Ndërlidhjet

Veriu nuk normalizohet me fonde


Veri...
Veri...
Fillimi i mbledhjes së taksave nga pikat kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të cilat do të derdhen në Fondin për Zhvillimin e Veriut, nga përfaqësues të shoqërisë civile, vazhdon të kundërshtohet.

Ata thonë se ky proces do të shpie në një sistem të ndarë buxhetor për veriun e Kosovës, dhe kjo nuk është mënyra e cila mund ta normalizojë situatën në veriun e Kosovës.

Të shtunën, zyrtarisht ka filluar zbatimi i marrëveshjes për doganat i arritur në Brukselit, mes palës kosovare dhe asaj serbe. Me këtë marrëveshje jetësohet në praktikë pagesa e taksave doganore për mallrat që hyjnë në Kosovë nga Serbia, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës.

Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se Fondi për Zhvillimin e Veriut po krijon një model të ndarë buxhetor në Kosovë

Kjo ndarje si e tillë, vlerëson Korencia, është një dukuri e cila dëmton konceptin e një shteti të integruar me tërë komunitetet etnike, si pjesë e një strukture të vetme institucionale.

“Të hyrat që mblidhen nga inkasimi taksës doganore dhe mallrave që destinohen për veriun e Kosovës, do të shkojnë në fondin për veriun. Natyrisht që ky proces do të shpie në një sistem të ndarë buxhetor për veriun e Kosovës, gjë e cila mund t’i ndihmojë këtij modeli institucional që po ndërtohet me asociacionin, në një mënyrë që komuniteti etnik serb të jetë i betonizuar nëpër institucionet e tyre dhe me një buxhet të ndarë", thotë Korenica.

"Në këtë formë po ndodh një integrim formal, jo një integrim substancial i komuniteteve etnike në Kosovë. Natyrisht nuk e shoh që kjo është mënyrë për të normalizuar situatën në veri”, vlerëson ai.

Autoritetet e Kosovës, kohë më parë, kanë deklaruar se paratë publike, të mbledhura nga mallrat që hyjnë në Kosovë përmes pikave kufitare 1 dhe 31, e që destinohen në komunat e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, së pari do të dërgohen në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës, ku edhe regjistrohen në Sistemin e Integruar të Menaxhimit të Financave në Kosovë dhe pastaj, përmes Ligjit të Buxhetit të Republikës së Kosovës, do të ndahen për Fondin Zhvillimor të Mirëbesimit.

Taksat që mblidhen nga pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe Akciza.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci thotë për Radion Evropa e Lirë se procesi për mbledhjen e të hyrave nga pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak është duke shkuar mirë, pa ndonjë problem.

Ai vlerëson se me fillimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje, kontrabanda, e cila ka qenë më e theksuar në këto dy pika kufitare, do të shënojë rënie.

“Gjithsesi presim të shohim, por edhe në të kaluarën dhe po ashtu edhe nga momenti i vendosjes së doganierëve në atë pjesë ka pasur një rënie të dukshme të kontrabandës, por presim që kontrabanda të minimizohet në atë pjesë”, shton Stavileci.

Pikat kufitare mes Kosovës e Serbisë vazhdimisht ishin konsideruar dy nga pikëkalimet ku më së shumti tentohet të bëhet kontrabanda.

Mallrat në mënyrë ilegale tentohen të futen më së shumti përmes rrugëve alternative, në pamundësi që këtë ta bëjnë përmes pikave kufitare.

Fisnik Korencia nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, vlerëson se fillimi i procesit të mbledhjes së të hyrave nga këto dy pika kufitare është pozitiv, por megjithatë nuk është fundi i një procesi të luftimit të kontrabandës së mallrave dhe njerëzve, që ndodh në kufirin Kosovë Serbi.

“Qeveria e Kosovës, EULEX dhe KFOR duhet të garantojë që të ketë kontroll të rreptë, jo thjesht të pikave 1 dhe 31, por të tërë rripit kufitarë që ndan dy shtetet, sepse vetëm në këtë formë mund të eliminohen rrugët ilegale që ende ekzistojnë”, thotë Korenica.
XS
SM
MD
LG