Ndërlidhjet

Statusi ligjor i kryetarit të Kuvendit nuk dihet ende


Jakup Krasniqi, foto nga arkivi
Jakup Krasniqi, foto nga arkivi
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka qëndruar të premten në zyrat e misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, të cilat gjenden në dalje të qytetit të Prishtinës.

Mediat vendore raportojnë se zoti Krasniqi është “ftuar nga prokuroria speciale për t’u përgjigjur në lidhje me dyshimet, të cilat janë ngritur në një aktakuzë të Gjykatës Themelore të Mitrovicës muajin që shkoi, kundër atij që njihet si ‘Grupi i Drenicës’”.

Në përbërje të këtij grupi gjendet edhe Sami Lushtaku, kryetar i zgjedhur i Komunës së Skënderajt, dhe Sylejman Selimi, ambasador i Republikës së Kosovës në Shqipëri, kurse aktakuza përfshin dyshime për krime lufte kundër popullatës civile, gjatë periudhës 1998-1999.

Deri në orët e pasdites, zyrtarë të EULEX-it nuk kanë dhënë asnjë prononcim mbi këto njoftime.

Kontakti me zotin Krasniqi ndërkaq ishte i pamundur.

Avokati Mexhid Syla, tha për Radion Evropa e Lirë se ai nuk është avokat mbrojtës i zotit Krasniqi, por e ka shoqëruar atë në “këtë takim të thirrur nga EULEX-i”.

Sipas zotit Syla, statusi ligjor i kryetarit të Kuvendit nuk dihet ende dhe se ai “është ftuar për të dhënë disa sqarime”, lidhur me disa dyshime që kanë të bëjnë me rastin e “Grupit të Drenicës”.

Takimi i sotëm, tha zoti Syla, është thirrur nga një prokurore, "në bazë të asaj që është thënë deri më tash në mediat vendore mbi rastin në fjalë".
XS
SM
MD
LG