Ndërlidhjet

logo-print
Shumë objekte afariste hoteliere në Kosovë, nga përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e konsumatorit, konsiderohet se nuk i përmbushin standardet higjienike sanitare. Ata thonë se në raport me restorante, hotele e kafiteri të vendeve të rajonit, Kosova në këtë fushë konsiderohet të jetë në një gjendje shqetësuese.

Kryetari i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se numri i vogël i inspektimeve të objekteve afariste hoteliere, bën që kushtet higjienike sanitare të këtyre subjekteve, të jenë nën nivelin e dëshiruar.

“Në raport me çajtoret, mund të themi mirë, se gjendja te restorantet e hotelet është goxha në nivel. Por, nëse u referohemi standardeve të hotelerisë dhe turizmit, gjendjes në rajon dhe nëse i referohemi bilancit mes numrit të hoteleve dhe restoranteve në raport me kapacitete të inspektorëve të mbikëqyrjes së rregullt, atëherë nuk kam shumë guxim të jap rezultatin, pasi që është shumë zhgënjyes”, thotë Kaçaniku.

Me qëllim të vënies së bazës ligjore për rregullimin e kualitetit të ushqimit, zbatimin e masave për pengimin dhe eliminimin e sëmundjeve ngjitëse, si dhe kontrollimin e kushteve higjenik sanitare të këtyre subjekteve afariste, Kosova në vitin 2013 ka miratuar Ligjin për Inspektoratin sanitar.

Kryeinspektori sanitar, Ibrahim Tërshnjaku, nga Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit të Kosovës, thotë se është shënuar progres sa i përket nivelit të kushteve higjienike sanitare në vendet ku këto subjekte punojnë.

“Inspektorati sanitar, i cili ka përgatitur planin e kontrolleve zyrtare për inspektimin e objekteve afariste hoteliere, këtë vit ka realizuar planin në inspektimin sanitar të kushteve higjienike sanitare, të kontrollit të ushqimit, të gjendjes shëndetësore të punonjësve që kanë kontakt të drejtpërdrejtë me ushqimin, dhe nga kjo kemi rezultuar se nga vitit në vit kemi një progres të shtuar sa i përket nivelit të standardit të kushteve higjienike sanitare dhe pajisjeve dhe stabilimenteve me të cilat këto subjekte punojnë”, bën të ditur Tërshnjaku.

Por Tërshnjaku thotë se ka numër të vogël të inspektorëve sanitarë. Sipas tij, niveli qendror i Inspektoratit, brenda këtij viti ka bërë mbi 2 mijë inspektime, derisa në nivelin lokal numri i inspektimeve arrin mbi 12 mijë.

“Numri i inspektorëve është i vogël. Në nivelin qendror tani kemi arritur të konsolidojmë strukturën e inspektorëve, por në nivel lokal kemi ngecje. Megjithatë, ne kemi mundur të organizojmë që në ato komuna ku mungon inspektori, të dërgojmë inspektorë nga qendra me kusht që ta mbulojmë atë regjion ku nuk ka inspektorë të mjaftueshëm”, shpjegon Tërshnjaku.

Mungesa e kontrollit të të gjitha objekteve hoteliere, restoranteve e kafiterive, sipas kryetarit të Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka bërë që Kosova në fushën e hotelerisë, të jetë larg standardeve evropiane.

“Me një standard të tillë ne jemi shumë larg të hyjmë në garë të integrimeve evropiane dhe e kemi problem të bëjmë garë me të gjitha shtetet e rajonit, e të cilat fatmirësisht për ta, qëndrojnë shumë më mirë. Por, për fat të keq ne qëndrojmë shumë më larg, mund të jenë shumë pak hotele, me të cilat ne mund të krenohemi dhe të jemi të sigurt”, shton Kaçaniku.

Konstatimi i mosmbajtjes së higjienës, këto lokale hoteliere e ushqimore, sipas Ligjit duhet të gjobiten. Masa e gjobës është prej 5 mijë deri në 10 mijë euro për personat fizikë, për personat juridik prej 10 mijë deri në 15 mijë euro, ndërsa për personat përgjegjës 1 mijë deri në 1,500 euro.

Ndërkaq, për pengimin dhe kërcënimin në ushtrimin e detyrës së inspektorëve sanitarë, masa e gjobës është prej 10 mijë deri në 15 mijë euro për personat fizikë, për personat juridikë prej 20 deri në 35 mijë euro, ndërsa për personat përgjegjës 3 mijë deri në 5 mijë euro.

Mjetet financiare të arkëtuara nga gjobat, derdhen në buxhetin e konsoliduar të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG