuar se abortet selektive në Kosovë janë të ndaluara me ligj, përpos në raste specifike.

“Abortet për gjini nuk bëhen - as nuk lejohen, as nuk bëhen. Gjinia nuk mund të vërehet para javës 16, dhe nëse i nënshtrohet ndonjë aborti deri në javën e 22-të, i nënshktrohet komisioni i shkallës së dytë, po tregoj në mënyrë ligjore si është. Në asnjë rast nuk lejohet abortimi për shkak të gjinisë, vetëm në rast se gjinia mashkull vuan nga sëmundja trashëguese e hemofilisë, për asnjë arsye tjetër nuk lejohet abortimi për shkak të gjinisë”, thotë Paçarada.

Myrvete Paçarada jep edhe një arsye tjetër për mundësinë e lindjes së gjinisë mashkull më shumë se ajo femër:

“Aty mund të ndikojë edhe programi IVF apo mbarsja me in-vitro ku edhe po bëhet përzgjedhja e gjinisë. Në disa shtete po bëhet edhe përzgjedhja e gjinisë me IVF. Ky mund të jetë një prej faktorëve që mund të ndikojë”.

Ndërkaq, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se në Kosovë ekziston Ligji për abortin, dhe se pas javës së 10, aborti mund të kryhet vetëm në raste specifike, por jo edhe për përzgjedhje të gjinisë.

“Është Ligji për abortin, është udhëzimi administrativ në rrethana të veçanta për ndërprerjen e shtatzënisë në kushte të sigurta në institucionet shëndetësore në Kosovë. Ky udhëzim ka dalë në vitin 2011 dhe i parasheh kushtet, rrethanat dhe indikacionet mjekësore për ndërprerjen e shtatzënisë pas javës së 10-të”.

“Nëse një grua ka indikacione ta ndërpresë shtatzëninë, mund ta bëjë këtë vetëm përmes Komisionit mjekësor, që i parasheh rrethanat e veçanta, në të cilat ka ndodhur ajo shtatzëni, qoftë për shkaqe shëndetësore të nënës ose fëmijës, mund të ndërpriten, por assesi për shkak të seleksionimit të gjinisë”,
shpjegon Merita Vuthaj, zyrtare në Ministrinë e Shëndetësisë.

Ndryshe, zyrtarë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, thonë se nuk kanë bërë hulumtim lidhur me atë se ka apo jo aborte selektive në vend, me gjithë hulumtimet e shumta që ka bërë kjo organizatë për mbrojtjen e shëndetit të nënës dhe fëmijës.

“OBSH-ja nuk ka bërë ndonjë hulumtim të veçantë për të përcaktuar se a ka aborte selektive apo në bazë të preferencës së prindërve në Kosovë, dhe në këtë kuadër, ne nuk mund të themi asgjë pasi që nuk kemi burim të besueshëm për këtë”, thekson Skënder Syla, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë.
XS
SM
MD
LG