Ndërlidhjet

logo-print

Fillimi i inkasimit në veri, vulë e identitetit shtetëror


Jarinjë (Foto arkiv)

Jarinjë (Foto arkiv)

Zyrtarët e Doganave të Kosovës bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë se rreth 14 drejtues të mauneve po hezitojnë të kryejnë obligimet doganore dhe inkasimet në pikën kufitare Jarinjë, me pretendimet se në zonën doganore kanë hyrë një ditë më parë.

“Është një protestë e disa importuesve, të cilet janë të pakënaqur, pasi që pretendojnë se kanë hyrë një ditë më herët dhe nuk duan të paguajnë. Dogana u ka dhënë mundësinë e një ankese, por paraprakisht duhet të bëhet pagesa. Nëse vërtetohet ajo që ata kanë hyrë me dokumente një ditë më parë, do të kthehen partë”, ka thënë zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci.

Gjatë ditës, drejtori i përgjithshëm i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka sqaruar për Radion Evropa e Lirë, se punët lidhur me këtë çështje, janë duke shkuar mirë dhe se, sipas tij, nuk ka kundërshtime për t’iu nënshtruar procedurave doganore.

“Të gjitha procedurat janë duke u kryer konfom kodit të doganave dhe akcizës. Deri tash nuk kemi pasur ndonjë hezitim për të bërë pagesën ose për të mos iu nënshtruar procedurave doganore. Gjithçka është duke shkuar sipas ligjeve dhe konform marrëveshjes së Brukselit”, ka deklaruar Rafuna.

Megjithatë, mësohet se rreth 14 drejtues të mauneve po hezitojnë të kryejnë obligimet doganore në pikën kufitare të Jarinjës, me pretendimet se në zonën doganore kanë hyrë një ditë më parë. Atyre u është sugjeruar të bëjnë ankesë, por paraprakisht të bëjnë pagesën.

Drejtori Rafuna ka bërë të ditur se nga Serbia në Republikën e Kosovës ka hyrje të ndryshme të mallrave. Ato, sipas tij, nuk shkojnë vetëm në veri të vendit, por edhe për pjesën tjetër të Kosovës.

“Ka maune, është një numër goxha i madhe i tyre, ka maune që kanë hyrë dhe janë të destinuara edhe për qytete të tjera të Kosovës. Po ashtu, ka edhe maune që tashmë janë zhdoganuar, disa pagesa që janë bërë edhe janë duke shkruar edhe për mallra që janë të definuara për konsum në pjesën e veriut. Deri më tash nuk kemi një raport për të parë strukturen e mallrave”, është shprehur Rafuna.

Rafuna, me rastin e fillimit të inkasimit të taksave në dy pikëkalimet kufitare në veri në Jarinjë dhe Bërnjak, ka thënë se ajo që është më e rëndësishme në këtë rast është se mallrat që hyjnë nga Serbia në Kosovë, do të jenë më të sigurta për konsum.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës do të ndihen më të sigurt gjatë konsumimit të mallrave, të cilat importohen ndërmjet atyre dy vendkalimeve doganore, për arsye se do t’i nënshtrohen kontrollit të mbikëqyrjes. Po ashtu, shumë e rëndësishme është se buxheti i shtetit do të fitoj hyra më të larta”, ka thënë Rafuna.

Edhe ekspertët e çështjeve ekonomike fillimin e inkasimit të taksave në dy vendkalimet kufitare në veri e kanë parë si të rëndësishme.

Kryetari i Odës Ekonimike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se kjo është një hap i rëndësishëm dhe një rrugë e gjatë.

"Por, duhet të kemi kujdes, nuk duhet do të thotë se të priturat nga ky inkasim të realizohen në një periudhë kohore afatshkutër. Efektet pozitive gjithmonë duhet të presim në aspektin afatmesëm dhe afatgjatë. Pra, është një moment i rëndësishëm që duhet të duartrokitet”, është shprehur Gërxhaliu.

Sipas tij, fillimi i inkasimit në veri, është vulë e identitet shtetëror dhe e dyta, është shprehur Gërxhaliu, është një qasje e re e serbëve ndaj realitetit kosovar.

“Por, mbi të gjitha është hapi më i rëndësishëm që është ndërmarrë që mund të ndikojë në uljen e joformalitetit dhe ekonomisë së kriminalizuar. Në këtë drejtim, në këto masa ose me fillimin e implementimit të kësaj marrëveshjeje, fitues janë sa Kosova është edhe Serbia. Prandaj, besoj se janë duke filluar hapa të rëndësishëm që do të gjenerojnë efekte pozitive”, ka theksuar Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë.

Nga ana tjetër, zyrtarët e ekzekutivit kosovar e kanë konsideruar si një të arritur të madhe për vendin, fillimin e inkasimit të mallrave në dy vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë e ka cilësuar si një të arritur të madhe për Kosovën.

Kryengociatorja e dialogut teknik në Bruksel, njëherësh zëvendëskryeministre e Kosovës, Edita Tahiri, ka deklaruar se zyrtarisht ka filluar zbatimi i marrëveshjes së Brukselit për doganat, me të cilën jetësohet në praktikë pagesa e taksave doganore për mallrat që eksportohen në Kosovë nga Serbia, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës.

“Ne, si Qeveri e Kosovës, vlerësojmë se kjo është një arritje e madhe për shtetin tonë, sepse pas shumë vitesh, më në fund, kemi vendosur sundimin e ligjit në fushën e pagesës së taksave të doganave në këto dy pikëkalime kufitare (Jarinjë dhe Bërnjak) në pjesën veriore të vendit, me të cilën të gjithë eksportuesit e mallrave nga Serbia në Kosovë detyrohen t’ia paguajnë taksat doganore shtetit të Kosovës për të gjitha mallrat që eksportohen”, thuhet mes tjerash në një komunikatë nga zyra e zëvendëskryeministres Tahiri.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG