Ndërlidhjet

Ban zotohet të mobilizojë ndihmë për Filipinet


Filipine - Një njeri shkruan porosi në një fushë basketbolli "Ndihmë, SOS, kemi nevojë për ushqim" (Ilustrim)

Filipine - Një njeri shkruan porosi në një fushë basketbolli "Ndihmë, SOS, kemi nevojë për ushqim" (Ilustrim)

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon porositi të shtunën të mbijetuarit e tajfunit Haiyan në Filipine se do të mobilizoj ndihmën ndërkombëtare për t’i ndihmuar ata që të rimarrin veten nga fatkeqësia që i goditi muajin e shkuar, duke lënë mbi 6 mijë të vdekur dhe 4 milion njerëz pa strehim.

“Mos u dëshpëroni. Kombet e Bashkuara ju qëndrojnë pas. E gjithë bota është pas jush”, tha ai gjatë një vizite në qytetin Tacloban, që është kryeqyteti i krahinës së goditur më së rëndi, ajo Leyte.

OKB-ja ka bërë një thirrje ndërkombëtare për ndihmë në emergjenca në vlerë prej 790 milion dollarë. Por vetëm 33 për qind të asaj shumë janë financuar deri më tani.

“OKB-ja do të vazhdoj të mobilizoj resurset”, tha Ki-moon derisa ecte mbi gërmadhën e një anije që kishte ngec në qytet pas përmbytjeve.

Para vizitës në Tacloban, shefi i Kombeve të Bashkuara u takua edhe me presidentin Benigno Aguino dhe zyrtarë tjerë shtetëror në Manila.

Sipas të dhënave të agjencisë për menaxhimin e krizave në Filipine, 6,102 persona kanë vdekur dhe 1,779 persona llogariten si të zhdukur nga katastrofa natyrore që shkaktoi tajfuni.

Mbi 27,000 persona janë lënduar nga kjo tragjedi.
XS
SM
MD
LG