Ndërlidhjet

Në Kosovë, në vigjilje të festave të fundvitit kanë filluar tashmë të bëhen përgatitje të shumta që këto festa të priten në një atmosferë festive.

Në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, në sheshin ‘Nënë Tereza”, aty ku edhe parashihet që qytetarët të mblidhen dhe të presin ndërrimin e vitit, janë ndriçuar rrugët me dekorime të shumta.

Për këtë Komuna e Prishtinës ka ndarë një buxhet prej 65 mijë euro.

Dekorime e ndriçime janë bërë edhe në mënyrë individuale nga bizneset, por edhe në ambientet familjare.

Qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, sjellin mendimet e tyre rreth organizimeve që ata bëjnë për festat e fundvitit.

Problemi kyç që ata e theksojnë mbetet pamundësia që këto festa t’i presin në ndonjë nga shtetet tjera të botës, ku ata do të dëshironin.

Mungesa e vizave dhe kushtet jo të mira ekonomike thonë disa prej tyre janë arsyet që festat e fund vitit ata i presin në Kosovë.

Rron Rexha 23 vjeç nga Prishtina thotë se mospërfshirja e deritashme e Kosovës në liberalizmin e vizave e bërë atë të ndihet i injoruar si dhe ta përjetojë vendin, si një geto të izoluar.

Sikur të mos ishte kjo situatë thotë ai, festat e fundvitit nuk do t’i priste në Kosovë.

“Në Amsterdam do të shkoja me dëshirë. Atje organizohet pritje e mire e Vitit të Ri. Këtu në Kosovë nuk ke asgjë atraktive që të bën ty të ndiesh mirë dhe të festosh ashtu si festohet Viti i Ri në botë. Nuk pres ndonjë manifestim të duhur në Prishtinë”, thotë Rexha.

Për të lëvizur në vendet e ndryshme të botës nga Kosova, thotë është mjaft e vështirë edhe Mirjeta Abazi studente në Universitetin e Prishtinës. Ajo thotë se janë procedura të lodhshme në marrjen e vizave nga ambasadat përkatëse.

“Në Londër do të dëshiroja të shkoja me shumë dëshirë, por me pengon të shkoj atje, nuk kam vizë për atë shtet, po ashtu për të marrë vizë duhen procedura të cilat janë të shumta dhe të marrin shumë kohë dhe nuk e ke të sigurtë se a mund ta marrësh apo jo”, thotë ajo.

Dëshirën të festuar Vitin e Ri në Londër e ka edhe Shpend Lipa, një djalë i ri i cili jeton në qytetin e Pejës.

“Në Londër do të dëshiroja të shkoj sepse atje e kanë rregulluar mirë dhe festohet më mirë, më pëlqen të shkoj shumë”, thotë ai, i cili shpreson se një ditë do ta realizojë këtë dëshirë.

Kosova vazhdon të jetë shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ende ka regjim të vizave në zonën Shengen.

Ky regjim i vizave jo vetëm që përbën pengesë për lirinë e lëvizjes së njerëzve, duke i bërë ata më të izoluarit në botë, por edhe pengon perspektivën e zhvillimit ekonomik për të cilën ka shumë nevojë Kosova.

Viti 2013 fillimisht ka qenë i proklamuar nga Qeveria e Kosovës si vit i liberalizimit të vizave.

Gjasat që zvogëluan çështjen që qytetarët e Kosovës të kalojnë fazën e izolimit drejt qarkullimit të lirë nëpër vendet e Bashkimit Evropian, përveç ngecjeve në përmbushjen e kritereve, ishin edhe rritja e migrimeve ilegale dhe numri i azilkërkuesve nga Kosova për në vendet e BE-së, si dhe rekomandimi i Parlamentit Evropian që edhe për vendet e Ballkanit tashmë të përfshira në liberalizimin e vizave, mund të kthehet regjimi i mëparshëm nëse nuk i zbatojnë kriteret evropiane.

Sidoqoftë, Flamur Mustafa, qytetar, vlerëson se nëse për festat e fund vitit organizohet një festë madhështore do të bënë të veçantë festën. Ai Preferon që festat e fundvitit t’i festojë më shokë dhe brenda Kosovës.

“Do të dëshiroja të shkoj diku në një vend malor brenda Kosovës dhe të festoj Vitin e Ri”, thotë ai.

Jasin Bajrami ,19 vjeç student i Fakultetit të Edukatës Fizike nuk preferon që të udhëtojë jashtë vendi për Vit të Ri edhe të sikur të kishte mundësi, i pëlqen të organizojë festa me shoqëri.

“Mua më pëlqen vendi im dhe organizimet që bëhet për festa, preferoj që me familje apo shoqëri të festoj në Mitrovicë në qytetin ku unë jetoj”, shton ai.

Disa të rinj thonë se janë edhe të kënaqur me organizimet që bëhen për festat në Kosovë.

Antigona Pjetraj një vajzë e re, nga qyteti i Klinës thotë se preferon të festojë më familjen.

“Ambienti familjar për mua është më i përshtatshmi për festa, më pëlqen si organizohen dhe çdo vit po organizohet edhe më mirë”, thotë ajo.

Ndërsa, Zana Elezi shprehet e kënaqur edhe më dekorimet dhe ndriçimet që janë bërë në qytetin e Prishtinës.

“Më pëlqen si është organizuar, ndriçimet, rregullimet e bëra ka aktivitete të ndryshme që po organizohen dhe që pritet të bëhen. Është mirë, më pëlqen”, thotë ajo.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG