Ndërlidhjet

Ekspozita e familjes Bogujevci me polici dhe protesta

  • RFE /RL

Ekspozita, e cila ka të bëjë me krimet që kanë kryer forcat serbe ndaj familjes Bogujevci, më 1999 në Podujevë, është hapur të mërkurën mbrëma në Qendrën për Kulturë të Beogradit.

Në atë kohë, policia ka mënjanuar rreth 50 persona që kanë protestuar para galerisë, ndërsa në ekspozitë ka qenë i pranishëm edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, si dhe njerëz të tjerë nga jeta publike dhe politike e Serbisë.

E titulluar “Bogujevci – historia vizuale, homazh për të gjitha familjet dhe viktimat e luftës”, ekspozita është vepër e Fatos, Jehona dhe Saranda Bogujevcit, të cilët si fëmijë kanë mbijetuar masakrën.

Në një fjalim të shkurtër për të pranishmit, Saranda ka shfaqur shpresën se publiku beogradas do ta vizitojë ekspozitën.

“Për ne është shumë e rëndësishme që jemi këtu. Kemi ndjenjën se e kemi pasur të shkruar të mbijetojmë për të treguar historinë tonë, për të treguar të vërtetën. Shpresoj se njerëzit do të vijnë për ta parë ekspozitën”, ka thënë Saranda.

Edhe pse projekti i është dedikuar një krimi të caktuar, kryeministri serb, Daçiq, ka këmbëngulur në krimet e kryera nga të gjitha palët.

“Do të doja të dënohen të gjithë ata që kanë kryer krime ndaj popullatës civile në luftërat në ish-Jugosllavi. Në anën tjetër, uroj që e vërteta të mund të tregohet kështu në të gjitha pikat e ish-Jugosllavisë: edhe në Zagreb, edhe në Knin, edhe në Sarajevë, edhe në Banjallukë, edhe në Prishtinë”, ka thënë Daçiq para gazetarëve.

Shkuarja e Daçiqit në ekspozitë është një gjest i rëndësishëm, por ndryshimi i shoqërisë serbe nuk mund të bëhet vetëm me disa veprime protokollare, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Ҫedomir Jovanoviq, kryetar i Partisë Liberal-Demokrate të Serbisë, i cili po ashtu ka qenë i pranishëm në hapjen e ekspozitës.

“Shpresoj se ardhja e tij këtu do të iniciojë procesin, për të cilin Serbia ka nevojë. Ne jemi distancuar nga vitet ’90, por nuk kemi ndryshuar shumë”, është shprehur Jovanoviq.

Mia David, drejtore e Qendrës për Kulturë të Beogradit, ka thënë se është shumë e rëndësishme që një ekspozitë e tillë është hapur në një institucion publik të qytetit.

“Ky është fillimi i dialogut, fillimi zyrtar i një kapitulli krejtësisht të ri në marrëdhëniet e pasluftës. Për mua është kënaqësi e veçantë që Qendra për Kulturë e Beogradit është institucioni ku kjo po ndodh”, ka thënë David.

Hapja e kësaj ekspozite në Beograd tregon se është pjekur momenti politik që diçka e tillë të ndodhë, ka thënë në anën tjetër Maja Miqiq, nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.

“Është shumë e rëndësishme që biseda për ekspozitën të mos përfundojë sonte. Kjo nuk është vetëm ekspozitë, kjo është histori personale dhe leksion. Duhet të konsiderohet edhe ky aspekt dhe ajo se çfarë do të thotë për brezin e ri. Bëhet fjalë për tragjedi, e cila është leksion për të ardhmen e të gjithë neve”, ka thënë Miqiq.

Ekspozita “Bogujevci – historia vizuale, homazh për të gjitha familjet dhe viktimat e luftës” është hapur me gjithë reagimet e stuhishme të një pjese të publikut dhe të mediave në Beograd, që e kanë karakterizuar atë si “propagandë shqiptare”.

Më 28 mars të vitit 1999 në Podujevë, pjesëtarë serbë të formacionit “Shkorpionët” kanë vrarë 14 persona, në mesin e tyre gra dhe fëmijë. Pesë fëmijë të plagosur rëndë kanë mbijetuar, në mesin e tyre edhe Saranda, Jehona dhe Fatosi. (v.tela)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG