Ndërlidhjet

logo-print
Protestuesit në Sheshin e Pavarësisë së Kievit, ose Maidan siç njihet ndryshe, përballen tani edhe me një realitet shqetësues: ndërhyrjen e Rusisë.

Reagimi i presidentit rus, Vladimir Putin, duke i dhënë hua Ukrainës 15 miliardë dollarë dhe duke i zvogëluar çmimin e gazit, ka shpëtuar ekonominë e Ukrainës, së paku për një kohë të shkurtër.

Reagimi në shesh për lajmin se Rusia ka mbështetur presidentin ukrianas, Viktor Yanukovych, ka qenë i zemëruar.

Olegu, një punonjës nga Lvivi, ka thënë se “këto dhurata nuk janë zgjidhje; nuk kemi ardhur këtu për gjëra materiale, por për liri”.

Lena, e cila punon për një kompani interneti në Kiev, thotë se paratë “do të shkojnë për njerëzit në krye, ndërsa çmimi i gazit për ne do të jetë i njëjtë”.

Një tjetër vajzë, ndërkaq, e pyetur se çfarë ka sakrifikuar Yanukovychi për të fituar paratë, ka thënë se “ka sakrifikuar kombin”.

Zemërimi për kreditë ruse, të cilat zëdhënësi i Qeverisë i ka përshkruar si një akt bujar i Rusisë, në krahasim me ofertën koprrace të Bashkimit Evropian, demonstron një fakt të rëndësishëm në lidhje me protestën.

Opinioni në Ukrainë mund të jetë i ndarë mbi protestat, por demonstruesit kanë monopol mbi entuziazmin.

Maidani në mes të dhjetorit ka karakteristikat e një ringjalljeje kombëtare, me elemente të luftës kozmike. Një grua që shiste libra në gjuhën ukrainase, më tha se Ukraina do të vendosë fatin e botës.

Gjatë natës, Maidani mbledh mijëra njerëz, pavarësisht të ftohtit. Vajzat e reja u japin të huajve “përqafime falas”, ndërsa laserët e gjelbër shkruajnë fjalët “bashkimi është fuqi” në muret e ndërtesave përreth.

Rock-muzikantët argëtojnë turmën, ndërsa protestuësit valëvisin flamujt e Ukrainës në përputhje me tingujt e muzikës.

Disiplina e rreptë rrit ndjenjën e unitetit. Askush në shesh nuk lejohet të jetë i dehur.
Situata në Maidan është kontrast i thellë me protestën zyrtare, që është zhvilluar të dielën në Sheshin e Evropës dhe ka tërhequr nga 10,000 deri në 50,000 persona.

Një punëtor nga Karpatet më ka thënë se është paguar për t’iu bashkuar protestës, përndryshe do t’i bashkohej turmës në Maidan.

Situata me korrupsionin në Ukrainë është e ngjashme me atë që ekziston në Rusi, por ka disa dallime. Ukraina nën ish-presidentin Leonid Kuchma ka qenë e korruptuar dhe autoritare.

Përparim kundër korrupsionit ka pasur menjëherë pas Revolucionit të Portokalltë më 2004. Ish-presidenti Viktor Yushchenko ka shkarkuar mijëra policë të trafikut. Për një kohë, korrupsioni në trafik pothuajse nuk ka ekzistuar.

Nën Yushchenkon, inspektimet tatimore kanë qenë shpesh arbitrare, por ka pasur gatishmëri më të madhe të qytetarëve të zakonshëm për t’u ngritur kundër zyrtarëve të korruptuar dhe për të apeluar për mbështetje në media dhe gjykata.

Pasi Yanukovych është bërë president, inspektimet tatimore janë bërë instrumenti kryesor i kontrollit politik. Taksat janë të larta.

Punëdhënësit paguajnë 67 centë për çdo dollarë në pagë. Pjesa më e madhe e të ardhurave tatimore gjithashtu ushqejnë korrupsionin.

Në këto rrethana, situata ngjan me atë në Rusi. Punëdhënësit përpiqen të zvogëlojnë pagat dhe numrin e punëtorëve të tyre dhe të bëjnë pjesën më të madhe të biznesit jashtë vendit. Kjo i bën ata të prekshëm nga ndjekja penale për shmangie të taksave, në rast se bien në konflikt me autoritetet.

Demonstratat kanë shpërthyer papritur, por ato refelketojnë zemërimin e mbledhur të ukrainasve për kushtet në të cilat jetojnë.

Shumë demonstrues druajnë se nëse dështojnë, e ardhmja evropiane që ata imagjinojnë, do të zhduket dhe do të bien përgjithmonë nën kontrollin e Rusisë.

“Nëse Yanukovych fiton, druajmë se nuk do të ketë zgjedhje të tjera. Yushchenko nuk ka ndërhyrë në zgjedhje, por tani do të kemi mandatin e parë të Yanukovychit, pastaj të dytin. Pastaj do të jetë mandati i parë dhe i dytë për djalin e tij të parë, e pastaj mandati i parë për djalin e dytë”, thotë një gazetare në Kiev, me emrin Oksana.

Pas tre javësh, protesta nuk tregon shenja të zbehjes. Përkundrazi, shërbimet e saj të ushqimit dhe brigadat e vetëmbrojtjes janë institucionalizuar.

Shumë protestues e shohin Euromaidanin si shansin e tyre të fundit për një jetë më të mirë.

Përreth një zjarri, një grup njerëzish diskutonte për shtëpinë e Yanukovychit, për të cilën thoshte se ka tualet të praruar me ar dhe kopsht privat zoologjik.

Njëri prej tyre thoshte se “vetëm një kafshë mungon në kopshtin e tij”. E kam pyetur: cila? Është përgjigjur: “Vet Yanukovych”.(v.tela)
XS
SM
MD
LG