Ndërlidhjet

Në tregun kosovar ka mungesë të theksuar të qarkullimit të parasë së gatshme dhe kjo ka rritur nivelin e këmbimit të mallrave, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Këmbimi i mallrave është pjesë e ekonomisë i cili nënkupton ndërrimin e mallrave për mall ose për para. Këmbimi i mallrave është veprim ekonomik i nevojshëm, me që në një vend nuk mund te prodhohen të gjitha prodhimet e nevojshme për jetën e njerëzve.

Arsye e mungesës së parave të gatshme në treg, sipas ekspertëve është për shkak të nivelit të lartë të eksportit, deficitit tregtar, mbajtjes jashtë tregut kosovar, mjetet e Trustit të Kursimeve Pensionale dhe bllokimit të fondit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se mungesa e parave të gatshme në tregun financiar të Kosovës, po zvogëlon kërkesat agregate, qytetarët tashmë kanë më pak para për të blerë mallra dhe shërbime.

“Kjo vjen deri te zvogëlimi i shitjeve dhe aktiviteteve ekonomike. Problemi është se për shkak të mungesës së parave të gatshme, shumë kompani po fillojnë këmbimin, si kundër vlerë në vend të mjeteve marrin objekte, pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme. Kjo drejtpërdrejt ndikon në tërheqjen e parasë së gatshme nga qarkullimi”, thotë Bektashi.

Mungesa e parave të gatshme ka bërë që ekonomia kosovare të jetë e stër-ngarkuar me borxhe në mes bizneseve, dhe kjo dukuri do ndikojë edhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, thotë Muhamet Sadiku, profesor në Kolegjin “Riinvest”.

Problemi i likuiditetit, që ka përfshirë kompanitë vendore, thotë Sadiku, i ka detyruar këto të fundit që gjejnë forma tjera të financimit, duke hyrë në borxhe, kredi ose në mbitërheqje (overdrafte) në bankat komerciale, si formë më shpejtë e sigurimit të parave të gatshme.

“Mungesa e kesh-it i shtynë kompanitë që problemet t'i zgjedhin ose më këmbim, respektivisht me kompensim, me hyrje në borxhe të reja, sidomos në hyrje më kredi të reja”, thotë Sadiku.

Mosqarkullimi i parave të gatshme në tregun kosovar është duke u reflektuar konkretisht te kompanitë ndërtimore, thotë Sadiku, duke shtuar se këto të fundit janë të obliguara që të gjitha projektet për ndërtim t'i bazojnë në këmbime.

“Do të thotë obligimet, kompanitë ndaj furnizuesve dhe shërbyesve i përfundojnë për mes dhënies se banesave ose materialeve të ndryshëm”, thotë ai.

Edhe disa afaristë pohojnë se forma e këmbimit të mallrave është aktuale në këtë kohë.

Basret Selimi, është një nga aksionarët e kompanisë "Enggroup" në Prishtinë. Kjo ndërmarrje bën projektimin dhe ndërtimin e objekteve të ndryshme.

Selimi tregon se kompanitë, firmat kontraktuese për ndërtim apo shërbime, i kompensojnë me objekte apo mallra të ndryshme.

Por, edhe në rast të realizimit të ndonjë projekti për kompani tjetër ndërtuese nuk kompensohet më para të gatshme, por më ndonjë banesë, në ndërtesën për të cilën është realizuar projekti.

“Kur përfundojmë ndonjë shërbim në kompani tjetër, në shumicën e rasteve marrim banesa, lokale, varet nga vlera e mallit. Kjo paraqet problem për biznese, sepse qarkullimi më i madh i parave në treg do të ndikonte në rritjen e kualitetit të punës dhe punëtorët paguheshin me rregull”, thotë Selimi.

Sidoqoftë, ekspertë të ekonomisë, vlerësojnë se shfrytëzimi i kredive dhe përdorimi i mbitërheqjes në bankat komerciale nga bizneset kosovare e përforcon faktin se kompanitë nuk kanë fuqi paguese.

Më herët nuk është përdorur shumë mbitërheqja e parave nga bizneset apo individët, por në vitet e fundit sipas tyre, kthimi te ky lloji i shpejtë financimi, tregon për krizën që ka përfshirë aktivitetin ekonomik.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG