Ndërlidhjet

Rriten investimet e huaja - investitorët joseriozë


Ilustrim

Ilustrim

Investimet e huaja direkte në Kosovë, kanë shënuar rritje, pavarësisht vështirësive, me të cilat është duke u përballur eurozona, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë, përfaqësues të Bankës Qendrore të Kosovës.

Deri në qershor të vitit 2013, vlera e investimeve të huaja arriti në 143.4 milionë euro, që paraqet rritje vjetore prej 66.4 milionë euro.

Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Besnik Kada, në një përgjigje përmes postës elektronike dhënë Radios Evropa e Lirë, ka thënë se në të gjitha periudhat e këtij viti, ka pasur ngritje të investimeve të huaja direkte, krahasuar me vitin e kaluar.

Vendet, nga të cilat ka rrjedhur pjesa më e madhe e investimeve të huaja gjatë gjysmës së parë të vitit 2013, sipas BQK-së, ishin Turqia me 36.1 për qind, pasuar nga Britania e Madhe dhe Zvicra.

Sa i përket sektorëve, edhe gjatë kësaj periudhe, investimet e huaja direkte kanë qenë të përqendruara në sektorin e patundshmërive, ndërtimtarisë, transportit dhe telekomunikacionit.

Investimet ndërkombëtare ishin parë si një mundësi e mirë për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Shifrat e raportuara nga BQK-ja, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, konsiderohen të ulëta krahasuar me mundësitë që ka Kosova.

Përveç tjerash, ekspertët e ekonomisë e konsiderojnë shqetësuese faktin, siç thonë ata, se në Kosovë nuk po ka interesim të investitorëve serioz.

Drejtori i Institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, thotë për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë është krijuar një ambient i pafavorshëm biznesor për investitorët serioz.

“Nuk kemi investitorë serioz, sepse kemi një ambient joligjor në vend dhe kjo rrit koston e operimeve të investitorëve të huaj në Kosovë, të cilët në fund të fundit nuk dëshirojnë të futen në telashe të aferave korruptive, të burokracisë, të politikë-bërjes, mitos. Pra, këta investitorë preferojnë vende më të qeta, vende që kanë imazh stabil dhe kanë potencë më të madhe ekonomike për kthimin e tyre”,vlerëson Abdixhiku.

Lumir Abdixhiku

Lumir Abdixhiku

Kosova, sipas Abdixhikut, po ka vështirësi të ketë një nomenklaturë të rëndësishme financiare. Pra, është treg me pak financa dhe me pak kërkesa, si dhe ka një popullsi të varfër dhe të papunë.

Po ashtu, shton Abdixhiku, ka biznese të cilat kanë vështirësi serioze me borxhe dhe me ekzistencën financiare.

“Në një gjendje të tillë, shumë pak investitorë mund të vijnë në Kosovë, dhe ata që vijnë, mësohen me ambiente të ngjashme, prandaj kemi investitorë të natyrës së panjohur, pra nuk janë investitorë që kanë emër, të cilët e shohin Kosovën si një garë afatshkurtër që mund të marrin shumë në kthim në investime, por japin shumë pak”, shton Abdixhiku.

Autoritetet e Kosovës vazhdimisht iu kishin bërë thirrje kompanive ndërkombëtare që të investojnë në Kosovë.

Sipas përfaqësuesve të bizneseve, investitorët e huaj interesoheshin për të investuar kapitalin e tyre në Kosovë, por, ardhja e tyre jo çdo herë konkretizohej me investim, ata vinin e largoheshin pa investuar.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi, thekson se vendet e rajonit kanë ofruar më shumë për investitorë e huaj se sa Kosova.

“Vendet e rajonit kanë krijuar instrumente dhe politika të favorshme për t’i nxitur investitorët e huaj. Nëse e shikojmë nga aspekti i taksave, ne qëndrojmë mirë, pasi që 10 për qind TVSH, nuk është tatim i lartë për cilindo investitor dhe janë norma të njëjta”.

“Mirëpo, p.sh një investitor që vjen nga një shtet i Evropës Perëndimore, shpeshherë e merr shembull Maqedoninë dhe Serbinë, ku shteti u ka ofruar këtyre investitorëve një platformë të gatshme të stimulimeve financiare dhe fiskale, që Kosova nuk e ka”
, bën të ditur Rukiqi.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG