Ndërlidhjet

Reformimi i drejtësisë si kusht për integrime evropiane


Ilustrim
Ilustrim
Reformimi i sistemit të drejtësisë paraqet një komponentë të rëndësishme në rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane, ka deklaruar të martën presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Këto komente, Jahjaga i ka bërë në takimin e Këshillit për Integrime Evropiane të cilin e drejton vetë presidentja dhe ku marrin pjesë përfaqësues të parlamentit, qeverisë si dhe ata të misioneve ndërkombëtare.

Në këtë takim është folur kryesisht për reformat në sistemin e drejtësisë.

Presidentja Jahjaga ka thënë me këtë rast se zbatimi i reformave në drejtësi do ta bëjë Kosovën një vend ku sundon rendi dhe ligji dhe do ta përshpejtoj rrugën e saj për në familjen e shteteve evropiane.

“Reforma në sistemin e drejtësisë ndihmon në konsolidimin e sundimit të ligjit, stabilitetin afatgjatët ë vendit por edhe në zhvillimin tonë ekonomik. Për këtë arsye përfundimi me sukses i këtij procesi ndihmon në përparimin e gjithëmbarshëm të shtetit dhe shoqërisë tonë”, ka thënë Jahjaga.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ka thënë se legjislativi ka miratuar disa ligje në përpjekje të rrumbullakimit të reformave në drejtësi.

Me këto ligje është synuar fuqizimi i sundimit të ligjit, duke e nxjerrë sistemin e drejtësisë si një nga shtyllat e pavarura të sistemit, ka thënë Krasniqi. Megjithatë ai ka kritikuar institucionet për zbatim të ngadalshëm të këtyre reformave.

“Mendoj se përkundër përfshirjes dhe angazhimit në reformë, sistemi i drejtësisë po ecë me hapa të ngadalshëm në procesin e saj reformues”, është shprehur Krasniqi.

Ndërkaq ministri i Drejtësisë, njëherësh zëvendëskryeministër i Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë se ministria e tij me gjithë vështirësitë ka arritur të bëj hapa konkret në zbatimin e reformave.

Korniza ligjore e Kosovës në fushën e drejtësisë, sipas tij, është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe më e avancuar sesa ajo e vendeve të rajonit.

“Në Republikën e Kosovës, arkitektura e drejtësisë edhe sa i përket legjislacionit, sa u përket gjyqtarëve e prokurorëve por edhe infrastrukturës fizike ekziston. Ekzistojnë standarde të përafërta me ato që janë kërkuar nga faktorët ndërkombëtar e vendor dhe kjo ka qenë rezultat i vullnetit tonë por edhe i prezencës ndërkombëtare. Tani na mbetet që ky sistem të jetë edhe më funksional, më praktik, më efecient dhe njëkohësisht më i besueshëm për qytetarët tanë”, ka deklaruar Kuçi.

Në debat është përfshi edhe Mats Mattson, drejtor i divizionit ekzekutiv i misionit të EULEX-it.

Ai është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin që ka misioni për sundim të ligjit i Bashkimit Evropian me autoritetet e Kosovës. Megjithatë, ai ka vlerësuar se puna e njerëzve të drejtësisë në Kosovë do të ishte shumë më e vështirë pa EULEX-in.

“Në Kosovë ka grupe kriminale që po e vënë në rrezik besimin e qytetarëve në Qeverinë Kosovës”, ka thënë Mattson.

Zbatimi i reformave në drejtësi dhe krijimi i një sistemi të pavarur gjyqësor, është kërkuar në vazhdimësi edhe nga Komisioni Evropian.

Në raportet e progresit, Brukseli u ka bërë me dije autoriteteve të Kosovës se përmbushja e kritereve në këtë fushë paraqet një nga kriteret e domosdoshme në procesin integrues.
XS
SM
MD
LG