Ndërlidhjet

Maqedonia, e përkushtuar në agjendën evropiane


Ilustrim
Ilustrim
Me rëndësi të veçantë për ne, si shtet, është fakti se Këshilli Evropian ka potencuar se Maqedonia i ka plotësuar kriteret politike për të marrë datë për fillimin e bisedimeve, ka theksuar zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane, Fatmir Besimi, duke komentuar vendimin e Këshillit të Ministrave ku bëhet e qartë se Maqedonia nuk do të fitojë datën për nisjen e negociatave.

Megjithatë, zëvendëskryeministri Besimi në këtë vendim nuk sheh arsye pse Maqedonia duhet të humbë vullnetin që edhe më tej të punojë me ngulm në agjendën e përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Brukseli për Maqedoninë.

“Për ne, si shtet, është me rëndësi se Këshilli në konkluzionet e veta ka potencuar se e ndan mendimin e njëjtë me Komisionin Evropian lidhur me rekomandimin për të filluar bisedat me atë që Maqedonia plotëson kriteret për të filluar bisedat me BE-në. Gjithashtu, me rëndësi është dhe fakti që theksohet se mungesa e konsensusit mes shteteve-anëtare të BE-së, është shkaku i dështimit të radhës të Maqedonisë në procesin e integrimeve”.

"Do theksuar dhe konkluza, me të cilën nënvizohet se Këshilli do t`i kthehet edhe një herë Maqedonisë gjatë vitit 2014 në bazë të raporti që do të bëjë Komisioni Evropian për përparimin e vendit”, ka thënë Besimi, për Radion Evropa e Lirë.

Duke komentuar kërkesën e Këshillit të Ministrave që Maqedonia t’i përkushtohet zgjidhjes së kontestit për çështjen e emrit me Greqinë, Fatmir Besimi shprehet optimist se gjatë muajve të ardhshëm mund të arrihet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët.

“Me vetë faktin që Këshilli i Evropës përmend çështjen e emrit, që ky kontest të zgjidhet sa më shpejt që është e mundur në kontekst të integrimeve, për Maqedoninë, paraqet një përkrahje politike dhe mundësi që Komisioni Evropian të ketë hapësirë të ndihmojë në këtë proces”.

“Ajo që është jashtëzakonisht e rëndësishme, e që është theksuar dhe gjatë takimeve bilaterale me zyrtarët e lartë të BE-së, po edhe thirrjet që ka bërë zoti Ahmeti në agjendën e tij politike që të inkuadrohen edhe vendet anëtare të BE-së dhe institucionet evropiane që të ndihmojnë në procesin e zgjidhjes së kontestit për emrin me Greqinë, duke pasur parasysh modele e suksesshme siç ishte rasti me kontestin Kroaci-Slloveni dhe ai së fundmi Serbi – Kosovë”, shprehet Besimi.

Por, me këtë konstatim nuk pajtohet kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, sipas të cilit Brukseli ka dënuar politikën e gabuar drejtuar nga qeveria aktuale, veçanërisht nga faktori politik shqiptar që drejton dikasterin e integrimeve.

“Me politikë tejet të gabuar të qeverisë së Maqedonisë, më së shumti të Ahmetit dhe të BDI-së, me politikë të mashtrimit 6-vjeçar, me gënjeshtra të njëpasnjëshme, unë kam bindjen e plotë se do të ndëshkohet fort nga shqiptarët, kurdo që të jetë mundësia”.

“Përgjegjësia ka arritur te dera e dhomës së Ali Ahmetit dhe ai nuk ka pse të fshihet tash, duhet të dalë të na i sqarojë se cilët ishin turnetë diplomatike dhe mashtrimet e radhës të tij. Mbajnë përgjegjësinë dhe duhet të jenë përgjegjës për këtë situatë”,
është shprehur Thaçi, në Tetovë, pas takimit që ka realizuar me përfaqësuesin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe shef i Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Beograd, Peter Dju.

Ndërkaq, partia maqedonase në opozitë, Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë ka theksuar se rekomandimet e Këshillit të Ministrave do t’i komentoj pas vendimeve që do të ndërmarrë kjo parti, kryesia së cilës pritet të takohet sonte.

Me një porosi të qartë të mërkurën ka dalë ambasadori amerikan në Shkup, Pol Volers, gjatë një ligjërate para studentëve të Universitetit privat “FON” të Shkupit, se pikërisht studentët janë ata që përcaktojnë fatin e një vendi me atë që zgjedhin për kë të votojnë.

“Ju duhet të jeni krenarë për të kaluarën e vendit tuaj, ta respektoni atë, por këtë duhet ta bëni duke mësuar nga e kaluara dhe njëkohësisht duke ecur para, dhe jo duke e definuar veten sipas asaj që ka ndodhur në të kaluarën. Askush nuk do ta kontestojë identitetin tuaj; askush nuk do ta kontestojë faktin se ju jeni maqedonas, apo shqiptarë, ose i përkisni ndonjë etniteti tjetër”.

“Kjo çështje nuk duhet të përcaktojë të ardhmen tuaj, sepse në këtë mënyrë ajo do të jetë shumë e kufizuar. Pra, ju duhet të përcaktoheni se ku dëshironi të shkoni. Do të mendoni tërë kohën për të kaluarën duke debatuar për të, ose do të ecni para. Mendoj se ju duhet të ecni para”
, ka theksuar Volers.

Ndryshe, Këshilli Evropian ka bërë të qartë se Maqedonia nuk do të fitojë datën për nisjen e negociatave, edhe pse për të pestën herë me radhë mori rekomandimin për fillimin e negociatave për anëtarësim duke apostrofuar nevojën urgjente për një politikë konstruktive midis të gjitha palëve politike dhe për një konsensus për interesat nacionale.

BE-ja gjithashtu ka shprehur shqetësime edhe për lirinë e mediave, luftën kundër krimit të organizuar dhe sundimin e së drejtës duke ngritur shqetësimin edhe për gjendjen e rëndë ekonomike, në të cilën po zhytet vendi.
XS
SM
MD
LG