Ndërlidhjet

Obama përkrah homoseksualët e ekipit olimpik amerikan


Ilustrim
Ilustrim
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, tha se përfshirja e tre atletëve të deklaruar si homoseksualë në ekipin zyrtar amerikan që merr pjesë në Lojërat Olimpike në Sochi të Rusisë, demonstron idealet e Amerikës për të mos gjykuar njerëzit, për shkak të orientimit të tyre seksual.

Përbërja e delegacionit amerikan shihet si një sfidë për Rusinë, e cila ka adaptuar një ligj kontravers, me të cilin ndalohet “propaganda e marrëdhënieve jo-tradicionale seksuale” për të miturit.

Këto masa janë dënuar nga kritikët si diskriminuese ndaj homoseksualëve.
Obama gjatë një konferencë të premten mbrëma në Shtëpinë e Bardhë deklaroi:

"Kur flasim për Olimpiadën dhe performancën e atletëve, ne nuk bëjmë dallime në bazë të orientimit seksual. Ne i gjykojmë njerëzit me suksesin e tyre, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj, në terren dhe jashtë terrenit, dhe kjo është vlera, të cilën mendoj unë, se është në zemër të Amerikës, por edhe të sporteve amerikane”, tha ai duke shtuar se:

"Mendoj që përfaqësuesja jonë flet për vetveten. Në të kemi amerikanë të jashtëzakonshëm, atletë të jashtëzakonshëm, njerëz të cilët do të na përfaqësojnë tejet mirë”.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti, zonja e parë, Michelle Obama, dhe zëvendëspresidenti Joe Biden, asnjëri prej tyre nuk do të udhëtojë në resorin e Detit të Zi, Sochi, ku do të zhvillohen lojërat në muajin shkurt.

Presidenti Obama hodhi poshtë akuzat se vendimi i tij për të mos udhëtuar në Sochi, paraqet një protestë politike kundër politikave ruse, por tha se ka agjendë të ngjeshur për çështje të brendshme gjatë lojërave.

Presidentët e Francës, Gjermanisë dhe Lituanisë, kanë njoftuar së fundi, se as ata nuk planifikojnë të marrin pjesë në hapje të Lojërave Olimpike në Sochi.

Më herët gjatë vitit, Obama kishte hedhur poshtë sugjerimet se Shtetet e Bashkuara duhet t’i bojkotojnë Lojërat Olimpike, si masë proteste kundër ligjit rus.

Obama tha se një deklaratë më e fuqishme se bojkoti, mund të bëhet nga “atletët homoseksualë, duke sjell prapa në shtëpi medalje të artë, të argjendtë ose të bronztë”.

Delegacioni amerikan është i përbërë prej atletëve, që janë deklaruar publikisht si homoseksual, ylli i tenisit për femra Bille Jean King, kampionin në patinazh artistik Brian Boitano, dhe medalistja e dyfishtë në hokej Caitlin Cahow.

Boitano, i cili fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike të vitit 1988, njoftoi javën e shkuar se është homoseksual, pak kohë pasi ishte emëruar nga Obama si pjesë e delegacionit amerikan.

Boitano dhe King pritet të marrin pjesë në ceremoninë hapëse të lojërave në Sochi, kurse Cahow pritet të marrë pjesë në ceremoninë mbyllëse.

Delegacioni amerikan udhëhiqet prej ish-sekretarit për Sigurinë Kombëtare, Janet Napolitani.

Si pjesë të delegacionit është edhe ambasadori amerikan në Rusi, Michael McFaul, dhe zëvendës-shefi i personelit në Shtëpinë e Bardhë, Rob Nabors.

Ndryshe, Michelle Obama i kishte prirë delegacionit amerikan në Lojërat Olimpike 2012 në Londër, kurse zëvendëspresidenti Joe Biden kishte udhëhequr delegacionin amerikan gjatë Lojërave Olimpike të vitit 2010 në Vancouver.(f.aliu)
XS
SM
MD
LG