Ndërlidhjet

logo-print

Maqedonia jashtë BE-së, shqetësim për të ardhmen


Maqedonia nuk do të marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian në samitin e javës së ardhshme në Bruksel.

Këtë publikisht tani e kanë kumtuar zyrtarët e lartë shtetërorë, duke arsyetuar vendimin negativ me moszgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë.

Pavarësisht kësaj, nga qeveria kanë thënë se mbeten të përkushtuar në përmbushjen e kritereve tjera, pasi prioritet vazhdon të mbetet integrimi i vendit në NATO dhe BE.

Mbetja për të gjashtin vit me radhë jashtë dyerve të BE-së ka ngritur shqetësime mbi të ardhmen e vendit. Madje, njohësit e çështjeve politike thonë se situata mund të rëndohet edhe më shumë, në ngecjen edhe të proceseve tjera

Stevo Pendarovski, profesor universitar dhe ish-drejtues i Këshillit Euroatlantik të LSDM-së, nuk përjashton mundësinë që si pasojë e shtyrjes së sërishme të marrjes së datës për nisjen e bisedimeve për anëtarësim, të ketë ngecje si në ekonomi, në sferën e të drejtat e njeriut, në çështjet e sigurisë, lirinë e shprehjes e kështu me radhë.

“Kjo qeveri, e cila tani shtatë tetë apo vjet është në pushtet, nuk besoj se do të bëjë ndonjë ndryshim në këto sfera. Janë të njohura veprimet e saj, të cilat nuk kanë gjetur mbështetje në Evropë”.

Nuk pres që tani në vitin e nëntë të qeverisjes së saj me vendin, të ndryshojë diçka në mënyrën e punës, të lejojë veprimin e mediave të lira, të ketë zëra kritikë ndaj punës së saj, që gjyqësia të çlirohet ndaj ndikimet politike, që administrata të jetë profesionale e kështu me radhë”, thotë Penadrovski, duke shprehur brengosjen e tij të qasjes së institucioneve ndaj procesit euro-integrues.

Efekte negative nga status quo-ja e tashme pret edhe Bashkim Bakiu nga Instituti për hulumtimin e politikave dhe të qeverisjes së mirë.

“Sigurisht se pas një pritjeje kaq të gjatë, mund të ketë edhe reperkusione negative në vendin tonë, së pari për shkak se integrimi kjo është çështja e vetme që bashkon gjithë popullatën. Në qoftë se analizojmë gjithë vlerësimet e opinionit publik, integrimi i Maqedonisë në Bashkimin Evropian është dëshira e vetme e qytetarëve të Maqedonisë dhe kjo mund ta orientojë popullatën në dy drejtime, njëri që ka të bëjë me rritjen e euroskepticizimit që gradualisht po shënon rritje te popullata maqedonase dhe te një irritim që ndoshta do të fillojë të rritet te popullata shqiptare”, konsideron Bakiu.

Ai shton se kjo mund të nxitet edhe nga partitë politike, të cilat po ashtu kanë qëndrime të kundërta rreth kësaj çështjeje, partitë shqiptare, parësore kanë integrimin, kurse partia maqedonase në pushtet VRMO-DPMNE në shumë raste ka lënë për të kuptuar se integrimi është në planin e dytë të programit të saj qeverisës.

Por, ndryshe nga ai vlerëson Risto Nikovski, ish-ambasador i Maqedonisë në NATO, dhe një nga kundërshtarët më të theksuar të integrimit. Sipas tij, zhvillime negative nuk do të ketë, ndërsa për gjendjen aktuale ai fajëson faktorin e jashtëm.

“Kur dikë do ta kapni për fyti, ai nuk do të mund të marrë frymë si duhet dhe rrjedhimisht do të ketë pasojë. Maqedoninë tani 20 vjet po e mbajnë për fyti pa asnjë arsye, pa fakte, pa të drejtë. Shteti ndodhet në këtë situatë të palakueshme dhe për këtë 95 për qind të tjerët janë fajtorë dhe ndoshta vetëm pesë apo edhe më pak për qind mund të jemi ne fajtorë”.

“Mendoj se eurospekticizmi këtu është shumë i vogël në krahasim me atë që po na e bëjnë. Po na injorohen rregullat me elementare ligjore, po injorojnë të drejtën ndërkombëtare, dhe ne ende po durojmë”, thotë Nikovski, i cili në disa raste ka kërkuar që Maqedonia t’i shpallë të mbyllura bisedimet me Greqinë për çështjen e emrit derisa nga tavolina të hiqen çështjen që kanë të bëjnë me identitetin, gjuhën e kulturën.

Por, në prononcimin e fundit për mediat, lideri i BDI-së, partisë shqiptare në qeveri, Ali Ahmeti, paralajmëron ndryshime në veprimin politik nëse nuk jepet data për nisjen e negociatave.

Ahmeti nuk përjashton daljen nga qeveria dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në kërkim të zgjidhjeve të reja për të ardhmen e vendit.
XS
SM
MD
LG