Ndërlidhjet

Shumëllojshmëria amerikane në Olimpiadë

  • RFE /RL

Pamje nga Soçi

Pamje nga Soçi

Shtëpia e Bardhë thotë se delegacioni i Shteteve të Bashkuara, që po dërgohet në Lojërat Dimërore Olimpike në Soçi të Rusisë, paraqet shumëllojshmërinë e Shteteve të Bashkuara.

Zëdhënësi Jay Carney tha se përbërja e delegacionit nuk është mesazh i fshehtë për trajtimin e homoseksualëve në Rusi. Sipas tij, presidenti amerikan, Barack Obama, ishte i hapur në opinionet e tij për këtë çështje.

Ne ishim shumë të qartë – presidenti ishte shumë i qartë se ai e sheh si fyese ligjin kundër komunitetit LGBT në Rusi, për shembull. Ne kemi marrë qëndrim të qartë dhe të fuqishëm për këtë çështje si dhe për reduktimin e shoqërisë civile në Rusi, pastaj për keqtrajtimin e shkaktuar ndaj atyre që kanë protestuar kundër korrupsionit në Rusi. Të gjitha këto çështje që ne i kemi me Rusinë, ne jemi shumë të hapur për to”, tha Jay Carney.

Në delegacion përfshihet ish-ylli i tenisit amerikan femëror, Billie Jean King, dhe një sportiste tjetër që haptas deklarohet se i takon këtij komuniteti, hokejistja në akull, Caitlin Cahow.

Nga ana tjetër, në delegacion nuk do të jetë presidenti, zëvendëspresidenti ose zonja e parë, dhe kjo ndodhë për të parën herë prej vitit 2000.

Presidenti amerikan, Barack Obama, sikur edhe presidentët e Francës dhe të Gjermanisë, nuk do të jenë në Soçi këtë vit.

I fundit në mesin e presidentëve që ka shpallur se nuk do të udhëtoj në Soçi është presidenti i Moldavisë.

Presidenti Vladimir Putin ka investuar shumë para dhe kohë për ta paraqitur Soçin si rast pozitiv për Rusinë.

Por, qeveria e tij është kritikuar ndërkombëtarisht për të arriturat e dobëta në fushën e të drejtave të njeriut dhe për legjislacionin me të cilin ndalohet “propaganda e marrëdhënieve jotradicionale seksuale” në mesin e të miturve.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, po ashtu, është kritikuar për vendimin që lojërat të mbahen në Rusi.

Më herët këtë vit, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, tha se Rusia do ta krijoj një zonë për protesta publike në Soçi, për “njerëzit që dëshirojnë t’i shprehin opinionet e tyre ose dëshirojnë të demonstrojnë për ose kundër ndonjë çështjeje”.

Zoti Bach më parë pat thënë se nga presidenti Putin kishte marrë sigurime se homoseksualët nuk do të diskriminohen në Soçi. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG