Ndërlidhjet

A ka korrupsion në Universitet?


Ilustrim
Ilustrim


Ditëve të fundit në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina” ka pasur arrestime, pezullime dhe shkarkime, nën dyshimet për afera korruptive.

Në këtë valë të fundit të shpërfaqjes së dyshimeve për korrupsion, mediat e shkruara në Kosovë kanë publikuar mesazhe telefonike të disa personave, të cilët dyshohet se kanë bërë pazar me provime dhe regjistrime në disa fakultete.

Por, se çka mendojnë studentët dhe të rinjtë lidhur me pazaret që po bëhen në Universitet, flasin ata vetë për rubrikën e përjavshme “VOX”, të Radios Evropa e Lirë.

Berat Hasani, student i vitit të dytë në degën Biznes Ndërkombëtar, në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirës, thotë se Universiteti i Prishtinës e ka humbur kredibilitetin e tij, duke e marrë parasysh se tashmë po dihet që ka korrupsion brenda tij. Por, Berati thotë se atij personalisht nuk i ka ndodhur që dikush t’i kërkojë të holla brenda Universitetit.

“Jam student në vitin e dytë, Biznes Ndërkombëtar. Po ma merr mendja që i ka humbë kredibiliteti, për shkak të korrupsionit. Mendoj se studentët janë vetëdijesuar, edhe i shohin pak më larg gjërat. Unë personalisht nuk e kam pasur rastin të më kërkojnë të holla”, thotë Berati.

Studentja e Fakultetit Juridik, Florina Morina, mendon se besimi i opinionit në Universitetin e Prishtinës ka humbur për 60 për qind, pasi që tashmë po dihet që ka korrupsion brenda institucioneve:

“Po duket që ka korrupsion, sidomos pas ngjarjeve të fundit që ndodhën. Mendoj që deri në 60 për qind e ka humbur besimin, jo vetëm Fakulteti i Mjekësisë, por mendoj se gjithë universiteti e ka humbur kredibilitetin”.

Aferat korruptive në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina” konsiderohen veprime të dëmshme, dëme këto, që sipas ekspertëve të arsimit janë edhe të pariparueshme.

Një tjetër qytetar, i cili nuk deshi t’i bëhej publik emri, thotë se raportimet rreth dyshimeve për korrupsion në universitet, ndikojnë negativisht te qytetarët, meqë konsiderohet institucion edukativ, institucion ku njeriu ngrihet profesionalisht:

“Rastet, në të cilat raportohen për shkelje të çfarëdo natyre qofshin, në procesin edukativ, në procesin e lartë të arsimit, e humbin kredibilitetin, sepse në mendjen e secilit qytetar, institucionet e arsimit portretizohen si institucionet për t’i edukuar gjeneratat dhe për t’i ngritur profesionalisht, por edhe për t’i luftuar d dukuritë e tilla. Prandaj, raportet si këto, që kanë dalë ditëve të fundit, lidhur me disa ngjarje në Fakultetin e Mjekësisë, si dhe në disa fakultete të tjera ndikojnë dukshëm negativisht në imazhin e institucionit të arsimit të lartë, siç është universiteti”.

Edhe Valdete Kastrati, studente në Fakultetin Ekonomik, mendon se gjithmonë në Universitete ka pasur padrejtësi dhe korrupsion.

“Unë gjithmonë kam menduar që ka dallavere në universitet, për regjistrime, blerje të notave. Por, tash, me ngjarjet e fundit që ndodhën dhe u bënë publike, mendoj se është degraduar, shumë duke filluar prej dekanatit, e deri te profesorët e asistentët”, pohon Valdetja.

Ndryshe, Agjencia Kosovare Kundër-korrupsion, është mekanizëm që merret me luftimin e dukurisë së korrupsionit. Drejtues në këtë agjenci thonë se kanë pasur disa raste të ngritjes së kallëzimeve penale që ndërlidhen me Universitetin e Prishtinës.

Lufta kundër korrupsionit është një nga sfidat më serioze përballë institucioneve të Kosovës, të cilat jo rrallëherë thonë se ndaj kësaj dukurie do të ketë zero tolerancë.

Për ta adresuar këtë fenomen, janë themeluar disa mekanizma, që për synim kanë parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie në shoqërinë kosovare.

Mendimin e saj rreth çështjes së aferave korruptive e jep edhe Tina, studente e Gazetarisë.

“Më herët kam dashur të studioj në Universitetin e Prishtinës, por për arsye të ndryshme nuk kam arritur dhe kam shkuar në universitet privat. Por, tash po e shoh që ai nuk ka ndonjë nivel dhe nuk ka ndonjë ndryshim, pasi që në UP po shihet që edhe asistentët mund të vendosin për nota të studentëve, e paramendojeni tash kur ata marrin vendime për studime të studentëve, dihet se çfarë hije e zezë i është dhënë universitetit. Edhe ashtu, UP-ja në disa gara që janë mbajtur me vendet e rajonit, ka dalë diku i 10-ti. Ngjarja e fundit që ka ndodhur, po e argumenton nivelin e studentëve dhe mësimdhënësve që punojnë në Universitetin e Prishtinës”, shprehet Tina.

Në raportin e fundit të “Transparency International”, organizatë kjo e cila merret me Indeksin e Perceptimit mbi Korrupsionin, Kosova ka shënuar ngecje, duke rënë nga pozita e 105-të, në atë të 111-të.

XS
SM
MD
LG