Ndërlidhjet

Dëmtohet kredibiliteti i UP-së


Rektorati i Unversitetit të Prishtinës

Rektorati i Unversitetit të Prishtinës

Arrestimet e fundit në Universitetin e Prishtinës, pezullimet dhe shkarkimet që kanë ndodhur në këtë institucion publik, nën dyshimet për afera korruptive, kanë nxitur debate edhe në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës.

Në këtë valë të fundit të shpërfaqjes së dyshimeve për korrupsion, mediat e shkruara në Kosovë kanë publikuar mesazhe telefonike të disa personave, të cilët dyshohet se kanë bërë pazar me provime dhe regjistrime në disa fakultete.

Gazeta e përditshme “Koha Ditore”, ka publikuar mesazhe që flasin konkretisht për shuma të parave që janë folur të shkëmbehen me studentët për regjistrim dhe nota.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Demolli, në seancën e Kuvendit të Kosovës tha se aferat korruptive në Universitetin e Prishtinës po dëmtojnë imazhin e arsimit të lartë në vend. Ai, madje, është i mendimit se në këto afera janë të përfshirë edhe përfaqësues të lartë të universitetit.

“Është e pakontestueshme që personat e arrestuar të UP-së kanë mundur të shërbejnë vetëm si ndërmjetësues, sepse ata nuk kanë pasur kompetenca ligjore, as të regjistrojnë dikë në fakultet, e as të japin nota në ndonjë lëndë. Përfundimi logjik është se përfitues dhe akter kryesor i këtyre aferave korruptive është dikush tjetër, pra dikush që ka pozitë më të lartë, qoftë në procesin e mësimdhënies, qoftë në menaxhmentin e fakultetit apo të universitetit”, tha Demolli.

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës kërkoi nga mekanizmat e drejtësisë që lufta kundër korrupsionit në arsimin e lartë, të mos të ndalojë vetëm me arrestime dhe ndëshkimin e hallkës së parë, por të vazhdohet deri në fund, duke i vënë para drejtësisë kryerësit e këtyre veprave penale.

Agjencia Kosovare Kundër-korrupsion, është mekanizëm që merret me luftimin e dukurisë së korrupsionit. Hasan Preteni, drejtor në këtë agjenci tha për Radion Evropa e Lirë se kanë pasur disa raste të ngritjes së kallëzimeve penale që ndërlidhen me Universitetin e Prishtinës.

“Mund të them se kemi pasur disa kallëzime penale kundër disa zyrtarëve që përkojnë me natyrën e problematikës, e cila tani po trajtohet. Kemi pasur lëndë që kanë pasur të bëjnë edhe me regjistrim në fakultet, edhe me punësim, edhe me falsifikimin, por edhe raste të tjera që kanë të bëjnë edhe me shpenzimin e parasë publike që lidhet me Universitetin e Prishtinës”, bëri të ditur Preteni.

Në anën tjetër, aferat korruptive në Universitetin e Prishtinës nga ekspertë të fushës së arsimit, konsiderohen veprime të dëmshme, dëme këto, që sipas tyre, janë edhe të pariparueshme.

Halim Hyseni nga Qendra për avancimin e performancës së sistemit të arsimit, tha se shumë kohë më parë ishte paralajmëruar se në arsimin e lartë, por edhe në atë parauniversitar, ka parregullsi të shumta.

“Rasti i fundit e ka dëmtuar, jo vetëm kredibilitetin e institucionit të arsimit të lartë publik, por edhe kredibilitetin e Kosovës. Është mjaft e vështirë që ky kredibilitet të kthehet dhe të riparohet. Është koha e fundit që të shkohet deri në fund dhe të gjitha ato vepra që kanë ndodhur, të zbardhen deri në pikën e fundit dhe të fillohet një proces krejtësisht i ri i riparimit ”, vlerësoi Hyseni.

Ndryshe, lufta kundër korrupsionit është një nga sfidat më serioze përballë institucioneve të Kosovës, të cilat jo rrallë herë thonë se ndaj kësaj dukurie do të ketë zero tolerancë.

Për ta adresuar këtë fenomen,janë themeluar disa mekanizma, që për synim kanë parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës vetëm gjatë pjesës së dytë të këtij viti janë hapur 67 raste; 34 raste janë të mbetura nën hetime, si dhe janë arrestuar 37 persona të dyshuar për përfshirje në aktivitete korruptive.

Në raportin e fundit të Transparency International, organizatë kjo e cila merret me Indeksin e Perceptimit mbi Korrupsionin, Kosova ka shënuar ngecje, duke rënë nga pozita e 105-të në atë të 111-të.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG