Ndërlidhjet

logo-print

Mbështetësit e Yanukovychit mblidhen në Kiev

  • RFE /RL

Mbështetësit e pro-qeveritarë

Mbështetësit e pro-qeveritarë

Mijëra mbështetës të presidentit të Ukrainës, Viktor Yanukovych, janë mbledhur në qendër të Kievit, për t’iu kundërvënë protestave të opozitës.

Shërbimi ukrainas i Radios Evropa e Lirë raporton se ky tubim po zhvillohet në Sheshin e Evropës, nën prani të madhe të policisë.

Ky shesh ndodhet pranë atij të Pavarësisë, ku mijëra demonstrues pro-evropianë kanë ngritur tashmë tendat e tyre.

Vendimi i Yanukovychit, muajin e kaluar, për të shtyrë për kohë të pacaktuar nënshkrimin e një marrëveshjeje të asociimit me Bashkimin Evropian ka shkaktuar protesta masive kundër tij.

Duke iu adresuar tubimit pro-qeveritar, kryeministri Mykola Azarov ka ftuar politikanët që të ulen në tryezën negociuese dhe t’iu kërkojnë protestuesve të kthehen në shtëpi, duke thënë se “Ukraina nuk ka nevojë për barrikada”.

“Sipas informacioneve të mia, ne i kemi këto protesta vetëm në Kiev. Pjesa tjetër e vendit është e qetë. Duhet të sjellim paqe edhe në Kiev”, ka thënë Azarov.

Të premten, Yanukovych ka mbajtur bisedime me udhëheqësit e opozitës, por nuk është arritur marrëveshje për zgjidhjen e krizës. Presidenti, i cili i ka mbijetuar një vote të mosbesimit këtë muaj, ka hedhur poshtë kërkesat e opozitës që qeveria të japë dorëheqje dhe të thirren zgjedhje të reja.

Yanukovych ka takuar presidentin rus, Vladimir Putin, javën e kaluar, për të diskutuar atë që zyrtarët ukrainas e kanë përshkuar si “marrëveshje e madhe e partneritetit strategjik”, e cila ka për qëllim eliminimin e dallimeve mbi tregtinë dhe politikat ekonomike.

Në fjalimin e tij të shtunën, Azarov ka hedhur poshtë kategorikisht zërat se qeveria planifikon të nënshkruajë dokumente për pranimin e Ukrainës në Bashkimin Doganor, të udhëhequr nga Rusia.

Kryeministri po ashtu ka thënë se Ukraina nuk mund të pranojë nënshkrimin e marrëveshjes me BE-në dhe të shkojë në falimentim.

Sipas tij, udhëhehqësit e opozitës flasin përralla kur thonëse se “nëse nënshkruajmë marrëveshjen, ne do të udhëtojmë lirshëm në Evropë”. Ai ka thënë se Ukraina duhet fillimisht të legalizojë martesat e homoseksualëve dhe të miratojë legjislacionin për të drejta të barabarta të pakicave seksuale, duke shtuar se shoqëria ukrainase nuk është e përgatitur ende për këtë.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë në një intevistë televizive se ai nuk ka dyshim se protestat e opozitës në Ukrainë janë planifikuar që një kohë të gjatë.

Protestë masive pro-evropiane pritet të zhvillohet në Kiev të dielën.(v.tela)
XS
SM
MD
LG