Ndërlidhjet

BE pezullon bisedimet me Kievin

  • RFE /RL

Bashkimi Evropian ka njoftuar të dielën se ka pezulluar bisedimet me Ukrainën, në lidhje me një marrëveshje të tregtisë dhe bashkëpunimit, duke thënë se argumentet e dhëna nga Kievi “nuk kanë baza në realitet”.

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fuele, ka shkruar në Twitter, se i ka thënë zëvendëskryeministrit të parë të Ukrainës, Serhiy Arbuzov, javën e kaluar, se diskutimet e mëtejshme për marrëveshjen varen nga angazhimi i qartë i Qeverisë në Kiev për ta nënshkruar atë.

Në zhvillimet brenda Ukrainës, dhjetëra mijëra mbështetës të opozitës janë tubuar sot në Sheshin e Pavarësisë në Kiev, për të rritur presionin kundër presidentit Viktor Yanukovych, për shkak të refuzimit të marrëveshjes së asociimit me Bashkimin Evropian, në favor të marrëdhënieve më të afërta me Rusinë.

Mbështetësit e qeverisë, ndërkohë, kanë organizuar një tubim rival në Sheshin e Evropës. Ata kanë thënë se kërkojnë stabilitetin ekonomik dhe social të premtuar nga Yanukovych.

Raportet thonë se 150,000 deri në 200,000 njerëz i janë bashkuar protestës së opozitës. Sheshi i Pavarësisë është pushtuar nga mbështetësit opozitarë qysh më 21 nëntor, ditën kur Yanukovych ka refuzuar marrëveshjen.

Një protestues antiqeveritar me emerin Nazar ka thënë se mbështetësit e opozitës janë të vendosur të qëndrojnë aty derisa të plotësohen kërkesat e tyre.

“Jemi të sigurt se duhet t’i realizojmë idetë tona. Do të qëndrojmë këtu deri në fund. Fundi duhet të jetë fitorja jonë”, ka thënë ai.

Senatori amerikan, John McCain, u është drejtuar protestuesve opozitarë në Kiev, duke thënë se fati i Ukrainës është në Evropë dhe se ajo do ta bëjë Evropën më të mirë.

“Jemi këtu për të mbështetur kauzën tuaj, të drejtën sovrane të Ukrainës për të përcaktuar fatin e vet lirshëm dhë në mënyrë të pavarur”, ka thënë McCain.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka mbështetur vazhdimisht protestat e përditshme të opozitës ukraianse.

Në përpjekje për të lehtësuar tensionet, autoritetet në Ukrainë kanë suspenduar katër zyrtarë, për shkak të dhunës së forcave të sigurisë kundër protestuesve pro-evropianë në Kiev, më 30 nëntor.

Megjithatë, opozita ka thënë se kjo masë nuk është e mjaftueshme. Opozita vazhdon të kërkojë dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të reja.

Protestuesit opozitarë po ashtu thonë se duan më pak ndikim të Rusisë në Ukrainë dhe lidhje më të afërta me Bashkimin Evropian.

Moska i bën presion Kievit që t’i bashkohet Unionit Doganor, i cili udhëhiqet nga Rusia dhe përfshin edhe Bjellorusinë e Kazakistanin.

Presidenti Yanukovych pritet të vizitojë Rusinë këtë javë për të biseduar me zyrtarët atje në lidhje me bashkëpunimin. (v.tela)
XS
SM
MD
LG