Ndërlidhjet

EULEX: Ende s’dihet numri i të varrosurve në Rudnicë


Rudnicë
Rudnicë
Misioni evropian për sundimin e ligjit EULEX vlerëson se “zbulimi i varrezës masive në Rudnicë, Rashkë, është rezultat i një pune përgatitore intensive, të kryer për muaj të tërë, në të cilën është përfshirë një analizim i gjerë, inspektime të lokacionit dhe shumë takime bashkërenduese me autoritetet serbe dhe ato kosovare”.

“Deri më tani e dimë që aty janë të varrosura mbetjet mortore të së paku 4 viktimave. Sapo janë gjetur mbetjet njerëzore është ndërprerë gërmimi. Vendi është siguruar dhe tani duhet të presim për një urdhër të zhvarrosjes nga gjykata para se të mund të vazhdojmë punën më tutje në këtë lokacion”, ka thënë Alan Robinson, bashkëkryesues i Departamentit të Mjekësisë Ligjore të EULEX-it.

Siç thuhet në një komunikatë të EULEX-it, Robinson po ashtu ka thënë se në këtë fazë thjesht nuk ka mënyrë për ta ditur se sa persona janë të varrosur në Rudnicë.

“Jam në dijeni lidhur me spekulimet të cilat po qarkullojnë lidhur me numrat, por unë kërkoj fuqishëm që të tregohet maturi dhe përmbajtje në lidhje me këtë çështje”, ka thënë ai.

“Numri mund të jetë i madh, por po ashtu mund të jetë më i vogël se që presin shumica e njerëzve; megjithatë, numri i plotë i viktimave mund të përcaktohet sapo të përfundojë e tërë puna mjeko-ligjore”, ka shtuar Robinson.
XS
SM
MD
LG