Ndërlidhjet

Rreth një e treta e popullatës në botë është e infektuar nga tuberkulozi. Sipas profesionistëve shëndetësorë, çdo 10 sekonda, një person vdes në botë nga tuberkulozi dhe një i prekur nga kjo sëmundje mund të infektojë 10 deri në 15 njerëz brenda një viti.

Në Kosovë, gjatë këtij viti janë regjistruar rreth 1,000 raste me tuberkuloz, thotë Gazmend Zhurri, pulmolog.

"Sa i përket tuberkulozit, gjendja nuk është e mirë. Krahasuar me numrin e të prekurve me këtë sëmundje me vitin 1999 kemi rënie të numrit ndër vite, por tash rreth 950 pacientë të rinj preken me këtë mundje gjatë vitit".

"Kushte ka, pacientët trajtohen sipas strategjisë që aplikohet në tërë botën. Barnat janë falas, që merren përmes organizatave të ndryshme. Fondi global ndihmon shumë për këtë sëmundje, pasi që është përkrahësi kryesor në trajnimin e mjekëve infermierëve".

"Në QKUK, në klinikën e mushkërive janë 68 shtretër gjithsej dhe rreth 40 për qind janë pacientë me tuberkuloz. Një pjesë e tyre është me tuberkuloz aktiv, disa nga ta me ndryshime të vjetra dhe janë në ritrajtim. Duhet të shkohet me shkurtim të ritrajtimit me tuberkuloz që është edhe një prej rekomandimit të OBSH-së , dhe më tej këta pacientë të mjekohen në qendrat e mjekësisë familjare", bën të ditur Zhurri.

Projekti i Fondit Global në Kosovë, paraqet mbështetjen kryesore në luftën kundër tuberkulozit.

Shuma e Fondit Global që i dedikohet Kosovës, është 5 milionë dollarë për 5 vjet.

Skënder Syla, udhëheqës i zyrës së OBSH-së në Kosovë, ka bërë të ditur se viteve të fundit janë shfaqur edhe forma shumë rezistente gjatë trajtimit ndaj tuberkulozit.

Ai ka thënë se kërkohet nga vendet që të krijohen sisteme adekuate shëndetësore në mënyrë që të identifikojnë me kohë të sëmurët, dhe t’i trajtojnë në mënyrë adekuate ata.

Sipas tij, Kosova ka bërë përparim të dukshëm në drejtim të kontrollit të tuberkulozit.

Tuberkulozi është një sëmundje ngjitëse, e cila nga personi i sëmurë tek ai i shëndoshë përhapet përmes ajrit, pështymës, teshtitjes dhe kollitjes.

Shenjat e paraqitjes së tuberkulozit janë plogështia, zbehja, humbja e oreksit si dhe temperatura e lartë.

Edhe Musa Hoxha, pulmolog, vlerëson se gjendja aktuale me numrin e të prekurve me tuberkuloz nuk është e kënaqshme.

"Në bazë të rasteve që kemi me forma të rënda të tuberkulozit, janë indikator epidemiologjik e që nënkupton se kjo sëmundje nuk po ka rënie. Gjendja është jo e mirë. Sa i përket kushteve për trajtim, ato janë përmirësuar, është bërë renovimi i klinikës, ilaçe antituberkulare ka, dhe barnat pa pagesë janë për gjithë pacientët", shprehet Hoxha.

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, sa i përket analizimit të gjendjes shëndetësore, ky institut ka kapacitete ekzistuese që ta monitorojë tuberkulozin, pasi që, sipas tyre, tashmë kjo sëmundje është e njohur dhe ekzistojnë të dhëna për të.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG