Ndërlidhjet

Shkup: Ndotje e ajrit me përmasa shqetësuese


Ilustrim, foto nga arkivi

Ilustrim, foto nga arkivi

Ndotja e ajrit në Shkup ka ndezur alarmin e institucioneve nga prezenca jashtë normave të lejuara e grimcave të ngurta helmuese që qëndrojnë në ajër, të njohura si PM10, e që sipas mjekëve, janë të rrezikshme për shëndetin e njerëzve.

Nga qyteti i Shkupit kanë dalë me disa rekomandime për qytetarët, por jo edhe me masa për pastrimin e ambientit të ndotur.

Është kërkuar që qytetarët të mos dalin pa nevojë jashtë shtëpive, ndërsa kjo në veçanti i rekomandohet të sëmurëve kronikë, grave shtatzëna dhe fëmijëve, ndërsa nga qytetarët është kërkuar gjithashtu që të mos ajrosin ambientin ku rrinë për shkak të rrezikut të depërtimit të grimcave helmuese.

Qytetarët thonë se gjendja është e padurueshme dhe pa zbatimin e masave konkrete gjendja do të përkeqësohet edhe më shumë.

“Ndotja në veçanti ndjehet në mbrëmje pas orës 7-8. Është e tmershme. Mendoj se urgjentisht duhet të veprohet, duke nisur me industritë e mëdha që nuk respektojnë asnjë standard“, thotë Stojan Llazarevski, pensionist.

“Duhet të ndërmerren masa ndaj atyre që po ndotin ajrin. Gjendja duhet të përmirësohet pasi Shkupi ndodhet para një katastrofe të vërtetë. Thjesht po ngulfateni nga ndotja. Drejtuesit e qytetit të Shkupit dhe institucionet tjera duhet të vëprojnë sa më parë“, Mile Stojkovski, banor i Shkupit.

Musa Musai nga shoqata ekologjik Vizion, thotë se veprimi i institucioneve duhet të jetë i gjithanshsmë pa përjashtuar këtu edhe qytetarët.

“Inspektorët komunal dhe republikan duhet të detyrojnë qytetarët të cilët vozisin makinat të cilat ndotin ajrin të përmbushin standardet ekologjike, të kontrollohet djegia e makinave, në qytet të ketë më shumë gjelbërim, po ashtu inspektorët të bëjnë kontrolle mbi funksionin e fabrikave dhe vetëm në këtë mënyrë mendoj se gradualisht do të ketë normalizim të gjendjes dhe qytetarët të thithin ajër të pastër“, thotë Musai.

Drejtuesit e institucioneve kanë thënë se ndotja ka ardhur nga kapacitetet industriale, amvisëritë të cilat shfrytëzojnë lëndë të ndryshme për ngrohje gjatë sezonit të dimrit si dhe komunikacioni rrugor. Nga Ministria e Shëndetësisë njoftuan se nga kjo javë do të vihen në funksion disa aparate mobile, të cilët do të vendosen në pikat kritike që besohet se janë burimi kryesor i ndotjes së ajrit.

“Do të jemi të pamëshirshëm ndaj atyre që po helmojnë qytetarët dhe ndotin qytetin. Nga kjo javë do të kemi në dispozicion pajisjet të cilat i kemi porositur më parë për të verifikuar gjendjen faktike. Ndotja e ajrit nuk ka ndodhur tani, ndotja ka ekzistuar edhe më parë, por ne nuk duam të aryestohen me të kaluarën por do të punojnë intesivisht që gjendja të përmirësohet dhe qytetarët të marrin frymë lirisht“, deklaroi ministri i Shëndetësisë në Maqedoni, Nikolla Todorov.

Ndotja e ajrit ka nxitur edhe reagimin e partive opozitare.

LSDM-ja ka fajësuar qeverinë, e cila sipas saj është vënë në mbrojtje të afaristëve ndotës ndërsa kanë përmendur edhe shkatërrimin e dhjetëra parqeve të gjelbëruara për ndërtimin e objekteve të ndryshme komerciale.

Ndryshe, përveç në Shkup, ndotje e ajrit është regjistruar edhe në Tetovë dhe në katër komuna tjera më të vogla.
XS
SM
MD
LG